Po hartojmë strategjinë për eliminatoret e ardhshme
Plani i Skënder Gegës
Trajneri i Shpresës thekson se, me gjithë vështirësitë, dy ndeshjet me Rusinë dhe Portugalinë ishin të suksesshme
Përfaqësuesja U-21, sapo ka mbyllur aktivitetet ndërkombëtare për vitin 2011. Ndeshja e radhës eliminatore do të luhet qershorin e ardhshme, por për Skënder Gegën nuk ka pushim. Dje, dy ditë pas barazimit 2-2 me Portugalinë, ndodhej në zyrën tij, duke përgatitur disa materiale për Foto Strakoshën, pasuesin e tij të U-19. 48-vjeçari është i kënaqur me atë çka ka arritur Shpresa nën drejtimin e tij dhe premton se do të kërkojë futbollistë të rinj në Europë, në bazë të një strategjie të qartë.
E keni marrë para pak javësh drejtimin e Shpresës dhe në dy ndeshjet e para keni grumbulluar 1 pikë. Mendoni se skuadra juaj ka marrë atë që ka merituar?
Shqipëria mori dhe nuk mori atë që meritonte. Për aq kohë sa punova me Shpresat, mund të kishim marrë edhe më tepër. Kemi luajtur me dy ekipe shumë shumë të mira, siç janë Rusia dhe Portugalia. Janë dy shkolla futbolli komplet të ndryshme. Rusia është koka e grupit, me pikë të plota. Luajnë të dyja futboll modern dhe shumë atletik. Ishte shumë e vështirë që për pak ditë të gjeje lojtarët për ti përballuar me sukses, të marrësh rezultatin, por edhe ti rivalizosh me lojë.
I kisha idetë të qarta për të dyja ndeshjet dhe u mundova të bëja të pamundurën që lojtarët të përgatiteshin sa më mirë. Portugezët luajnë me topa të shtruar, me shumë pasime, pra një futboll modern, por edhe rusët ishin shumë të shpejtë në lojë, sidomos në daljet në kundërsulm, madje fizikisht ishin shumë të fortë. Për aq kohë sa kisha në dispozicion, u mundova të krijoja grupin më të mirë, kështu që në këtë prizëm jam i kënaqur.
Futbollistët portugezë dhe rusë luajnë në skuadra dhe kampionate shumë të forta?
Problemet në futbollin tonë janë shumë të mëdha. Jemi të vetëdijshëm për problemet e kampionatit shqiptar, duke flluar qysh te të rinjtë deri në superiore. E duke pasur parasysh gjithë këtë problematikë, nuk mund të pretendosh që për dy ditë të bësh atë që Portugalia apo Rusia e bëjnë pasi kanë investuar për vite me radhë.
Pse grumbulluat menjëherë 6 futbollistë nga U-19, kur bëhej fjalë për kundërshtarë shumë të fortë?
Jam konsultuar, në fakt, me miqtë e mi, me Redi Jupin, që është drejtori teknik i ekipeve kombëtare, sepse kur e mora detyrën, isha larg. Arrita në konkluzionin që në repartin e mbrojtjes ka pasur gjithmonë probleme. Është e vërtetë që kemi shënuar gola, por ama për shkak të mbrojtjes me probleme kemi pësuar shumë. Një tjetër arsye që afrova disa 19-vjeçarë është mosha e tyre. Janë të datëlindjes 1990 dhe nuk mund të kontribuojnë për shumë kohë te përfaqësuesja U-19.
I vura vetes qëllim që ti afroja menjëherë dhe tu jepja mundësinë si dhe të krijoja idenë që për të ardhmen kemi një program të qartë. Të gjithë lojtarët që afrova nuk kanë asgjë më pak se ata që ishin më parë pjesë e Shpresës. Ata u provuan në eliminatoret e U-19, ku treguan nivel. Ka edhe disa lojtarë të tjerë që nuk pata mundësi ti afroja. Do të bëj të pamundurën që të grumbulloj lojtarë të rinj dhe të fus një mentalitet të ri.
Vendimi për ti afruar këta 19-vjeçarë duket qartë që ka qenë i drejtë?
Unë asnjëherë nuk marr vendime pa qenë i sigurt. Kisha kohë të gjatë që punoja me këta futbollistë: me Prençin, Fejzullahun dhe Fabio Hoxhën. Deliallisin, që e kam pasur në grumbullim dhe që mund të jetë më i talentuar, por nuk pata mundësi për ta aktivizuar, sepse kisha shumë futbollistë të tjerë. Gjithsesi, ai mbetet në plan të parë për të ardhmen.
Sa është rritur niveli i Shpresës me praninë e 3 futbollistëve me origjinë nga Kosova dhe që luajnë në Zvicër: Sallaj, Brahimi dhe Bunjaku?
