E Diel, 1 Nëntor 2026

Plumba mbi policinë në Lazarat. Burgaj: Po i monitorojmë me avionë italianë (VIDEO)

Share

Ka dështuar tentativa e radhës së policisë për të hyre në brendësi të fshatit Lazarat. Një operacion antidroge i drejtuar nga nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, me efektivë të policisë qarku Gjirokastër, forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe Delta Force, kanë tentuar të ndërhyjnë në Lazarat, por kane hasur në rezistencën e banorëve të cilët kanë hapur zjarr kundrejt tyre, raporton Vizion Plus. Sipas burimeve nga policia, uniformat blu gjatë orëve të natës si dhe mëngjesin e sotëm kane tentuar të hyjnë në fshat nëpërmjet Delvinës, por ata janë përballur me breshëri plumbash. Drejtues të aksionit policor i kane bërë thirrje banoreve që të distancohen, por ne fund ka qenë policia ajo që është tërhequr. Nga shkëmbimi i zjarrit nuk ka pasur të plagosur. Megjithatë në një deklarate për shtyp, drejtues të policisë bëjnë të ditur se janë asgjësuar mbi 5 mijë rrënjë kanabis sativa, ndërsa janë ndaluar 5 punëtorë, të cilët po vadisnin parcelat e mbjella me hashash, dy prej të cilëve janë banorë të Lazaratit. Gjithashtu u sekuestruan edhe 3 kamionë, 2 autobote si dhe dy automjete nga të cilët u qëllua me armë zjarri. Autoritetet pohojnë se operacioni është në vazhdim, ndërkohë që në afërsi të fshatit Lazarat janë ngritur 3 postblloqe, të cilat kryejnë kontrolle të automjeteve që lëvizin ne aksin rrugor Gjirokastër-Dervican.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, tha se Lazarati po monitorohet nga ajri me avionë italianë.

Policia e Shtetit iu bën thirrje banorëve të fshatit Lazarat që të distancohen nga disa elementë me precedentë kriminalë të cilët kundërveprojnë me armë ndaj forcave të policisë, pasi policia do ti përgjigjet me forcën e ligjit të gjithë atyre personave të përfshirë në akte të tilla.

Lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike mbetet një ndër prioritetet më të rëndësishme në punën e Policisë së Shtetit, e cila do të vazhdojë pa ndërprerje operacione të këtij lloji për asgjësimin e bimëve narkotike jo vetëm në zonën e Lazaratit por në të gjithë vendin.

Në sajë edhe të marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar  me Policinë Italiane, ne po vazhdojmë monitorimet e kryera nga ajri me avionë të policisë italiane dhe helikopterë të policisë shqiptare në të gjithë territorin e vendit, për të përcaktuar me koordinata shumë të sakta zonat ku kultivohet kanabis, me qëllim asgjësimin e tyre dhe arrestimin e autorëve.

Me këtë rast kërkojmë mbështetjen dhe bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve që të kontribuojnë me dhënien e informacionit mbi evidentimin e të gjithë atyre personave të cilët kultivojnë bimë narkotike.

Policia e Shtetit nuk do të reshtë së godituri këtë fenomen dhe është e vendosur për ta çuar deri në fund objektivin e saj me synim reduktimin e këtij fenomeni deri në eliminimin përfundimtar të tij, tha Burgaj.

Të arrestuarit

- Miço Thanas Kuro, vjeç 29, lindur dhe banues ne Lazarat,

- Aurel Lufti Huso, vjeç 28, lindur dhe banues në Lazarat,

- Erion Mersin Ajdini, lindur dhe banues në Tepelenë, që të tre pronarë të parcelave të ndryshme me bimë narkotike,

si dhe shtetasit:

- Gentian Besnik Halili, vjeç 19, lindur dhe banues në Kukës

- Agron Luan Blloshmi, vjeç 25 lindur dhe banues në Librazhd

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›