E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkelet sërish protokolli. Topi, Berisha e Topalli në Vatikan

SHKRUAN: Nevila Perndoj 02-05-2011 11:02

TIRANË- Nuk numërohen më rastet kur ata shkelin protokollin. Tri krerët më të lartë të shtetit, gjatë paradites së djeshme nuk ishin në Shqipëri. Dy prej të cilëve, lanë për pak orë, edhe fushatën për zgjedhjet lokale të 8 majit. Presidenti Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha dhe Kryeparlamentarja Jozefina Topalli ishin në ceremoninë e organizuar në Vatikan për Lumturimin e Papa Gjon Palit të II, i cili ndërroi jetë 6 vjet më parë. Ashtu si edhe më parë, ata shkelën sërish protokollin, duke u larguar që të tre jashtë vendit. I pari i vendit, gjatë paradites së djeshme ka qenë zv/kryeministri Edmond Haxhinasto. Delegacioni i Shqipërisë, i cili përbënte edhe nivelin më të lartë të përfaqësimit se çdo shtet tjetër, ishte mes delegacioneve nga 90 vende të botës në Sheshin Shën Pjetër në Vatikan. Papa Gjon Pali i II, ose Karol Vojtila, është Papa më i dashur i shqiptarëve. Sipas Papa Benediktit të XVI-të, ky ishte edhe lumturimi më i shpejtë në historinë e Kishës Katolike, vetëm 6 vjet e 1 muaj pas vdekjes së tij.

Protokolli

Tre shtetarët, për të disatën herë shkelën Protokollin e Shtetit. Topi, Topalli dhe Berisha morën pjesë në ceremoninë e Lumturimit të Papa Gjon Palit II, e cila u zhvillua në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Romë. Në këtë meshë solemne, merrnin pjesë kryetarë shtetesh e qeverish nga vende të ndryshme të botës. Ritualet fetare të meshës solemne të Lumturimit të Papës Gjon Pali II, u organizuan nga Selia e Shenjtë, e kryesuar nga Ati i Shenjtë, Papa Benedikti XVI. Në mbarim të ceremonisë së shenjtë, pjesëmarrësit u përshëndetën me Papa Benediktin XVI. Zyrat e shtypit të Kryeministrit dhe Presidencës njoftuan përkatësisht se Topi dhe Berisha morën pjesë në këtë ceremoni me ftesë së Selisë së Shenjtë. Ndërkohë, deri mbrëmë vonë, nga zyra e shtypit e Kuvendit nuk u njoftua asgjë mbi këtë pjesëmarrje. Në protokollin e shtetit është specifikuar qartë që Presidenti, Kryeministri dhe Kryetarja e Kuvendit, duhet të vënë në dijeni paraprakisht Protokollin e Shtetit për lëvizjet e tyre jashtë vendit dhe udhëtimet duhet të koordinohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë Shqipërisë. Protokolli i shtetit merret me procedurat zyrtare të organizimit të vizitave, nga përgatitja deri në përfundimin e tyre, megjithatë edhe këtë herë, ashtu si herët e para, Topi, Berisha dhe Topalli pak e kanë marrë parasysh. Protokolli specifikon gjithashtu se për arsye të sigurisë kombëtare, ata nuk mund të udhëtojnë në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin shtet, sëbashku. Për arsye sigurie, atyre nuk u lejohet madje që të udhëtojnë, me të njëjtin mjet. E gjithë kjo situatë ka zgjatur deri dje në mesditë, kur Kryeministri Sali Berisha është kthyer për të vijuar axhendën e tij elektorale, përmes pjesëmarrjes kësaj here në Durrës, në mbështetje të kandidatit të koalicionit ‘Aleanca për Qytetarin” për këtë bashki, Ferdinand Xhaferraj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›