E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po njerëzit, zotërinj?

Dr. Romeo Hanxhari 

Përpara pak muajsh një miku im vdiq. Kancer në tru. Një tjetër i njohur më thanë se paskësh vdekur tani nga kanceri në pankreas. Shifrat thonë se numri i shqiptarëve të sëmurë me kancer u shtokërka 30% çdo vit. Në përgjithësi jeta e gjithsecilit prej nesh mesatarisht u shkurtokërka me nga 2 vjet… Dhe ky, kanceri, që ta dimë njëherë e mirë, tashmë konsiderohet si një "sëmundje mjedisore" nga shkenca, një sëmundje pra që vjen ngaqë ne thithim grimca shumë të
imta, edhe nga ato që digjen nga karburantet, midis të ...tjerash oksidet e squfurit, të azotit, apo të karbonit.
Tani, pse më erdhën ndërmend këto? Pse po i them? Sepse, sado makabre të duket, …unë po mundohem t'u llogaris koston atyre vdekjeve që kanë ndodhur, të atyre që mund të ndodhin, e të viteve të pajetuara nga secili prej nesh. Po, koston. Nuk e di se si do ia dal, me çfarë metode, me çfarë pjesëtimesh, shumëzimesh, a koeficientesh do e llogaris, por duhet llogaritur patjetër. Në lekë, në euro, në dollarë, në përqindje të GDP-së, në rubla, në jen, në dreq... Meqenëse këto qenkërkan vlerat e politikanëve pra. Ndaj duhet të llogaris se sa parà i kanë kushtuar sistemit shëndetësor ata të sëmurë, sa i ka kushtuar shoqërisë kontributi që ata nuk mundën t'ia japin të plotë, më tej se sa ndjenjë u kanë kushtuar familjarëve të tyre, sa i mungojnë ata shoqërisë, sa… Shumë gjëra duhet të llogaris, por më duhet ta bëj patjetër. E dini pse duhet ta bëj patjetër? Që t'ua nis sa më shpejt pikërisht atyre politikanëve tanë aq humanë që kaq shumë po kundërshtojnë heqjen e Diezelit D2 nga qarkullimi.
Tani pra, tani që më në fund dikush u kujtua dhe po vepron që t'i japë fund një turpi për mjedisin tonë urban, një turpi për gjithë ambientalistët shqiptarë që në kaq shumë vite nuk kanë arritur të bindin politikën, pikërisht tani del po ajo, e njëjta politikë, dhe mbron ndotësit, pra tregtuesit e naftës D2. Sikur ajo politikë të thoshte "të ndalohet për të gjithë" do ish gjysma e së keqes, por ajo thotë "të mos ndalohet për asnjë" tregtimi i D2. A është kjo përgjegjshmëri? Le t'i përgjigjet secili po të ketë dyshime. Unë shoh me çudi se si këtyre politikanëve nuk u intereson fakti që përdorimi i naftës D2 reduktohet me 70% për vitin 2009, dhe me 100% për gjithë vitet e tjera, por duan që ajo të përdoret 100% edhe për këtë vit, pastaj për gjithë vitet e tjera …kismet, mund ta shtyjnë prapë. Dhe them se duhet bërë tani, jo më vonë, madje se edhe tani jemi vonë. Sepse, të nderuar, ndalimi i përdorimit të naftës D2 në Shqipëri do të duhej të kishte qenë një emergjencë vite më parë. Është diskutuar që në pranverë të 2005 për këtë, por edhe atëherë ata që fituan ishin po ata: grosistët e karburanteve. Dhe humbi publiku, ambientalistët, qytetet tona, fëmijët tanë. Pikërisht këto ditë po i hidhja një sy një shkrimit tim që s'arrita ta botoj në atë kohë. E njëjta situatë, i njëjti sensibilitet në publik, dhe i njëjti justifikim nga politika. U mbors mali atëherë …e polli një mi: fundi ishte "nuk na lejon Organizata Botërore e Tregtisë që të ndalojmë importin e D2-shit". Dhe u la siç ishte (grosistët paguajnë mirë në këto raste, ndoshta ashtu siç bëjnë edhe tani për të mbrojtur importin e D2-shit). Mangësi e pastër e një vullneti për të ndryshuar gjërat. Kështu që edhe atëherë, ata që i paguajnë pasojat janë qytetarët shqiptarë, të cilëve u duhet të hanë më shumë squfur se çdo qytetar tjetër evropian, u duhet të vuajnë më shumë se çdo qytetar tjetër evropian. …Sepse në fund të fundit, për politikanët tanë ajo që ka rëndësi është ajo që thamë: konkurrenca, GDP-ja, tregu e me radhë, por shëndeti  i njerëzve me sa duket jo. Pra të nderuar, nëse ndalimi i importit apo i përdorimit të D2-shit nuk u bë në pranverë të 2005-ës, pse mos të bëhet tani?! Edhe tani edhe jemi vonë, sepse standardet e karburanteve në BE kanë ecur edhe më shumë. Megjithëse edhe tani jemi vonë, unë do t'i propozoja qeverisë së djathtë që të ishin edhe më radikalë. Nëse duan të jenë edhe më të përgjegjshëm për mjedisin dhe shëndetin e njerëzve, le të shkojnë më tej. Le ta mbrojnë prodhimin vendas gjatë 2009-ës nëse duhet, por ama le të ndalojnë tregtimin e naftës D2 në të gjitha pikat e pakicës në zonën Tiranë-Durrës, zonë ku demonstrohen edhe të dhënat më problematike të ajrit urban në nivel vendi. Le të tregtohet në të gjitha zonat e tjera të vendit, atje ku pra për shkak të mospërqendrimit të popullsisë e të aktiviteteve ekonomike, kapaciteti mbajtës i mjedisit ka ende rezervë. Unë nuk kam probleme t'ua them në sy të dy anëve të politikës: e majta duhet ta kish ndërmarrë këtë hap që në 2005-ën kur e hodhi si opsion, dhe të paktën të mos e kundërshtojë tani, ndërsa e djathta është disi vonë, por le të tregojë të paktën ajo vendosmëri për të zbatuar vendimin që ka marrë si dhe disponibilitet për të zgjidhur pikëpyetjet.
Tani, duke mbajtur një sy nga debati absurd që po vazhdon, më duhet të mbaroj llogaritjen në parà të jetës sonë, të jetëve që s'janë më e të atyre të shkurtuara nga dritëshkurtësia e një politike që nuk do t'ia dijë për to. Më duhet t'ua nis politikanëve, me urimin që nuk do të dëgjoj më makabritete mjedisore të tipit "rroftë pluhuri i rrugëve që ndërtohen", me urimin që të konsiderojnë edhe jetët e njerëzve në atë GDP-në a konkurrencën e tyre të mallkuar… Nëse do munden.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›