E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inspektorati Ndërtimor i Burrelit shemb ndërtesën e TV Matit



MAT – Fadromat e Inspektoratit Ndërtimor të Bashkisë së Burrelit kanë shembur një pjesë të godinës së televizionit vendor TV Mati, gjë që ka sjellë reagimin e pronarëve, të cilët e kanë cilësuar veprimin një akt antiligjor. Përmes një letre të hapur drejtuar Presidentit, Kryeministrit, Kryetares së Kuvendit, Avokatit të Popullit dhe komunitetit të medias, sipërmarrësi Luftim Vani thotë: “Objekti 3-katësh i Mat TV është i ligjshëm dhe i regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”. Vani deklaron se “për këtë arsye, dhunimi i këtij institucioni është i paligjshëm. Kjo masë antiligjore është ndërmarrë nga kryebashkiaku me qëllimin e vetëm që të na mbyllë gojën ndaj qëndrimeve tona kritike dhe publike përkundrejt abuzimeve të evidentuara në Bashkinë e Burrelit, tashmë të bëra publike dhe në ndjekje nga organet e prokurorisë”, - thuhet në deklaratën e bërë publike dje. Madje, në të përmenden të gjitha aferat e denoncuara nga kjo media lokale si: “abuzimet me fondet publike nga bashkia; ndërtimet e paligjshme që mbrohen nga kryebashkiaku Lleshi; proceset penale në ngarkim të tij; tenderat e Bashkisë që merren nga kushërinjtë e kryebashkiakut; objektet e paligjshme që kanë pushtuar oborret e shkollave dhe hapësirat publike apo veprimet abuzive, paaftësia dhe korrupsioni që ka mbërthyer administratën e bashkisë”.
Prishja e një pjese të godinës së Mati TV ndodhi dje pasdite gjatë një aksioni të Inspektoratit Ndërtimor të Bashkisë, ku morën pjesë 30 forca policore të rendit dhe bashkiake. Drejtori i Mat TV, Luftim Vani, thotë se është i gatshëm për ballafaqim ligjor dhe mediatik me kryebashkiakun Lleshi edhe për aferat që i janë denoncuar publikisht atij.

Kthehen klandestinët e mbetur në mes të dëborës në Greqi

KAPSHTICË- Mbrëmë janë rikthyer në tokën shqiptare klandestinët që rezultuan të humbur pasditen e së dielës në tentativë për të kaluar ilegalisht kufirin me Greqinë. Policia ka bërë të ditur identitetin e klandestinëve, të cilët kanë rrezikuar jetën e tyre në zonën e Devollit. Ata kanë tentuar të kalojnë ilegalisht në territorin e shtetit fqinjë, teksa po binte dëborë dhe kur temperaturat ishin të ulëta. Klandestinët u lokalizuan nga policia greke rreth orës 17:00 të dy ditëve më parë, ndërkohë që familjarët e tyre kishin dhënë alarmin SOS në media. Policia greke ka bërë të ditur se dy prej këtyre shtetasve rezultojnë të padëshiruar në shtetin helen, ndërkohë që të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk ka pasur probleme për asnjërin prej tyre. Parmbrëmë ata u janë dorëzuar autoriteteve kufitare shqiptare.

Akulli vështirëson qarkullimin në rrugët e Pukës

PUKË - Edhe pse reshjet e dëborës kanë pushuar prej ditësh, në veri të vendit vazhdojnë vështirësitë. Problem shqetësues për banorët mbeten rrugët me akull nëpër qytet. Shtresat e trasha të akullit që janë ngjeshur mbi rrugët e qytetit të Pukës janë kthyer në një rrezik të vërtetë për qytetarët, ndërsa askush nuk po merr masa për përmirësimin e kësaj gjendjeje, derivat i reshjeve të rëna. Mbi to nuk është hedhur asnjë sasi kripe dhe skorje, si pasojë gjendja po rëndohet çdo ditë e më tepër pasi temperaturat disa gradë nën zero stimulojnë ngricat që janë kthyer në vështirësi serioze për qytetarët. E njëjta ankesë vjen edhe nga drejtuesit e automjeteve, të cilët e kanë të vështirë qarkullimin jo me pak probleme në rrugët e qytetit. Gati e njëjta situatë problematike paraqitet edhe në qytetin e Fushë-Arrëzit si rezultat i indiferencës së treguar nga pushteti vendor.

I merr çantën me para 24-vjeçares, prangoset i mituri

DURRËS – Pa kaluar as një javë dhe një tjetër grabitje me dhunë ka ndodhur në Durrës, pas ngjarjes së ndodhur në Rrashbull, ku u plagosën tre anëtarë të një familjeje. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se rreth orës 23.30 të ditës së diel është bërë arrestimi i shtetasit S. D., 15 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Lagjen Nr. 13 në zonën e Plazhit. Prangosja e tij është bërë pasi në të njëjtën ditë, në fshatin Shkallnur, i mituri i ka vjedhur me dhunë shtetases T. Dervishi, 24 vjeçe, banuese në Golem, çantën e dorës ku kishte 20. 000 lekë. Pas marrjes së denoncimit të shtetases së lartpërmendur, policia bëri të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit. Ai është ndaluar dhe më pas ndaj 15-vjeçarit kanë nisur hetimet në gjendje të lirë për shkak të moshës.
Katër ditë më parë, disa persona me maska grabitën familjen Berberi në Rrashbull të Durrësit, duke plagosur tre personat që ndodheshin brenda në shtëpi.

13 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›