Topi: Prokuroria, korrekte me imunitetin e Mediut
“Të jeni të sigurt që nuk ka absolutisht asnjë lloj influence politike mbi këtë institucion”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi del në mbrojtje të kryeprokurores Ina Rama dhe shprehet i sigurt në paanshmërinë e veprimtarisë së saj. Duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit në lidhje me çështjen “Gërdeci” dhe kërkesën e Kryeprokurores drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu, kreu i shtetit ka deklaruar mbështetjen e tij të plotë për organin e akuzës, si dhe ka kërkuar njëkohësisht edhe nga klasa politike që të mos paragjykojnë punën hetimore. Presidenti Topi ka përfituar dje nga prezenca e tij publike në selinë e Kishës Ortodokse, ku ka uruar drejtuesit më të lartë të këtij komuniteti fetar për festën e Pashkëve, për të përcjellë njëkohësisht dhe një mesazh të qartë besimi tek institucioni i prokurorisë. I pyetur nga gazetarët pikërisht për kërkesën për heqjen e imunitetit të Mediut, numri një i shtetit ka bërë të ditur se, Prokuroria po bënë punën e saj edhe për çështjen e “Gërdecit”, duke kërkuar njëkohësisht nga politikanët që të jenë më të përmbajtur në gjykimin e procesit hetimor. “Mendoj që Prokuroria po bën një punë korrekte. Jemi mësuar gjithmonë që t’i trajtojmë gjërat politikisht edhe për institucione të cilat janë ligjore dhe kushtetuese, ku në radhë të parë nuk bëhet politikë, por punohet me profesionalizëm. Unë do të doja që të gjithë politikanët me radhë, që shtatëmbëdhjetë vjet i kemi dëgjuar duke u shprehur nga mëngjesi deri në mbrëmje për shtetin e së drejtës, shtetin ligjor, në momentin kur fillon të funksionojë ligji, të gjithë duhet ta përgëzojnë dhe të mos paragjykojnë”,- u shpreh Presidenti. Gjithashtu ai theksuar nevojën për të patur besim tek institucionet e shtetit, si e vetmja mënyrë për t’i dhënë mundësi atyre që të zbatojnë ligjin, larg ndikimeve politike. “Besoj që ky është momenti më i rëndësishëm që të kemi besim, sepse është i domosdoshëm rikthimi i besimit. Të kemi besim tek institucionet, s’duhet të paragjykojmë asgjë dhe të presim që gjërat, edhe në rastin konkret, të hetohen dhe të trajtohen me shumë profesionalizëm”,- tha kreu i shtetit. Për këtë kryetari i shtetit ka garantuar se institucioni i Prokurorisë për çështjen e Gërdecit po vepron me profesionalizëm dhe jashtë çdo lloj gjykimi politikë. “E rëndësishme është që sot, në prillin e vitit 2008, të jeni të sigurt që nuk ka absolutisht asnjë lloj influence politike mbi këtë institucion, asnjë lloj influence klienteliste. Dhe ky është momenti i rikthimit të besimit tek ky institucion, i cili për vite me radhë ka qenë mjaft i politizuar”,- u shpreh presidenti Bamir Topi. Reagimi i tij në favor të Kryeprokurores erdhi vetëm pak orë pas akuzave që Partia Republikane, me anë të kryetarit të grupit, Arian Madhi, bëri dje në drejtim të Ina Ramës, për hetim të njëanshëm dhe të paragjykuar të çështjes së “Gërdecit”. Vetëm dy ditë më parë, Kryeprokurorja bëri publike kërkesën e Prokurorisë drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të deputetit, ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për t’i hapur rrugë hetimit mbi përgjegjësitë e tij lidhur me tragjedinë e Gërdecit.