Ritenderohen gjigantët

Hoteli Grand do të jetë ndërmarrja e parë që i prin listës së tetë ndërmarrjeve që do të shkojnë në ritenderim këtë vit.
Expressi ka mësuar se auditori i jashtëm i ka rekomanduar Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, t’ua marrë aksionet këtyre ndërmarrjeve për shkak të mospërmbushjes së zotimeve për investime dhe punësim.
Përveç Grandit dhe Fabrikës së llamarinës “Llamkos” në Vushtrri, rrezikojnë të ritenderohen edhe Fabrika e duhanit “McCroft Tobacco Holdings” në Gjilan, Miniera e magnezitit XIM Strezovc në Kamenicë dhe Miniera e Goleshit në Lypjan.
Gjithashtu në këtë listë janë edhe FAN-i në Podujevë, Modeli në Gjakovë, Ballkani në Suharekë dhe Kosovatex.
Këtë e konfirmojnë edhe zyrtarët e AKP-së, të cilët thonë se auditori ka konstatuar mospërmbushje të zotimeve.
“Për tetë ndërmarrje... pasi që auditimi ka konstatuar mospërmbushje të zotimeve, janë duke u ndërmarrë të gjitha hapat në përputhje me Marrëveshjen për zotime dhe Strategjinë e monitorimit të SSO-ve”, thekson Arta Gosalci, zëdhënëse e AKP-së.
Ajo thotë se ende nuk dihet saktësisht vendimi i Bordit, i cili do të mbajë mbledhje kah mesi i janarit.
Pasi që të shteren të gjitha mundësitë e parapara me kontratë për zgjidhjen e këtyre mangësive dhe shkeljeve të kontratës, Gosalci thotë se Bordi merr vendim se si të veprohet në vazhdim.
“Prandaj, nuk mund të jepet një datë ekzakte lidhur me vendimet eventuale”, pohon Gosalci.
Ndërkaq, burime të gazetës Express thonë se në mbledhjen e ardhshme Bordi do t’i shqyrtojë raportet për katër nga këto ndërmarrje, e para prej të cilave do të jetë Hoteli Grand.
Kjo ndërmarrje, sipas këtij burimi, as për së afërmi nuk i ka përmbushur zotimet për investime. Nga 20.2 milionë euro sa kishte premtuar se do t’i investonte për dy vjet, kjo ndërmarrje deri më tani ka raportuar si investime vetëm 3 milionë euro, megjithëse ndërmarrja është shitur në vitin 2006.
Pas saj vijnë Miniera e magnezitit XIM Strezovc në Kamenicë dhe Miniera e Goleshit në Lypjan. Të dyja këto ndërmarrje nuk i kanë përmbushur as nga 10 për qind investimet që i kanë zotuar. Blerësi i Minierës së magnezitit XIM Strezovc kishte premtuar se do t’i investonte 14.2 milionë euro në këtë ndërmarrje dhe do t’i punësonte 238 punëtorë.
Edhe blerësi i Minierës së Goleshit kishte premtuar 16.2 milionë euro investime dhe se do t’i punësonte 355 veta. Por, sipas të dhënave të raportit, ky zotim nuk është përmbushur.
Ndërkaq, ish-prodhuesi më i madh i tekstilit në Kosovë “Kosovatex” në Prishtinë, tani nuk punon. Të dhënat e AKP-së tregojnë se pronari i ri kishte premtuar se do të investonte 4 milionë euro, mirëpo as pas zgjatjes së afatit për dy vjet, zotimet nuk janë përmbushur. Deri më tani në këtë ndërmarrje janë raportuar si investime vetëm 453 mijë euro, ndërsa 900 mijë euro të tjera thuhet se janë paguar për marrjen e lejes nga Komuna për të ndërtuar qendrën e biznesit, të cilën ia kishte lejuar ish-AKM-ja.
Auditori, sipas burimeve brenda AKP-së, ka vlerësuar se në total nuk është arritur përmbushja e zotimeve në investime të premtuara që ishin 196 milionë euro, e në fakt këto investime është dashur të kryhen dy vjet pas shitjes së secilës ndërmarrje.
Kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi, thotë se kjo ka qenë e pritur, pasi që sindikata më parë kishte alarmuar për pakënaqësi te spin-ofet speciale.
“Si BSPK jemi që të respektohet rregullorja e secilës ndërmarrje për përmbushjen e zotimeve. Nëse i kanë plotësuar kushtet, le t’i nënshkruajnë kontratat, nëse jo, le të penalizohen”, thekson Arifi.
Në anën tjetër, me përfundimin e auditimit, Bordi i drejtoreve i ka liruar katër ndërmarrje, duke përfshirë Ferronikelin, Birrarinë e Pejës, Banjën e Kllokotit dhe IMN Fabrikën e Tullave, pasi që është konstatuar përmbushja e kushteve të Marrëveshjes për Zotime.
Ndërmarrjet që rrezikojnë të ritenderohen
- Hoteli Grand
- McCroft Tobacco Holdings
- Miniera XIM Strezovc
- Miniera e Goleshit
- FAN-i
- Modeli
- Ballkani
- Kosovatexi