E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse Edi Rama ka frikë nga oferta e Albpetrolit

08-09-2012 / Gazeta 55

Shpresa e vetme e opozitës ka qenë kriza ekonomike dhe pushteti në tavolinë. Oferta prej 850 milionë eurosh ka shkaktuar humbjen e qetësisë dhe Edi Rama ka caktuar “partizanin” e llogores së parë, Erion Braçe për të mallkuar investitorët dhe për të paralajmëruar se do bëhet gurguleja. I gjithë paniku ka lidhje me zgjedhjet e 2013-s dhe me mungesën e perspektivës se ndonjëherë do të vijë në pushtet brezi i dytë i nomenklaturës enveriste


Partia Socialiste po shndërrohet gjithnjë e më tepër në një rrezik permanent për investimet e huaja në vend, duke angazhuar kundër tyre një arsenal të tërë shpifësish politik dhe mediatik. Oborri mediatik pranë opozitës, vënia në rresht e deputetëve në rolin e megafonave të prishur dhe sulmet atavike, direkte dhe pa kompromis të kryesocialistit, Edi Rama e bëjnë këtë një situatë të rrezikshme me pasoja për klimën dhe mjedisin e thithjes së investimeve, zhvillimin e sektorit privat dhe rritjen ekonomike. Edi Rama është në krye të një fushate të egër kundër privatizimeve. Me vetëdije apo jo, ai ka mbjellë terrin informativ (të paktën në mediat e kontrolluara dhunshëm nga ai) se qeveria ka shmangur parimin e transparencës në privatizimin e disa prej kompanive shtetërore. Vijmë tek zhvillimi më i fundit në fushën e privatizimeve siç është Albpetrol. Dje u zhvillua tenderi dhe në garë u bënë pjesë 6 kompani të njohura botërore në fushën e industrisë së naftës si “Ecolog International”, “Gazprom”, “Voltro Silkiroad Equite Ltd”, “Bankers Petrolium” apo dhe “Consorcium Vin Bussines”. Të gjitha këto pjesëmarrëse në garën për tenderin e “Albpetrol”, ku ofertën më të mirë e paraqiti kompania “Voltro Silkiroad Equite Ltd” me 850 milionë euro. Por ku qëndron problemi? Oborri mediatik në shërbim të Edi Ramës dhe një varg hispanikësh rreth tij, fillimisht mashtruan opinion publik me pretendime bastarde të tipit si, qeveria do e shesë me çmim të ulët Albpetrolin; do ia japë atë një kompanie ruse me drejtues të lidhur me zyrtarë të politikës etj,. Pra gjithçka të shkonte drejt dështimit të privatizimit të kompanisë shtetërore dhe fitimtarët e vetëm të saj të ishin daullexhinjtë e krizës të cilët shpresën e vetme të mbijetesës së tyre politike e shohin te një projekt krizë-ndjellës. Lufta kundër privatizimeve nuk është e vetme në llojin e saj. Partia Socialiste, platformën bazë të programit të saj politik e ka të lidhur me sulmet kundër investitorëve me qëllimin e vetëm trembjen dhe largimin e tyre nga Shqipëria. Dhe të mendosh që biznesi i huaj zë një vend të konsiderushëm në ekonominë shqiptare dhe me impakt të drejtpërdrejtë në GDP-në e vendit. Sipas raportit për zhvillimin ekonomik në vitin 2011, investimet e huaja në Shqipëri kanë qenë 1 miliardë e 30 milionë dollarë. Kjo e lidhur automatikisht me zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Por, zhvillimet pozitive në ekonominë shqiptare (përballimi me sukses i risqeve të krizës së eurozonës) janë zhvillime fataliste për të ardhmen e Partisë Socialiste dhe lidershipit të saj, Edi Rama. Qëndrimet e djeshme kundër privatizimit të “Albpetrol” nuk lidheshin me dhembshurinë apo zemërgjerësinë e PS-së, por me feedback-un e këtij procesi, i cili siç rezultoi u kompletua me ofertën e madhe prej 850 milionë euro. I gjithë shqetësimi këtu ishte. Gjithë ajo përgatitje gjigante me angazhimin e të gjithë altoparlantëve të krizës, oborrit mediatik të selisë rozë dhe mercenarëve parlamentarë që mallkonin lart e poshtë investitorët, dështoi në mënyrë spektakolare, çka nënkupton humbjen e të beteje që synonte ngjalljen e krizës ekonomike dhe kuptohet, PS i largohet gjithnjë e më shumë ëndrrës për të fituar zgjedhjet vitin e ardhshëm.   

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›