E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burg përjetë vrasësve të Behar Kastratit

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Një dënim me “burgim të përjetshëm” dhe 50 vite heqje lirie ka kërkuar prokuroria për tre të pandehurit Qamil Rexha, Abedin Rexha dhe Ibrahim Geca të akuzuar për “rrëmbimin dhe më pas vrasjen” e mjekut Behar Kastrati. Në seancën e pretencës, prokurori i dosjes ka paraqitur konkluzionet përfundimtare të gjykimit për të pandehurin. Në kërkesën e tij prokurori kërkoi “shpalljen fajtor të tre të pandehurve dhe dënimin e tyre përkatësisht “burgim të përjetshëm” për Qamil Rexhën dhe nga 25 vite burg për secilin nga dy të pandehurit e tjerë Abedin Rexha dhe Ibrahim Geca. Tre të pandehurit akuzohen se kanë rrëmbyer dhe më pas kanë vrarë mjekun Behar Kastrati, i cili ishte edhe kryetari i Partisë Demokratike në Has.
Pretenca
Tre të akuzuarit për rrëmbimin dhe më pas vrasjen e mjekut Behar Kastrati janë përballur dje me konkluzionet përfundimtare të hetimeve në ngarkim të tyre. Në seancën e zhvilluar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, prokurori i dosjes u kërkoi togave të zeza shpalljen fajtorë të tre të dyshuarve dhe dënimin e tyre. Kështu akuza kërkoi dënimin e burgim përjetë për Qamil Rexhën, 25 vjet burg për vëllanë e tij, Abedin Rexha dhe 25 vjet burg për të penduarin e drejtësisë, Ibrahim Geci. Pasi është njohur me konkluzionet e akuzës, togat e zeza kanë shtyrë shqyrtimin gjyqësor për një datë tjetër ku do të njihen me pretendimet e mbrojtjes.
Dëshmia për vëllezërit Rexha
Prokuroria e Krimeve të Rënda akuzon të pandehurit Qamil e Abedin Rexha si dhe Ibrahim Gecin për vrasjen e Behar Kastratit. Mbi ta është ngritur edhe akuza e rrëmbimit dhe e mbajtjes peng të personit, me pasojë vdekjen, në bashkëpunim. Sipas akuzës, motivi i vrasjes ka të bëjë me vdekjen e vëllait të Qamil e Abedin Rexhës, Gani Rexhës, në vitin 1995. Ky i fundit ka vdekur si pasojë e infarktit në spitalin civil të Krumës. Si shkaktar për këtë vdekje, vëllezërit Rexha kanë bërë mjekun Behar Kastrati, i cili natën e vdekjes së Gani Rexhës ka qenë mjek roje, por nuk ka qenë në detyrë. Gjithmonë sipas prokurorisë, me idenë e hakmarrjes, vëllezërit Qamil e Abedin Rexha kanë organizuar gjithë ngjarjen e datës 7 korrik të vitit 2005, ku kanë rrëmbyer dhe më pas mbytur në ujërat e liqenit, në afërsi të fshatit Kolsh, trupin e Kastratit, i cili u gjet 40 ditë pas rrëmbimit, i lidhur me tel me gjemba në një shtyllë betoni. Procesi i gjatë gjyqësor ndodhet tashmë në një pikë delikate, ku i penduari Ibrahim Geci ka tërhequr mbrapsht gjithçka kishte thënë kundër Rexhajve, por gjykata nuk e ka pranuar si provë dëshminë e tij të re.
Olldashi, dëshmitar në gjyqin për vrasje
Pak muaj më parë, Qamil dhe Abedin Rexhaj pohuan në sallën e gjyqit se mbrëmjen e rrëmbimit të Behar Kastratit kanë qenë në shoqërinë e Sokol Olldashit, i cili po festonte në Shijak fitoren si deputet i Partisë Demokratike. Kjo alibi e vëllezërve Rexhaj u hodh poshtë nga dëshmitari Olldashi, i cili pohoi në sallën e gjyqit se nuk ka takuar natën e ngjarjes dy vëllezërit.
Ky lajm është publikuar: 11/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›