Ndihma ekonomike mbërrin te vetëm 22 për qind e të varfërve
Qeveria shqiptare shpenzon rreth 150 milionë euro në vit për të ndihmuar familjet që jetojnë në kushtet e varfërisë, por kufizime të ndryshme ligjore që synonin “shmangien e abuzimeve” bëjnë që vetëm 22 për qind e shqiptarëve të identifikuar si të varfër, përfitojnë nga këto fonde, bën të ditur një studim i Bankës Botërore i prezantuar javën e kaluar në Tiranë. Për më tepër, sipas studimit të përgatitur nga eksperti Ufuk Guven, pjesa më e madhe e shpenzimeve për ndihmë ekonomike duket se po shkon për pagesën e ndihmës së paaftësisë për punë dhe jo për të ndihmuar të varfrit.
Nga 122 mijë shqiptarë që jetojnë në zonat urbane dhe janë identifikuar si të varfër, shumica dërrmuese janë të përjashtuar nga mundësia për të përfituar ndihmë ekonomike, për shkak të filtrave që ka vendosur qeveria për të kufizuar sa më shumë numrin e përfituesve. Në fakt, studimi i BB nxjerr në pah se filtrat, të cilat janë kufizime ligjore, nëse zbatohen me rigorozitet, mund të përjashtojnë nga skema 82 për qind të të varfërve. Një i varfër që ka një anëtar të familjes të punësuar, sipas rregullave të qeverisë, nuk mund të përfitojë ndihmë ekonomike pavarësisht nëse paga e anëtarit të familjes mjafton për të jetuar apo jo. Ky është edhe filtri ligjor që përjashton shumicën dërrmuese të të varfërve nga skema.
Por problemi më i madh i vërejtur nga analiza e BB nxjerr në pah faktin se skema e shpërndarjes së ndihmës ekonomike duket se nuk jep shumë shpresa se ajo do të mbërrijë te të varfrit. Sipas skemës ekzistuese, qeveria i shpërndan fondet e ndihmës ekonomike për bashkitë dhe komunat bazuar jo aq shumë te numri i të varfërve, apo sasia e fondeve të nevojshme, por mbi baza gjeografike. Pushteti vendor, i cili mbledh kërkesat për ndihmë ekonomike dhe administron dokumentet, shpërndan ndihmën ekonomike me kritere shumë të paqarta. Në disa raste, politika luan rol thelbësor, gjë që i bën fondet e ndihmës ekonomike një mënyrë pagese për vota. Por në shumicën dërrmuese të rasteve, problemi duket se qëndron te mungesa e metodave të verifikimit për të parë nëse përfituesit janë me të vërtetë të varfër apo jo. BB sugjeron që qeveria të investojë për krijimin e një databaze kombëtare të të ardhurave, si dhe përfituesve nga skema e ndihmës ekonomike, me qëllim që kjo skemë të funksionojë siç duhet në funksion të lehtësimit të varfërisë.
Skema e mbrojtjes sociale në Shqipëri, në shumë raste, është konsideruar si një keqpërdorim fondesh publike. Qeveria vazhdimisht gjatë viteve të fundit ka shtuar pengesat ligjore me qëllim uljen e numrit të familjeve që e përfitojnë, si dhe ka vendosur kontrolle periodike që kërkojnë paraqitjen në zyrat e pushtetit vendor të një mali me dokumente. Mali me dokumente që kërkohet për ndihmën ekonomike ngarkon me punë një sërë zyrash administrative, duke ulur eficiencën e shërbimeve publike në tërësi.