E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet, PS: Do ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese

 

Aristir Lumezi

Partia Socialiste do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për ligjin e "Dosjeve". Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, i pyetur nga mediat për qëndrimin e PS ndaj ligjit për "Pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë" tha se do ta dërgojnë atë në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkaq Ambasada Amerikane reagoi dje pas hyrjes në fuqi të ligjit të Dosjeve, duke thënë se "po ndjekim procesin". I pyetur për këtë ligj, zëdhënësi i Ambasadës Amerikane deklaroi dje për Top Channel se ligji Lustracionit është pjesë e procesit legjislativ shqiptar. "Ne jemi duke ndjekur nga afër këtë çështje dhe nuk kemi koment tjetër në këtë kohë", tha zëdhënësi. Në një prononcim për mediat, Braçe u shpreh se qëllimi i maxhorancës për miratimin e këtij ligji ishte cenimi i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë dhe i çështjeve që ajo po heton. "Pa dyshim, që do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese. Sa për procesin hetimor, po ju them, se armiku kryesor për të zbardhur dhe shkuar deri në fund krimit apo vrasjes shtetërore të Gërdecit, është Sali Berisha. Do të ndikoj apo jo dorëheqja, këtë nuk mund t'ua them dot sot, sepse nuk jam në brendësi të hetimeve. Por, do të doja t'ju them se deri ditën e fundit kur përpara drejtësisë të shkojnë këta njerëz, nuk do të ketë absolutisht asnjë tërheqje nga kërkesa për drejtësi", tha Braçe. Ligji për "Pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë" hyri në fuqi dy ditë më parë sipas Kushtetutës, edhe pse Presidenti i Republikës nuk u shpreh për të, duke e pranuar në heshtje ligjin e miratuar me votat e maxhorancës parlamentare. I pari që u largua menjëherë me hyrjen në fuqi të tij, ishte Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Zamir Shtylla i cili dha dorëheqjen nga detyra. Shtylla është pjesë e grupit të prokurorëve që po hetojnë tragjedinë e Gërdecit. Nisur dhe nga ky fakt, Partia Socialiste akuzoi dje kryeministrin shqiptar, liderin e partisë në pushtet, Sali Berisha, se po bllokon hetimet mbi "vrasjen masive" të ndodhur 10 muaj më parë në Gërdec të Vorës, pak km larg Tiranës. Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe tha se Berisha dhe qeveria e tij jo vetëm nuk kërkuan falje për 26 viktimat por në këto 300 ditë kanë bërë të gjitha përpjekjet për moszbardhjen e së vërtetës. "Qeveria shkeli ligjet duke shkaktuar vdekjen e 26 personave. Kryeministri ende nuk ka bërë një analizë të krimit që ndodhi" - tha Braçe. Sipas tij "Gërdeci nuk është një aksident teknologjik, por një vrasje shtetërore me vendim qeverie dhe ligj të kuvendit, të firmosur nga Sali Berisha e Jozefina Topalli". Nënkryetari i grupit të deputetëve socialistë kërkoi zbardhjen e plotë të kësaj tragjedie bashkë me personat përgjegjës.

Berisha neutral me Topin: Presidenti iu përmbajt Kushtetutës

"Presidenti Topi zgjodhi një nga alternativat kushtetuese". Kryeministri Sali Berisha e ka komentuar heshtjen e Presidentit për ligjin e pastrimit të figurës si një nga alternativat kushtetuese. "Presidenti kishte të drejtë kushtetuese që edhe të mos shprehej", u shpreh Berisha gjatë vizitës së tij në Universitetin "Aleksandër Xhuvani" në qytetin e Elbasanit. Kreu i ekzekutivit tha për gazetarët se Presidenti kishte të drejtë të mos shprehej, duke zgjedhur heshtjen si rrugë të mesme ai i dha fuqi ligjit për pastërtinë e figurës. Sipas kryeministrit, "Topi kishte në dispozicion tre alternativa për këtë çështje, dekretimin, kundërshtimin ose heshtjen dhe presidenti nuk bëri gjë tjetër veçse zgjodhi njërën nga të treja". Duke folur për hyrjen në fuqi të ligjit të lustracionit, kreu i qeverisë tha se është një proces i natyrshëm, nga i cili do të ketë edhe të prekur, ndërkohë që theksoi se rinia e sotme është me fat që nuk e përjetoji diktaturën. "Ligji parashikon çdo të drejtë për cilindo që gjendet në konflikt për lustracionin", u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë nuk ka përmendur emrin e Zamir Shtyllës, po tha se "dosjet e rëndësishme mund t'i shqyrtojnë 760 prokurorë dhe gjykatës të tjerë, të cilët nuk kanë lidhje me të shkuarën dhe nuk i kanë duart e përlyera me gjak". Ligji i Dosjeve hyri në fuqi një ditë më parë, pa firmën e Presidentit Topi, i cili zgjodhi rrugën e mesme, duke mos e kthyer sërish në Kuvend për rishikim, por edhe duke mos e firmosur atë.

