Si u bë eskobar i lagjes shoferi babaxhan i maternitetit
Tiranë- Operacioni i dy ditëve më parë, i policisë së kryeqytetit për bllokimin e një sasie droge, mësohet se është nisur pak javë më parë, ndërsa plani ishte bllokimi edhe i një sasie tjetër prej më tepër se dy kilogramë dhe arrestimi i së paku edhe i dy personave të tjerë, të dyshuar si pjestarë të të njëjtit grup të importimit të kokainës nga Kolumbia dhe shitjes e shpërndarjes së saj në kryeqytet. Mesditën e së shtunës një grup i agjentëve dhe efektivëve të Antidropgës së Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ishin instaluar pranë banesës së Selaudin Bajramit, ndërsa prisnin daljen e tij nga banesa dhe të një personi tjetër, Aleksandër Budos, i arrestuar dhe i dënuar më parë për falsifikim të dokumenteve dhe vulave. Fillimisht pranë parkingut të automjeteve, në sheshin Avni Rustmi, zbriti Budo dhe ai priste mikun e tij. Pas pak minutash nga pallati pesëkatësh që ndodhet në rrugën Luigj Gurakuqi, zbriti me një qese ushqimesh në dorë Selaudin Bajrami.
Në lagje të gjithë e mbajnë mend atë si shofer ambulance në maternitetin e vjetër, që tashmë njihet me emrin Mbretëresha Geraldinë, apo edhe si njeri babaxhan alla Eskobar, pasi thuajse shumë nga djemtë e lagjes, kur gjendeshin në lokal e kishin të paguar kafenë prej tij. Tek sa ky i fundit i drejtohej autoveturës së tij një BMË X5 me ngjyrë të bardhë, me targa italiane, efektivët e njësisë operacionale e bllokuan duke e ndaluar dhe duke i bllokuar sasinë e lëndës narkotike. Blutë mësohet se kishin planifikuar të ndërhynin në afrërsi të stadiumit Selman Stërmasi, në kryeqytet. Pikërisht në vendin e nisjes, në sheshin Avni Rustemi, si dhe në afërsi të vendit të mbërritjes, pranë stadiumit Selman Stërmasi, blutë kishin ngritur pikat e tyre të vëzhgimit, për të mbikqyrur shkëmbimin e kokainës kolumbiane, që do të shpërndahej pabeve të Tiranës. Por gjatë vëzhgimeve të të dyshuarve dhe komunikimeve të tyre të herë pas hershme, është zbuluar se është ndërruar destinacioni ku do të dorëzohej malli. Kjo pasi Selaudin Bajrami, herë pas here ndryshonte destinacionet për shkak të frikës së ndjekjes së tij nga policia, apo të ngritjes së kurtheve.
Kështu ndodhi edhe të shtunën, kur ai njoftoi blerësit se do tua thoshte ai vendin e ri të dorëzimit të mallit. Duke qenë se blutë kishin frikë se mund tiu shpëtonte nga duart grosisti, vendosën të ndërhynin menjëherë. Pas bllokimit të sasisë prej 1 kilogramë që ai mbente me vete, i kryen një kontroll në banesë, ku gjetën të fshehur në një prej orendive zbukuruese të dhomës së ndejnjes, një sasi të vogël prej 60 gramë kokainë. Sasinë tjetër të kokainës, në shtëpinë e Aleksandër Budos, në rrugën Riza Cerova, e gjeti qeni antidrogë, i cili i ndihmoi hetuesit ta gjejnë të groposur në kopshtin e shtëpisë. Ajo, sipas hetuesve, ishte e mbështjellë mirë dhe e siguruar nga lagështira. Ndërkaq blutë u nisën për të ndaluar dy blerësit e tjerë, por devijimi i destinacionit, bëri që atyre tiu humbnin blerësit, emrat e të cilëve policia nuk pranoi ti bënte të ditur.
