E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Muharremi: Sukthi, i aftë tu përgjigjet pukjanëve

Nga Hysen Varoshi

Fitorja me Erzenin javën e fundit e ka ngrohur së tepërmi atmosferën tek ekipi i Sukthit. Futbollistët e tij janë në formë të mirë dhe tifozët presin rezulatate positive edhe në transfertë. Trajneri Xhevahir Kapllani, duke e pasur gjithë grupin në dispozicion, ka luksin të zgjedhë më të mirët, në mënyrë që ti përgjigjet si duhet Tërbunit, që mban vendin e parë, vetëm një pikë para Sukthit.

Për këtë takim, presidenti i ekipit, z. Albert Muharremi, u shpreh: Sukthi është brenda objektivit dhe në vazhdim duhet luftuar fort për ta mbajtur këtë pozicion, pse jo dhe për të marrë kreun. Fitorja me Erzenin na ka motivuar më shumë dhe mendoj se do të ecim me këtë ritëm. Kemi një ekip me vlera, që mund të marrë pikë edhe jashtë fushe.

Tërbunin, kundërshtarin e radhës, e respektojmë, por, duke e konsideruar ndeshjen me të si një finale, them se do ta kalojmë me sukses. Shohim punën tonë dhe asnjëherë nuk merremi me gjyqtarët, por kam merak, ose me thjesht një kërkesë, që në ndeshje të tilla të caktohen gjyqtarë kompetentë. Le të fitojë më i miri. Jemi dy skuada që po i japim tonin kampionatit dhe duhet të luajmë futboll të bukur e të pastër.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›