E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luftëtar madhështor ndaj Elbasanit, shkëputet +5

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Arlind Nora realizon 2 herë dhe Alis Baci 1 herë, duke i dhënë ekipit gjirokastrit 3 pikë sigurie

Luftëtari Elbasani           3-1

Shënues: Nora 65 (11-metërsh), 70, Baci 86 / Gava 88

Luftëtari: Selimaj, Gaxhaj, Shalari, Sinani, Baci, Devolli, Ramadani, Stoja (Shehaj 85), Braho (Pjetrani 62), Raboshta, Nora (Kermezo 75). Trajner: M. Hysi.

Elbasani: Ruçi, Merxha, Bella, Sekseri, Ibrahimi (Kuçi 46), M.Toçi (Musta 57), Hila, Gava, Kaçuli, Dalipi (Olatunji 69), Galica.

Trajner: I. File.

Gjyqtarë: B. Ziri, E. Veseli, Sh. Ziri (Fushë-Krujë)

Kartonë të verdhë: Sinani (2), Merxha, Bella, Gava, Kaçuli (2), Dalipi

Kartonë të kuq: Sinani, Kaçuli

Dy golat e Norës dhe një i Bacit i kanë dhënë fitoren madhështore Luftëtarit në ndeshjen e djeshme me Elbasanin, që shënoi vetëm golin e nderit me anë të Gavës. Përballja Luftëtari-Elbasani u luajt  jashtë serisë, si për të treguar veçantinë e saj në rrjedhën e këtij kampionati në 9 javët e deritanishme.

Kësisoj, Luftëtari i ka larë hesapet për fazën e parë me konkurrentët potencialë: Elbasanin, Besën, Lushnjën dhe Besëlidhjen. Ndeshja në fjalë u luajt sikur të ishte një finale dhe u ndoq nga një numër rekord shikuesish në stadiumin e Gjirokastrës. Ndër gjithë faktorët, më përcaktuesi       rezulton ai psikologjik, që vendësit arritën ta kapërcejnë, edhe pse u duk se ishte kundër tyre, pasi u janë anuluar dy gola nga gjyqtarët.

Që në fillim të lojës, Devolli ekzekuton një goditje dënimi nga e majta e sulmit dhe topi rreh shtyllën në të majtë të Ruçit. Më pas është Shalari që ekzekuton një goditje dënimi dhe topi përfundon në rrjetë, por nuk është gol për gjyqtarin. Vetëm në minutën e 20-të Elbasani rrezikon, por pa rezultat. Në të 23-ën, Devolli ekzekuton një goditje dënimi dhe Nora e përcjell topin në rrjetë, por përsëri nuk ka gol për gjyqtarin Ziri.

Elbasani zhvillon një lojë brutale, duke ia prishur disi bukurinë. Portieri Ruçi i rrëmben topin Brahos para se të godasë, ndërkohë që Galica nga ana tjetër gjuan, por pret Selimaj. Nora gjuan në portën tjetër, por edhe ai pa rezulat. Dueli i shkodranëve vazhdon mes Galicës dhe Selimajt, por fitues del i dyti. Kështu mbyllet pjesa e parë me dy gola të anuluar, ku natyrisht vendos gjyqtari, por duhet thënë se i pari u anulua me të drejtë, kurse i dyti është më se i diskutuashëm.

Pjesa e dytë është më produktive, Luftëtari ushtron presion, loja ka tension, raste të humbura, gola, kartonë të verdhë dhe të kuq. Në të 52-tën skuqet Kaçuli pas dy të verdhash, duke e lënë Elbasanin me 10 vetë. Në minutën e 65-të, Dalipi e devijon topin me dorë dhe Nora shënon golin e parë në Gjirokastër me 11-metërsh, duke e kaluar Luftëtarin në epërsi.

Pas 5 minutash Nora dyfishon rezultatin, pas kombinimit mes Stojës dhe Pjetranit. Selimaj bën pritje dhe grushtime, ndërkohë që në të 76-ën Sinani merr dy të verdha dhe 11-metërsh për Elbasanin, pas devijimit të topit me dorë. Selimaj e eviton golin nga 11-metërshi i gjuajtur nga Galica dhe kështu Elbasani humbet rastin për tu rifutur në lojë.

Raboshta humbet një rast, por Baci  realizon me një predhë të vërtetë, duke e çuar rezultatin në 3-0. Më pas është Gava që realizon, duke ngushtuar dimensionet e humbjes. Luftëtari tregon kështu se është pretendenti numër 1 për superligën.

Trajnerët

Mustafa Hysi, trajner i Luftëtarit: Ekipi ynë zhvilloi një lojë të mirë, me shumë grintë, ndaj një kundërshtari shumë të mobilizuar në këtë ndeshje. E merituam fitoren dhe në vazhdim na duhet të kemi kujdes nga euforia.

Ilirian File, trajner i Elbasanit: Erdhëm në Gjirokastër për të marrë një rezultat pozitiv, por mendoj se çdo gjë u prish nga gjyqtari Ziri. Nga ana tjetër, mund të them se futbollistët e Luftëtarit simulonin shumë gjatë lojës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›