E Diel, 1 Nëntor 2026

Kanalet mbeten pa pastruar, rrezik përmbytje

SHKODËR- Mungesa e kanalizimeve të dyta dhe të treta ka ndikuar negativisht në përmbytjet e vitit të kaluar në zonën e Dajçit. Banorë të kësaj zone shprehin shqetësimin se një situatë e tillë ka rrezik përsëritje, pasi deri tani akoma nuk është bërë asgjë për pastrimin e kanaleve të dyta e të treta, që janë të mbushura me mbeturina apo dhe inerte. ”Në të gjithë zonën, kanalet janë të bllokuara dhe sapo filloi të vinte uji, madje dhe kur shkarkimet ishin të pakta, mosfunksionimi i kanaleve ka bërë që toka e më pas rruga të mbushej me ujë. Flitet se do ndërhyhet, por ka 20 vjet që mbi to nuk është vënë dorë, ndërsa në 11 vitet e fundit situata është përkeqësuar, pasi janë bërë shumë ndërtime dhe në disa vende kanalet janë bllokuar me dhera dhe uji nuk ka nga shkon”, shprehen banorët e kësaj komune. Ato i bëjnë apel shtetit që të ndërhyjë për këtë situatë, pasi të zgjedhurit vendorë mendojnë vetëm për mandatin dhe harrojnë zgjidhjen e problemeve. Shkarkimet e lumit Drin dhe situata e reshjeve të shumta të vitit të kaluar, e përmbytën disa herë këtë zone, e cila kaloi situatën më të rëndë nga të gjithë të tjerat në Nënshkodër”. Komuna e Dajçit ishte më e dëmtuara nga përmbytjet, niveli i ujit këtu ishte më i larti dhe shteti duhet ta trajtojë me prioritet atë, por duket se asgjë nuk do bëhet, pasi mungojnë projektet për pastrim kanalesh apo dhe këmbëngulja për të siguruar financime“, shprehet Rrok Marku, banor i kësaj komune. Kanalet kulluese e vaditëse në këtë zonë, nuk funksionojnë dhe banorët shtojnë se ato e kanë të pamundur të ndërhyjnë me financimet e tyre për t’i pastruar. Kjo pasi këto kanale janë në gjatësi të madhe, por dhe për faktin se ka pasur raste kur atyre u janë kërkuar kontribute financiare, për të riparuar rrugë apo ujësjellësa dhe këto nuk janë bërë, ndërsa paratë nuk dihet nga kanë shkuar. I tillë është rasti i fshatit Rrushkull të kësaj komune, ku familjet para 9 vitesh kanë paguar nga 3500 lekë të reja, për të rivënë në funksionim depon e ujit të pijshëm, por kjo nuk ka ndodhur dhe paratë nuk dihet nga kanë shkuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›