E.Sula: Lushnja në rrugën e fitoreve, nuk e fal as Besën
Verdhejeshilët, në formë shumë të mirë, e presin me besim të madh ndeshjen me kavajasit, ku llogarisin vetëm 3 pikët
Lushnjarët, pas shumë ditëve në dispozicion, po e ndiejnë edhe më shumë aromën e ndeshjes së fundjvaës me Besën. Është e qartë që emocionet sa vijnë e shtohen në ambientet e stadiumit Roza Haxhiu, ku pritet një ndeshje me nivel dhe natyrisht fitorja nga ana e vendësve. Ndërprerjen e kampionatit verdhejeshilët janë munduar ta shfrytëzojnë për konsolidimin e mëtejshëm të skuadrës, që vjen pas 3 fitoreve radhazi. Mungesa e vetme për Lushnjën është ajo e kapitenit Gentian Çela, i cili do të jetë edhe këtë javë larg fushës së blertë.
Ndeshja e kontrollit Stafi teknik lushnjar ka zhvilluar dje ndeshjen e zakonshme të kontrollit, duke parë gjendjen e çdo futbollisti. Trajneri Malko ka studiuar formën e secilit pjesëtar të skuadrës dhe tashmë e ka të qartë se cilët do të jenë titullarët e ndeshjes me kavajasit. Gjatë ndeshjes së djeshme ai ka vënë në praktikë udhëzimet që çdo futbollist do të ketë për ndeshjen e së shtunës me Besën.
Erion Sula Të gjithë duken në formë shumë të mirë në kampin verdhejeshil, por reparti që po spikat është ai i prapavijës. Qendërmbrojtësit Bufasi, Sula dhe Mërtiri, si dhe mbrojtësit e krahëve Ruço, Hasalla dhe Sulo, japin garanci për stabilitet në lojën e lushnjarëve. Në javët e fundit, përveçse nga portieri Bejte, siguria vjen pikërisht nga mbrojtja.
Një nga titullarët e këtij reparti, Erion Sula, pret fitorten e radhës me Besën, me të cilën Lushnja ka luajtur edhe miqësore gjatë fazës përgatitore. I kemi të gjitha mundësitë që të marrim tri pikë në ndeshjen me Besën. Është një skuadër që e njohim dhe që ka vështirësitë e veta, por ne futbollistët, bashkë me stafin teknik, jemi të bindur se do ta marrim fitoren.
Jemi në një moment mjaft të mirë dhe për këtë i kemi dhënë provat edhe në transfertë, ku ndeshja e fundit ka qenë shumë e vështirë. Ne ia dolëm dhe do tia dalim me sukses edhe kësaj radhe për të marrë tri pikët dhe për të vijuar rrugën tonë drejt kreut të klasifikimit, – ka theksuar mes të tjerash Erion Sula.
