Isufi: Gramshi do të tentojë barazimin në Lezhë
Ndihmëstrajneri i Gramshit, Madrid Isufi, pohon se skuadra e tij do të tentojë barazimin në fushën e Besëlidhjes, që mban vendin e dytë në tabelë. Sipas tij, panorma e Gramshit paraqitet mjaft optimiste, ndërkohë që Besëlidhja konsiderohet një ekip me vlera dhe duhet respektuar. Gjithsesi, numri 2 i stolit të Gramshit beson se grupi i futbollistëve do të bëjë surprizën, ashtu siç ka bërë gjatë dy ndeshjeve miqësore të zhvilluara fundjavën e kaluar.
”Mendoj se Gramshi po tregon nga java në javë një pjekuri kolektive, gjë që duket qartë edhe në pozicionin që ne mbajmë në tabelën e renditjes. Besoj shumë se, po të luajmë në bllok dhe nëse nuk dorëzohemi deri në fund, Gramshi mund të kthehet me një pikë të çmuar nga Lezha. Të gjithë e dimë se Besëlidhja është paraqitur deri tani si pretendente serioze për në superligë, por për ne ky është një motiv më tepër për të dhënë maksmumumin.
Të tjerat le tia lëmë fushës, – u shpreh për Sportin shqiptar Isufi. Për transfertën e së shtunës stafi teknik do ti ketë në dispozicion të gjithë fubollistët. Ndeshja pritet me shumë interes edhe nga sportdashësit gramshiotë, të cilët kanë pronotuar qysh në mesjavë një vend në shkallët e stadiumit të Lezhës. Edhe për këtë javë presidenti i skuadrës ka premtuar shpërblimin e radhës, nëse Gramshi merr atë që duan zyrtarët më të lartë të klubit, barazimin.