E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi sulmon Berishën: Ka njerëz të pangopur në marrjen e pushteteve, duan të marrin edhe ajrin që konsumon ti

Share

Presidenti deklaroi se në konsultim me miq shqiptarë e të huaj do vendosë në fund të gushtit ose në fillim të shtatorit për përfshirjen në politikë. Presidenti e quajti momentin më të vështirë në karrierën e tij 21 janarin. Presidenti tha se një dorë ka akaparuar gjithë pushtetin

Presidenti Bamir Topi e nisi intervistën e tij për Ilir Babaramon duke folur për 21 janarin, të cilin e quajti momentin më të vështirë të karrierës së tij. Topi përsëriti qëndrimet e tij për këtë ngjarje të rëndë dhe tentativat e tij për të ulur gjakrat. Presidenti tha se janë sajesa dhe halucinacione deklaratat e Berishës se ai është shprehur se zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhje për situatën e 21 janarit. Topi deklaroi se hetimet për tabulatet e tij telefonike nuk kanë vlerë pasi ai ka një numër telefoni si çdo shqiptar. Nuk kam telefon të kriptuar, tha Topi.

Presidenti komentoi edhe ngjarjen e Gërdecit.

Pavarësisht sa efecient është shteti apo strukturat në një moment të caktuar, unë besoj tek shteti. Gërdeci ishte një ngjarje tragjike, mjaft e rëndë. Di që jam shprehur disa herë për nevojën e gjykimit pa e zgjatur procesin. Edhe sot e kësaj dite ende nuk ka përfundim sa i përket procesit. Gjithsesi unë jam i detyruar edhe për shkak të pozicionit, të besoj tek institucionet, ndonëse gjithmonë ka edhe qëndrime të natyrës alternative që njerëzit kanë, tha Topi.

Presidenti komentoi edhe informacionet se kreu i Shërbimit Informativ të Ushtrisë ka dhënë dorëheqjen pas skandalit të trafikut të armëve. Topi tha se marrëdhëniet kreu i SHIU i ka brenda linjës së ekzekutivit.

Duke folur për kontrollin e deputetëve në ministrinë e Mbrojtjes, presidenti tha se ata kanë të drejtë të kontrollojnë, por edhe ministria ka të drejtë të kërkojë certifikatën e personave që kanë të drejtë të marrin informacionin.

I pyetur për problemin e zgjedhjeve në Shqipëri, Topi tha se procesi elektoral i ka të dy simptomat, edhe manipulimin e votave, por edhe atë të mospranimit të rezultatit.

Presidenti tha se nuk bën sugjerime për reformën zgjedhore tek ata njerëz që e gatuan KQZ-në në mënyrë partiake.

Zgjidhja më e mirë është që KQZ të jetë institucion profesional, i paparagjykuar, tha Topi.

I pyetur se si ndjehet që rolin e ndërmjetësit në vendin e tij e kanë luajtur ambasadorët, ai tha: Unë e kam bërë rolin e ndërmjetësit. Unë do të doja të falënderoja publikisht ambasadorët, kryesisht ambasadorët e trojkës, të cilët kanë qenë jashtëzakonisht të ndjeshëm për tu futur në problemet që ka Shqipëria. Ata janë faktorë shumë të rëndësishëm që monitorojnë dhe ndihmojnë Shqipërinë.

Duke folur për krizën ekonomike, Topi tha se publikimi i të dhënave të INSTAT faktoi problemet. Presidenti deklaroi se bujqësisë duhet ti kishim kushtuar vëmendje më të madhe.

Sërish presidenti nxori në pah problemin e pronësisë.

Kam takuar shumë investitorë që nuk janë garantuar për shkak të titullit të pronësisë, tha ai.

Duke folur për marrëdhëniet me Berishën, Topi tha: Marrëdhëniet me Berishën janë marrëdhënie thellësisht formale në planin institucional. Në këto marrëdhënie ka pasur probleme.

I pyetur se çdo të thotë që ai do jetë misionar në politikë, Topi tha: Politika ka nevojë që vërtet të ketë një fizionomi tjetër. Pra kemi parë kundërshtarë të ashpër politikë në Europë, që janë bashkë në evenimente të caktuara, pavarësisht se këndvështrimi është ndryshe.

Topi tha se në fund të gushtit ose në fillim të shtatorit do të ketë një vendimmarrje të tij për pjesëmarrjen në politikë aktive. Presidenti tha se do konsultohet me miq shqiptarë dhe të huaj.

Nëse nuk jam i pranueshëm në terrenin politik, tërhiqem. Po u fute në futboll për të luajtur, o luaj me të gjithë forcën, ose mos luaj, tha presidenti.

Duke folur për Gazmend Oketën dhe Aleksandër Biberajn dhe forcën e re politike që përfaqësojnë, Topi tha: Nuk janë dy mesa di unë. Unë kam një respekt të thellë për ta. Përveç atyre ka edhe të tjerë. Kanë një autokontroll dhe dinë të bëjnë debatin shumë mirë.

Presidenti më pas pati një shpërthim kundër dy krerëve të partive kryesore. Megjithëse e nisi për të dy, Topi e përfundoi duke sulmuar indirekt Berishën që tenton të marrë të gjithë pushtetet në një dorë.

Ka njerëz të pangopur në marrjen e pushteteve, duan të marrin edhe ajrin që konsumon ti, tha Topi.

Ka një politizim të rrezikshëm të administratës. Askush nuk e ngre zërin. Nuk ka sindikata. Disa përfaqësues të shoqërisë civile joshen me fonde, vijoi presidenti.

Ndërkohë që presidenti mori rolin e intervistuesit duke e pyetur Babaramon se a qëndrojnë ato që thotë ai. Kur Babaramo nuk u përgjigj, Topi tha se kjo tregon se shumë intelektualë janë bërë konformistë.

I pyetur nëse vendi ka nevojë për rotacion pushteti, Topi tha: Vendi ka nevojë për rotacion elitash.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›