E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spiunët e sigurimit, kuvendi hap dosjet

 

Kuvendi pritet t’i japë fund odisesë së gjatë të debatit mbi dosjet e ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Pas afro 2 vjetësh nga depozitimi në Kuvend, Konferenca e Kryetarëve të Grupeve Parlamentare ka futur në programin tre javor të punës, diskutimin në komisionet parlamentare edhe të tre projektligjeve për pastërtinë e figurës së zyrtarëve. Sipas edhe publikimit në faqen zyrtare të Kuvendit, brenda dy javëve të ardhshme pritet që Komisioni i Ligjeve të marrë në shqyrtim projektligjin “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të të zgjedhurve”, paraqitur nga grupi parlamentar i PD-së, projektligjin “Për verifikimin e të qenit bashkëpunëtor i Shërbimeve Sekrete Shqiptare para datës 31.12.1992, të funksionarëve të lartë publikë” paraqitur nga grupi parlamentar i PS-së, si dhe projektligjin tjetër “Për kontrollin e figurës së personit zyrtar të zgjedhur apo emëruar në organet e rëndësishme të shtetit”, si nismë e deputetit Nard Ndoka. Të tre nismat e mësipërme kanë për qëllim pastrimin e administratës shtetërore dhe kryesisht, të Kuvendit të Shqipërisë nga personat të cilët kanë dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në veprimtarinë e ish-Sigurimit famëkeq të Shtetit. Por megjithëse kanë të njëjtin qëllim, të tre nismat ligjore kanë dallime thelbësore për kategoritë, kohën dhe mënyrën se si do të bëhet kontrolli dhe evidentimi i ish-sigurimsave.

Demokratët

Kështu, demokratët në nismën e tyre nuk kërkojnë të heqin deputetët spiunë të kohës së komunizmit, por vetëm t’i informojnë ata. Projektligji i tyre shtrin efektet për çdo zyrtar që më datë 11 dhjetor 1990 kishte mbushur moshën 18 vjeç dhe që ushtron ndikim në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit. Përjashtim bëjnë vetëm deputetët e zgjedhur drejtpërdrejt nga populli dhe kryetarët e komunave dhe bashkive. Për këtë rreth funksionesh, Kuvendi njofton vetëm implikimin e tyre. Sipas projektligjit, kandidatët për deputetë, apo kandidatë për kryetarë komune, apo bashkie, i nënshtrohen verifikimit të figurës, vetëm pasi të jenë shpallur fitues, thuhet në relacionin shoqërues të këtij projektligji. Sipas këtij drafti, nuk mund të emërohet apo caktohet përfundimisht pa u verifikuar asnjë zyrtar i ri. Sipas projektligjit, verifikimi i pastërtisë së figurës kryhet nga një komision i përbërë nga 5 anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi.

Socialistët

Nisma e socialistëve përcakton se funksionarët publikë që do të verifikohen do të jenë Presidenti i Republikës, Kryeministri, deputetët, ministrat, zv.ministrat, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe të gjithë titullarët e organeve të tjera kushtetuese, ose të organeve kolegjiale, të përcaktuara si të tilla nga Kushtetuta. Verifikimi i zyrtarëve të lartë shtetërorë do të bëhet nga një komision shtetëror i përbërë nga 5 anëtarë, që do të zgjasë 6 muaj dhe do të varet e përgjigjet për punën e kryer para Kuvendit të Shqipërisë. Kryetari i Komisionit të Verifikimit propozohet të zgjidhet nga Presidenti, ndërsa katër anëtarët e tjerë të tij, të jenë propozime të dy kampeve pozitë-opozitë. Për verifikimin e funksionarëve të lartë të shtetit, sugjerohet që të përdoret i gjithë dokumentacioni shtetëror që ndodhet në Arshivat e Shërbimit Informativ të Shtetit, Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Gjithashtu, sipas kësaj nisme parashikohet që të merren parasysh dhe rezultatet e verifikimeve të kryera nga komisioni “Bezhani” në vitin 1995. Publikimi i emrave të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit do të bëhet në fund të punës së komisionit, ndërsa nuk do të bëhet publik asnjë nga ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, të cilët paraqiten vetë në komision dhe deklarojnë se do të japin dorëheqjen nga detyra apo funksioni që mbajnë aktualisht. Ndërkohë që drafti i demokristianëve kërkon të penalizojë të gjithë ata persona kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit dhe që duan të zgjidhen deputetë, apo kryetarë bashkie. Gjithashtu, ai nuk lejon që ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit dhe që aktualisht janë zyrtarë të lartë të shtetit, të vijojnë të mbajnë poste të larta drejtuese.

