Plot shkelje
Zyra e Auditorit Gjeneral ka vazhduar të publikojë raportet për dikastere të rëndësishme, për vitin kalendarik 2010. Në të gjitha këto raporte, në raste të ndryshme, janë evidentuar shkelje dhe shmangie të ligjeve në fuqi.
Komuna e Prishtinës
Raporti i Auditorit ka nxjerrë për Komunën e Prishtinës disa parregullsia të theksuara. Sipas dokumentit, bazuar në raportin vjetor të Departamentit të Urbanizimit, të hyrat nga lejet e ndërtimit janë shënuar në shumën prej 8 milionë e 553 mijë e 644 euro. Kurse në librin kryesor dhe Departamentin e Financave ishte regjistruar shuma prej 8 milionë e 564 mijë e 365 euro. “Diferenca prej 10 mijë e 721 eurosh ishte e paqartë për zyrtarin e Të hyrave, duke mos ditur të ofrojë shpjegimet e duhura. Borxhi i paarkëtuar në fund të vitit, sipas shënimeve të Drejtorisë së Urbanizmit, ishte 6 milionë e 705 mijë e 885 euro.
Sipas ZAGJ-it, Komuna përveç tatimit në pronë dhe lejeve të ndërtimit, nuk mban regjistra të ndara të llogarive të arëketueshme. Kështu, të hyrat e tjera mbahen vetëm në baza të inkasimeve. Ndër parregullsi të tjera, janë vërejtur edhe në rastin e ndërtimit të kolektorit atmosferik. Sipas ZAGJ-it, në këtë rast është paguar shuma prej 846 mijë e 712 eurosh si paradhënie për operatorin ekonomik.
Në projektin “Ndërtimi i rrugës Bill Clinton”, Komuna ka lidhur kontratë në vlerë prej
1 milion e 621 mijë e 497 eurosh, derisa mjetet e zotuara për këtë projekt ishin 600 mijë euro. “Një praktikë e tillë e lidhjes së kontratave pa fonde të mjaftueshme është ndjekur edhe në shtatë projektet e tjera”, thuhet në dokument, ku janë gjeture dhe në disa raste vonesa në realizimin e projekteve e shumë parregullsi të tjera.
Ministria e Forcës së Sigurisë të Kosovës
Edhe pse konsiderohet si një nga ministritë më të suksesshme, edhe kjo e Forcës së Sigurisë të Kosovës nuk ka arritur t’u ikë lëshimeve të ndryshme ligjore. Sipas raportit të ZAGJ-it për vitin 2010, në këtë ministri janë evidentuar disa parregullsi. Sipas dokumentit, është gjetur mosplotësimi i kritereve të nevojshme nga operatorët ekonomikë fitues në tenderë të ndryshëm, pastaj ka pasur vonesa në ekzekutimin e punimeve dhe ofrimin e mallrave dhe shërbimeve. “Ashtu siç edhe ishte prezantuar në Pasqyra Financiare, deri në fund të vitit, avancet e pambyllura arrinin një vlerë prej 21 mijë e 55 eurosh. Këto avance ishin hapur për qëllim të udhëtimeve zyrtare, seminareve dhe trajnimeve jashtë vendit, por ato nuk janë mbyllur me kohë, sipas ligjit”, thuhet në raport. Ndërkohë, në dy raste është gjetur se në këtë ministri janë punësuar dy persona në mënyrë joligjore dhe pa i përmbushur kriteret e kërkuara. “Nё dy raste janë përzgjedhur kandidatët që nuk kanë plotësuar kriteret e kërkuara me konkurs. Njëri nga ta nuk kishte ofruar dëshmi mbi përvojën e punës, ndërsa kandidati tjetër nuk kishte dëshmi për kualifikimet apo diplomën universitare”, thuhet në raportin e ZAGJ-it.
Ministria e Drejtësisë
E drejtuar nga Haki Demolli, e më pas gati për gjysmën e vitit pa ministër fare, gjatë vitit 2010, edhe në Ministrinë e Drejtësisë kanë ndodhur shumë shkelje ligjore.
Sipas raportit të ZAGJ-it, në këtë ministri ka pasur aktivitete të prokurimit, pa tri oferta të përgjegjshme. Edhe në këtë ministri, ZAGJ-i ka gjetur se është bërë nënshkrimi i kontratave mbi shumën e zotuar, si dhe ka pasur vonesa në realizimin e projekteve kapitale.
Në një rast, sipas kontratës për implementimin e projektit kapital, “Ndërtimi i objektit të Prokurorisë Publike të Qarkut dhe Komunale në Prizren” në vlerë prej 936 mijë e 333 euro, punët ndërtimore do të duhej të mbaronin brenda 100 ditëve. “Kontrata është nënshkruar më datën 6 maj 2009. Gjatё testimit, kemi vёrejtur qё punёt nuk janë realizuar sipas planit dinamik. Deri nё fund tё vitit 2010, projekti nuk ka arritur të përfundohet”, thuhet në raport.