E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transferimi i Hykës te Mainci përfundon në FIFA

 

Jahmir Hyka “fut në sherr” klubin e Maincit dhe atë të Olimpikut të Tiranës. Drejtuesit e klubit shqiptar nuk kanë marrë paratë që u takojnë për pronësinë e kartonit të mesfushorit shqiptar pas transferimit të lojtarit dhe për këtë arsye u janë drejtuar organeve juridike të FSHF-së, që u kanë dhënë të drejtë. Mirëpo, duke qenë se nuk ka pasur asnjë reagim nga drejtuesit e klubit gjerman apo nga menaxheri i lojtarit, Olimpiku e ka çuar çështjen në FIFA. Presidenti i Olimpikut, Kujtim Beqiri deklaroi për “Panorama Sport” se nuk ka marrë ende paratë për shitjen e kartonit të lojtarit dhe për këtë arsye i është drejtuar organeve juridike. “Unë e kam firmosur kontratën me mirëbesim, por ende nuk i kam marrë paratë që më takojnë për shitjen e kartonit, që ka qenë në pronësi të klubit të Olimpikut”. Ndërsa, sipas medias gjermane, klubi nga Tirana ka kërkuar rreth 250 mijë euro nga shitja e Jahmir Hykës, madje sipas të përditshmes “Kigges”, drejtuesit e Maincit janë njoftuar se çështja ka shkuar në FIFA. Menaxheri i përgjithshëm i klubit gjerman, Kristian Heidel, ka deklaruar se nuk ka asnjë detyrim ndaj klubit të mëparshëm. “Ne kemi bërë një kontratë shumë të rregullt me lojtarin dhe u jemi përmbajtur me përpikmëri pikave të saj, duke qenë korrektë me të gjitha palët, – ka thënë Heidel. – Ish-klubi i mëparshëm nuk ka më asnjë të drejtë mbi lojtarin dhe pasi jam konsultuar edhe me juristë, mund të them me bindje se nuk i detyrohemi askujt për Hykën”. Jahmir Hyka u transferua te skuadra e Bundesligës 2 gjatë merkatos së verës, për një shumë prej afro 3.5 milionë euro. Mesfushori ka nënshkruar një kontratë katërvjeçare me skuadrën gjermane dhe padyshim që ishte lëvizja më e bujshme verën e kaluar në radhët e lojtarëve shqiptarë. Hyka ka dalë nga ekipet zinxhirë të Dinamos dhe më pas ka luajtur me të rinjtë e Rozenborgut e të Olimpiakosit. 22-vjeçari ka luajtur një sezon edhe me skuadrën e Tiranës dhe më pas u transferua te Mainci. I pyetur se si do të veprojë në lidhje me këtë çështje, Kujtim Beqiri ka deklaruar: “Ose do të marr paratë që më takojnë, ose do të marr Hykën që të luajë me Olimpikun në Kategorinë e Dytë”.

Kenedi: Kapllani ma mori vendin me zotësi
Edmond Kapllani shënoi dy herë në fitoren 3-1 të Karlsruhes në miqësoren kundër Fortunës së Dyseldorfit (skuadrës së Bekim Kastratit), edhe pse luajti vetëm 45 minutat e dyta. Performancën e shkëlqyer të sulmuesit shqiptar e ka pranuar edhe rivali i tij më i madh te Karlsruhe, australiani Xhoshua Kenedi. Duke iu përgjigjur gazetës popullore gjermane “Bild”, në lidhje me aktivizimin si titullar të Kapllanit në katër ndeshjet e fundit të fazës së parë të Bundesligës, Kenedi tha: “Kapllani e fitoi me zotësi shansin e tij, trajneri (Beker) nuk ka qenë aspak i kënaqur me lojën time”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›