Projektligji i PD

Subjekt të verifikimit të përgjithshëm, sipas këtij ligji, janë të gjithë zyrtarët dhe funksionarët publikë, të zgjedhur apo të caktuar, të cilët më datë 11 dhjetor 1990 janë 18 vjeç e lart dhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji ushtrojnë, apo do të kryejnë një nga detyrat ose funksionet, apo janë në marrëdhënie pune në institucionet në vijim: deputetë, Presidenti i Republikës, të zgjedhurit nga Kuvendi dhe të dekretuarit nga Presidenti i Republikës si dhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, anëtarë të Këshillit të Ministrave, zëvendësministra, sekretarë të përgjithshëm të institucioneve qendrore në varësi të Kryeministrit, apo ministrit, funksionarë politikë, drejtorë të përgjithshëm dhe drejtorë të drejtorive të dikastereve, zyrtarë të lartë të Presidencës, administratës së Kuvendit, të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë, të SHISH-it, Guvernatorë, zëvendësguvernatorë dhe Drejtorët e Bankës së Shqipërisë, prefektë, kryetarët e Këshillave të Qarkut, si dhe kryetarët e Bashkive dhe Komunave, gjyqtarë dhe prokurorë pranë Gjykatave të Apelit, drejtuesit e përfaqësive diplomatike, si dhe drejtues të Policisë.

Pastërtia e figurës morale të zyrtarëve të mësipërm është e papajtueshme edhe për individët që kanë qenë anëtarë apo kandidatë të Byrosë Politike të Partisë së Punës, anëtarë qeverie, anëtarë të Këshillit Presidencial, Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, si dhe oficer madhor, përpara zgjedhjeve të 31 marsit 1991.

Projektligji i PS-së

Objekt i këtij ligji është hapja e Arshivave të Shërbimeve Sekrete Shqiptare, të para datës 31.12.1992, për të gjithë ata funksionarë të lartë shtetërorë, të parashikuar nga ky ligj, që vazhdojnë të mbajnë këtë funksion, deri në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit dhe ka për qëllim vetëm publikimin e tyre.

Funksionarët publikë që do të verifikohen janë: Presidenti i Republikës, Kryeministri, deputetët, ministrat, zv/ministrat, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe të gjithë titullarët e organeve të tjera kushtetuese ose të organeve kolegjiale, të përcaktuara si të tilla nga Kushtetuta.

Për kryerjen e procesit të verifikimit dhe të bërjes publike të emrave të funksionarëve të lartë që kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit, krijohet një komision shtetëror i përbërë prej 5 anëtarësh. Ky komision do të varet dhe do të përgjigjet për punën e kryer para Kuvendit të Shqipërisë, një anëtar, i cili do të jetë edhe Kryetari i këtij komisioni, emërohet nga Presidenti dhe katër anëtarët e tjerë emërohen nga Kuvendi i Shqipërisë, përkatësisht, 2 sipas propozimit të partive opozitare dhe 2 sipas propozimit të partive të pozitës.

Publikimi i emrave që gjenden bashkëpunëtorë bëhet në fund të procesit të verifikimit. Ndalohet publikimi i emrit të personit që gjendet ish-bashkëpunëtor, nëse ai/ajo paraqitet vetë para komisionit dhe deklaron se do të japë dorëheqjen nga funksioni që mban, përpara se të bëhet publikimi i emrave. Nëse tërheqja e deklaruar nuk ndodh, atëherë komisioni bën publik emrin.

Projektligji i PDK-së

Ish-spiunët do të kenë mundësinë të kandidojnë për deputetë dhe në njësitë e qeverisjes vendore.

Ish-spiunët dhe bashkëpunëtorët, ndalohen të zgjidhen në postet drejtuese të Shtetit Shqiptar.

Kontrollit do t’i nënshtrohen Presidenti, deputetët e Kuvendit, Kryeministri, nëpunës të nivelit të lartë dhe të mesëm.

Kontrollit do t’i nënshtrohen dhe gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha niveleve, zyrtarët që zgjidhen e emërohen nga Presidenti, Kryeministri, ministri dhe Kuvendi.

Për verifikimin e kontrollin e figurës së personit zyrtar ngrihet një komision i posaçëm pranë SHISH.

Ky komision do të përbëhet nga Inspektori i Përgjithshëm i Deklarimit të Pasurive.

Në përbërje do të jenë dhe katër anëtarë të emëruar nga Presidenti, me propozim të pozitës dhe opozitës, me një mandat 5-vjeçar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›