E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shaqiri bisedon me Bayernin

Transferimi i Xherdan Shaqirit në Bayern Munich po duket gjithnjë e më afër. Sipas medieve zvicerane, mesfushori kosovar është parë në Munich duke biseduar me drejtorin sportiv të gjigantit gjerman, Christian Nerlinger. Nga Express më 22 dhjetor 2010 në ora 14:11

Ka kohë që qarkullojnë zëra për një transferim të talentit kosovar, Xherdan Shaqiri, te gjiganti gjerman, Bayern Munich. Në mes të klubit bavarez dhe mesfushorit kosovar ka diçka.

Interesimi i Bayernit për mesfushorin e Baselit tashëm dihet. Por gjërat duken se po shkojnë drejt konkretizimit. Sipas uebfaqes 4-4-2.com bisedimet mes kosovarit dhe klubit gjerman tashmë kanë filluar.

“Shaqiri dhe drejtori sportiv i Byernit Christian Nerlinger janë parë në Munich në restorantin luksoz ''La Baracca'' duke biseduar. Se a do te ketë transferim pas këtij takimi, pritet të shihet”, shkruante kjo uebfaqe, të martën.

Reprezentuesi i Zvicrës ditë më parë ishte shprehur i ngazëllyer për shkak të interesimit të Bayernit, derisa ka thënë se ëndrra e tij do të ishte që ta veshë fanellën e klubit më të suksesshëm në Gjermani.

Mirëpo, përveç Bayernit, në Gjermani të interesuar për shërbimet e talentit kosovar janë edhe skuadra e Hamburgut dhe ajo e Wolfsburgut. Mirëpo përveç gjermanëve, atë e kërkojnë edhe kampioni i Evropës dhe Italisë, Inter, Juventus dhe Genoa.

Xherdan Shaqiri sezonin e kaluar ka debutuar në elitën e futbollit zviceran me skuadrën e Baselit. Ai qysh në vitin e parë ka shkëlqyer me klubin nga stadiumi ‘St. Jakob-Park’, me të cilin arriti të fitojë titullin e kampionit dhe kupën e Zvicrës.

Paraqitjet e mira me klubin zviceran e shpërblyen Xherdan Shaqirin me një ftesë nga selektori i përfaqësueses së Zvicrës, Ottmar Hitzfeld, për Kampionatin botëror Afrika e Jugut 2010.

Edhe ky sezon ishte mjaft i mirë për Shaqirin, pavarësisht kritikave që ka marrë nga trajneri i skuadrës Thorsten Fink. 19-vjeçari arriti të shënojë gol në Ligën e Kampionëve në ndeshjen kundër Romës.

Po ashtu, kosovari me prejardhje nga Gjilani shënoi një super gol në fanellën e Zvicrës ndeshjen kundër Anglisë, e cila ishte e vlefshme për kualifikimet e Kampionatit evropian 2012.

Shaqiri, vlera e të cilit thuhet se është 10 milionë euro, me Baselin ka kontratë deri në verë të vitit 2014, mirëpo ka gjasa që gjatë janarit të largohet nga stadiumi ‘St. Jakob-Park’.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›