Plus bllokon në Tiranë 600 gramë heroinë
TIRANE- Kapet në kryeqytet, gjysëm kilogramë heroinë, dyshohet se do shkëmbehej me kanabis nga Lazarati. Alfred Allajbeu, 25 vjeç, nga Berati banues në Kamëz të Tiranës, u arrestua nga zyra e hetimit të Antidrogës në kryeqtytet, gjatë operacionit PLUS, pasi u bllokua me një sasi prej 600 gramë heroinë mëngjesin e djeshëm rreth orës 01:00, ndërsa pritej ta shpërndante në zonën e rrugës Fortuzi, të stacionit të trenit dhe pranë Prokurorisë së Tiranës.
Lajmi u bë i ditur për Shekullin, nga burime të policisë së kryeqytetit të cilët thanë se gjatë arrestimit të Allajbeut u bllokua një sasi prej 600 gramë heroinë, një sasi prej 300 eurosh që i kishte me vete, ndërsa në banesë, policia i bllokoi atij edhe një sasi qesesh të vogla farmacie që besohet se shërbenin për të përgatitur dozat e heroinës që më pas iu shiteshin përdoruesve apo shpërndarësve. Veç arrestimit të tij, burimet e policisë thanë për Shekullin, se në kërkim është shpallur edhe dy persona të tjerë, identiteti i të cilvë nuk dihet. Hetuesit mësohet se janë informuar nga se Allajbeu, kishte mbërritur në një lokal tek rruga Fortuzi, me një taksi dhe se me vete kishte një sasi të mirë malli.
Sapo vetura me të cilën udhëtonte Allajbeu, ndaloi pranë lokalit në rrugën Fortuzi, blutë i bllokuan rrugën dhe një çantë që ai mbante me vete. Pas kontrollit, aty iu gjet malli dhe një sasi prej 300 eurosh. Policia tha se personi i arrestuar dhe dy të tjerë të shpallur në kërkim, dyshohet se zotëronin tregun e shpërndarësve të zonës së bulevardit Zogu i Parë, rrugës Dedë Gjo Luli, pas Muzeut Kombëtar, rrugës së Durrësit, Fortuzi e deri pranë Prokurorisë së Tiranës e Stacionit të Trenit.
