Plumba shtëpisë të të “fortit” të Korçës
Korçë- Plumba dhe kërcënim me vdekje për një të ri në Korçë, policia dyshon për inkrimin në ngjarjet e vitit 1997. Të shtënat e një kallashnikovi kanë tronditur banorët e lagjes 11 në qytetin e Korçës, ndërkohë që nata e terrorit për fat të mirë, përveç krismave nuk ka pasur gjakderdhje. Burime të Policisë së Korçës kanë bërë të ditur se është sulmuar një banor i qytetit të Korçës. Ai identifikohet si shtetasi Pali Pavlli, i njohur edhe për policinë e juglindjes. Ndonëse Pavlli nuk ka qenë asnjëherë i dënuar nga drejtësia, ka qenë në fokusin e saj për disa ngjarje të rënda, të kryera gjatë vitit të trazirave. Duke u rikthyer tek ngjarja, mësohet se ajo ka ndodhur gjatë orëve të natës së kaluar, në lagjen 11 në Korçë. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se kanë qenë dy persona me një makinë me traga të huaja, ende të paidentifikuar, të cilët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së 32-vjeçarit, Pali Pavlli. Pas breshërisë së kallashnikovit në drejtim të shtëpisë private të shënjestrës së tyre, autorët kanë lënë një letër kërcënuese në portën e jashtme të banesës. “Do të të vrasim”. Kjo ka qenë gjithçka shkruhej në letër, e cila tashmë ka rënë në duart e policisë juglindore. Ndonëse nuk ka pasur të lënduar nga ngjarja, në momentin e të shtënave, brenda banesës private kanë qenë të katërt anëtarët e familjes Pavlli. Policia e Korçës ka gjetur në vendngjarje disa gëzhoja, që konfirmojnë se autorët e ngjarjes kanë përdorur një armë zjarri automatik. Sipas policisë, dyshohet se ngjarja ka si motiv hakmarrjen. 32-vjeçari, Pali Pavlli, është një person me precedentë penale që lidhen me ngjarjet e vitit 1997. Por ajo që e ka bërë më të mistershme këtë ngjarje, ka qenë vonesa me të cilën është njoftuar policia. Vetëm në orën 9:00 të mëngjesit të të dielës, i kërcënuari Pavlli ka shkuar në komisariatin e policisë bashkë me letrën, duke rrëfyer gjithçka për atë që kishte ndodhur gjatë ngjarjes. Tashmë policia po heton për identifikimin e autorëve të kësaj ngjarje, por dhe arsyen e kthimit të tyre te 32-vjeçari për ngjarje që i përkasin një kohe relativisht jo të afërt. Pista kryesore e hetimit është ajo e hakmarrjes, ndërsa 32-vjeçari aktualisht bën një jetë të qetë me familjen e tij, ndonëse ka qenë mjaft i njohur më parë për uniformat blu. I.V.