E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po më kthyet në Shqipëri, më vrasin

Autori i Lajmit: red.
Një shqiptar në Vareze të Italisë u është prezantuar autoriteteve me një dokument, certifikatë të lëshuar nga kryebashkiaku i Krujës, në të cilën thuhet se ai nuk mund të kthehet më në fshatin e tij të lindjes, pasi është viktimë e gjakmarrjes. Tani ai kërkon azil politik. "Bashkëqytetari ynë nuk mund të kthehet në shtëpi, pasi e pret vdekja". Nuk është një certifikatë mjekësore, por një kartë zyrtare e Bashkisë së Krujës. Me këtë dokument është paraqitur 24-vjeçari Luan K., të cilën ia ka lëshuar kryebashkiaku i Krujës. Djaloshi ishte arrestuar të shtunën nga karabinierët e Varezes, por kjo situatë po debatohet ende. Certifikata që ka prezantuar para gjykatëses Angela Minerva, është me të vërtetë e rrallë dhe i referohet fshatit të tij të lindjes. Praktikisht i riu thuhet se është viktimë e gjakmarrjes pra “kanunit”. Ai zyrtarisht është i ngujuar, siç tha dhe vetë në sallë, pasi një familje tjetër e akuzon se ai ka vrarë me pushkë një të afërmin e tyre më 1997. Prova kundër tij nuk ka pasur asnjëherë, por ai ia kishte mbathur së bashku me të vëllanë në Greqi dhe më pas në Itali. Tani këtu ndodhet së bashku me të vëllanë. Djaloshi kërkoi të legalizohej nga dekreti i fluksit, dhe kishte marrë një herë kartën e përjashtimit, herën e dytë kur ai u ndalua, të shtunën, u arrestua. Avokatët e tij thonë se 24-vjeçari nuk mund të kthehet në Shqipëri, pasi ai është i dënuar me vdekje. Për këtë i kanë kërkuar gjykatëses të bllokojnë procedurat për riatdhesim.
Ky lajm është publikuar: 11/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›