Diferenca mund të shihet në shumë drejtime, në mentalitetin që kanë, pasi në cilësi nuk ka shumë diferenca. Gjithsesi, edhe ata 19-vjeçarë janë, kanë shumë për të bërë. Shpresoj që të kem sa më shumë nga këta lojtarë, pasi formohen dhe stërviten në një ambient shumë më profesional. Ata ndoshta u munduan të bënim shumë më tepër se çkishin bërë më parë.
Çfarë u këshilloni futbollistëve tuaj?
Në Shqipër lojtarët që bëjnë diferencën në ekipet respektive janë shumë të paktë. Këta lojtarë duhet të punojnë sa më shumë, të vihen në trysni që të korrigjohen, sepse, me sa duket, nuk punohet që kur këta futbollistë të shkojnë në ekipin kombëtar, të mos kenë probleme. Kur bashkohen me futbollistët që janë formuar jashtë, e tregojnë që kanë mentalitetin e këtushëm.
Shpesh nuk pranojnë detyrat mbrojtëse, duke qenë sulmues si dhe nuk njohin ndihmën reciproke. Është pak e vështirë për ti korrigjuar, sepse, me aq sa punova unë, mendjen e kishin te klubet. Këto probleme u reflektuan në dy pjesët e para, madje më është dashur që problemet që hasa në ndeshjen e parë ti korrigjoja në të dytën.
Me Portugalinë kemi parë një Shqipëri shumë efikase, shënoi dy gola duke shkuar pak herë në portë?
Për fatin tone, patëm në dispozicion Armando Sadikun. Ai ishte maja e ekipit dhe me cilësitë që ka mund ta shfrytëzonim edhe më mirë. Në dy pjesët e para nuk e shfrytëzuam në asnjë moment. Në pjesët e dyta u thashë dy mesfushorëve që të dilnin më shpejt në sulm, për të shfrytëzuar cilësitë e Sadikut.
Pretendohet shumë edhe nga Bala, që në pjesën e dytë deri diku e kreu detyrën, pasi në të parën u rëndua shumë me detyrat mbrojtëse. Me lojtarë cilësore si Sadiku dhe Vajushi kemi mundësi që të jemi më cinikë dhe më agresivë.
Para një viti Sadiku ishte pjesë e Elbasanit, madje pasi u pezullua 2 vjet, u fal nga federata. Si ka mundësi që ai shpërtheu sapo kaloi në kampionatin zviceran?
Sadiku sapo ka shpërthyer dhe është në focus, pasi vjen nga një kampionat europian. Uroj që të mos ketë dëmtime, sepse ai i ka rrugët e hapura për në kombëtare, madje mund të jetë sulmuesi kryesor.
Ndeshjet e radhës eliminatore të Shpresës janë në qershor, pra pas shumë muajsh. Ku do të fokusoheni në punën tuaj?
Për fat të mirë, është periudhë e gjatë. Deri në qershor do të bëjmë të pamundurën për të afruar lojtarë të rinj. Kemi hartuar një plan për të shikuar lojtarë në të gjithë Europën. Kuptohet që për këtë edicion nuk mund të pretendojmë për kualifikim, sepse janë luajtur shumë ndeshje.
Duhet të shkojmë në Rusi me një program dhe strategji të qartë, me një grup të ri, për të qenë gati për edicionin e ardhshëm. Duhet të mësojmë që të luajmë sa më mirë e sigurisht, nëse vjen rezultati, kemi bërë një punë të jashtëzakonshme. Pra, kjo periudhë e gjatë do të na ndihmojë për të hartuar strategjinë për të ardhmen.
Foto Strakosha do tju pasojë tek U-19-ta. A keni komunikuar më të?
Me Foton nuk kam folur akoma. Për fatin tonë të keq, U-19 është eliminuar, edhe pse grumbulluam 4 pikë në grup. 4 pikë ka grumbulluar edhe Italia në grupin e saj, por është kualifikuar sepse është renditur e dyta.
A ka pasur kompromise në kurriz të Shqipërisë U-19?
Nga UEFA jo, por kam qenë dëshmitar i ndeshjes së fundit mes Danimarkës dhe Austrisë. Ndërsa për grupet e tjera, që luajtën më vonë, nuk mund të them gjë. Tolerime mund të ketë pasur.
Keni ndonjë këshillë për Foto Strakoshën?
Foton e këshilloj ta formojë grupin nga e para, me idetë e veta dhe të bëjë atë që ai mendon se është më e mirë. Unë jam në dispozicion për ta ndihmuar, por përgjegjësia mbetet e tij, ndaj duhet të veprojë sipas ideve të veta.
