E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po i vjen fundi

Procesit të legalizimit të objekteve pa leje po i vjen fundi. Dita e fundit për pranimin e aplikacioneve është 31 dhjetori. Zyrtarë komunalë thonë se data përfundimtare ka bërë që numri i atyre që po aplikojnë të rritet dukshëm. Megjithatë, qytetarët kanë ankesa për mosimformim nga ana e Komunës. Nga Lirita Halili më 23 dhjetor 2010 në ora 09:01

Procesit të legalizimit të objekteve të ndërtuara pa një leje përkatëse, nga Komuna e Prishtinës, po i vjen fundi. Data përfundimtare e këtij procesi po afrohet.

Kjo ka bërë që objekti i Komunës të mbushet përplot me njerëz, të cilët presin në radhë me dokumente në duar. Ata po mundohen të aplikojnë për këtë proces, sepse nëse nuk e bëjnë këtë, objekti i tyre pa leje mund të mos ekzistoj më.

Komuna e Prishtinës ka nisur këtë proces në shtator të këtij viti. Kurse afatin përfundimtar të aplikimit e kishte caktuar 31 tetorin. Por, për shkak të numrit të vogël të aplikuesve, është detyruar që procesin për aplikim të legalizimit të objekteve pa leje ta shtyjë deri më 31 dhjetor të këtij viti.

Sidoqoftë, data përfundimtare po afron. E kjo ka bërë që një fluks i madh i atyre që nuk kanë aplikuar deri më tash ta bëjnë një gjë të tillë.

Se numri i aplikuesve është rritur dukshëm, këtë e thotë edhe Muhamet Gashi, zëdhënës i Komunës së Prishtinës. Sipas tij, afrimi i datës që e mbyll përfundimisht procesin e legalizimit ka bërë që numri i të interesuarve të rritet shumë. “Brenda ditës ndodh që rendi i njerëzve të bëhet shumë i gjatë. Numri i atyre që aplikojnë arrin deri në 500 në ditë”, pohon Gashi për Express.

“Numri i aplikuesve ka arritur në mbi 4 mijë e 300. Në rritje të kësaj shifre ka ndikuar edhe afati që po vije drejt fundit”, sqaron zëdhënësi Gashi.

E, sipas tij, ata të cilët deri më datën 31 të këtij muaji nuk paraqesin dokumentet e tyre për aplikim, më nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë.

“Për ata që nuk i kanë paraqitë objektet e tyre deri më tash, prej vitit tjetër komuna do të shikojë se çfarë do të bëjë me ato. E dimë vetëm një gjë, që ato objekte nuk do të legalizohen më”, shpjegon Gashi i cili thotë i sigurt se shtyrje të datës për këtë çështje më nuk do të ketë. “Një herë është shtyrë data, më nuk do të ketë lëshime”, tha ai.

Si çdo qytetari tjetër, objekti i të cilëve i është nënshtruar procesit për legalizim, radhëve të gjata të atyre që po prisnin për të aplikuar i ishte bashkangjitur edhe Ahmet Bytyqi nga Prishtina. Ai kishte mbledhur të gjitha dokumentet e nevojshme për aplikim dhe kishte zënë vend në radhë.

I vetmi problem për Ahmetin deri në momentin e aplikimit ishte grumbullimi i disa dokumenteve, që i duheshin për t’i përmbushur kërkesat e komunës.

“Problemi kryesor për mua personalisht ishte aplikimi për fletën poseduese të truallit dhe kopjen e planit të truallit. Sepse komuna i kërkonte të reja”, shpjegon Ahmeti për Express.

Mirëpo, ai thotë se sapo i ka nxjerrë ato të rejat është informuar se komuna po i pranonte edhe ato të vjetrat. “Gjate pritjes në radhë po vërej se ka shume qytetarë që ende nuk janë të informuar sa duhet për këtë proces. Afati i fundit po afrohet, e komuna nuk po na informon për ndryshimet që po i bën”, pohon Ahmet Bytyqi i cili shpreson se shumë shpejt komuna do të fillojë me trajtimin e objekteve të tjera dhe objektit të tij për legalizim.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›