E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plus shqetesim per licencat e reja 3G

Kompania e Telefonise Celulare, Plus, ka shprehur shqetësimin për zhvillimet e ardhshme në lidhje me licencat e reja 3G, pas vendimi të fundit të AKEP, Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare, për shpalljen e tenderit.
Përmes një deklarate, PLUS vlerëson se vendimi i AKEP është i padrejtë dhe bie në kundërshtim të hapur me liberalizimin e tregut të teknologjisë 3G, me nxitjen e konkurrencës dhe zhvillimin e mëtejshëm e sipas standarteve të këtij procesi, i cili më herët ishte plotësisht i rregullt dhe i paanshëm.
Kompania PLUS vëren se kjo qasje e AKEP, krejtësisht e pajustifikuar, favorizon hapur oligopolet në tregun e telekomunikacionit dhe shënon një precedent të dëmshëm, duke prapësuar standardet e arritura deri më tani, të cilat u nxitën nga një politikë që synonte rritjen e konkurrencës në tregun e telefonisë celulare, pas një dekade situate oligopoliste që është paguar shtrenjtë nga konsumatori.
Që prej datës 31 dhjetor 2011, kur AKEP u autorizua për nisjen e procedurave për licencën e tretë, procesi u gjymtua rëndë me pengesa artificiale duke sjellë një situatë anormale në treg, që kulmoi me konkluzionet dhe vendimin e fundit për shpalljen e tenderit.
PLUS sjell në vëmendje se si i vetmi operator shqiptar në vend ka merituar plotësisht jo vetëm besimin e klientëve të tij, por edhe meriton të konsiderohet një partner serioz në konsultimet publike dhe vendimet respektive në fushën e telekomunikacionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›