“Opozita
konsensus për reformat”

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në një intervistë për median ka ftuar opozitën të vazhdojë të japë konsensusin për ligjet e tjera që kanë të bëjnë me reformën në sistemin e drejtësisë. Për "Vizion Plus", Topalli i kërkoi partive politike që të mos përfshijnë tensionin në rritje në jetën parlamentare, që vjen si rrjedhojë e afrimit të zgjedhjeve parlamentare, por të japin kontributin e tyre për projektligjin tjetër "Gjykata administrative", e kontestuar së fundmi nga KLD-ja. "Ne po shkojmë drejt fushatës elektorale, por kjo nuk do të thotë që të mos vazhdojmë reformat e mëtejshme, duke mbajt shpirtin e  pionierëve. Reformat e realizuara gjatë këtyre katër viteve e kanë afruar së tepërmi Shqipërinë me NATO-n dhe BE-në", deklaroi Topalli.

Ngjela: Topi veproi drejt

Deputeti Spartak Ngjela e ka cilësuar të drejtë qëndrimin e mbajtur nga Presidenti Topi në lidhje me ligjin e "Dosjeve". "Presidenti nuk mund ta firmoste atë. Të paktën nuk mund të firmoste, sepse kishte shkelje Kushtetute dhe ai mban përgjegjësi për shkeljen e Kushtetutës. Do të thuash ti 'Po ata që e kanë votuar mbajnë apo s'mbajnë?'. Është problem tjetër. Ata nuk kanë mbrojtje të kreut të shtetit. Nuk kanë mbrojtje aq të madhe sa ka kryetari i shtetit dhe përgjegjësi aq të madhe sa kryetari i shtetit. Ky është presidenti në një republike parlamentare demokratike", tha Ngjela për "Alsat".

Rama: Berisha e Meta iu kthyen shpinën qytetarëve

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, kërkoi dje nga anëtarët e Këshillit Bashkiak votimin e buxhetit për vitin 2009, pasi sipas tij "ata përfaqësojnë interesat e qytetarëve dhe jo ambiciet dhe dëshirat e politikës. "I bëj thirrje këshilltarëve të të gjitha krahëve ta votojnë këtë buxhet në të mirë të Tiranës, të ngrohjes së shkollave dhe kopshteve për shtimin e parqeve të gjelbëruara, për të mirën e njerëzve të saj", tha Rama. Për herë të parë, që pas rrëzimit të projektbuxhetit 2009, në një konferencë për shtyp, kreu i bashkisë, theksoi se buxheti është detajuar dhe është hartuar në bashkëpunim me qytetarët e Tiranës dhe ekspertët; ka marrë muaj të tëra punë dhe dëgjesa publike. Duke folur për rrëzimin e buxhetit në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, kryebashkiaku i Tiranës, theksoi se çdo gjë erdhi nga mungesa e dëshirës së kundërshtarëve për të zgjidhur problemet e njerëzve. "Buxheti është i qytetarëve dhe jo i politikës, i nevojës së qytetarëve dhe jo ambicieve, ndaj duhet votuar pavarësisht nga politika e ditës", u shpreh Rama. Me një gjuhë të ashpër kundër anëtarëve të PD dhe LSI në Këshillin Bashkiak, Rama akuzoi të dyja këto forca politike, PD dhe LSI se lanë kryeqytetin pa paratë që akordohen çdo vit për punët në shërbim të komunitetit. "Kjo javë filloi shumë trishtueshëm në Tiranë. Sali Berisha dhe Ilir Meta u kthyen kurrizin qytetarëve të Tiranës, duke lënë kryeqytetin pa buxhet për herë të parë në historinë e tij. Ata bashkuan mllefin dhe gjuhën e tyre për të hedhur poshtë këtë buxhet", u shpreh ai. Duke mbrojtur dokumentin e hartuar nga Bashkia e Tiranës për buxhetin e vitit 2009, Rama shtoi se rrëzimi i buxhetit nuk u bë për të ashtuquajturat defekte, por për defektet politike.

LSI i përgjigjet Ramës: Duam buxhet të detajuar

Nënkryetarja e LSI-së Erisa Xhixho, njëkohësisht dhe anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës, i është përgjigjur akuzave të nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Eduart Shalësi. Ajo u shpreh se vota kundër e LSI-së për buxhetin 2009 nuk ishte aspak politike dhe e ka argumentuar atë. "Nënkryetari i Bashkisë deklaroi se projekti i ngrohjes së shkollave të Tiranës, dhe konkretisht "Petro Nini Luarasi", apo dhe të tjerë gjimnaze të kryeqytetit, por edhe shkolla 9-vjeçare, kopshte apo çerdhe, na qenkan bllokuar si pasojë e mosmiratimit të p/buxhetit të këtij viti. Unë dua të theksoj se e vërteta është krejt ndryshe. Në buxhetin e 2008, për të cilën kam dhënë votën pro edhe unë, në programin e investimeve të sistemit arsimor, ishte parashikuar rikonstruksioni i dy kopshteve dhe rikonstruksioni i 12 shkollave, ndërtimi i 5 shkollave të reja me prioritet përmirësimin e sistemit të ngrohjes dhe vendosja e sistemit të ngrohjes në 9 çerdhe. Në fakt sot e kësaj dite, akoma gjimnazistët e "Petro Ninit", të "Qemal Stafës", apo nxënësit e shkollës 9-vjeçare "Edit Dur'ham" dhe të tjera shkollave në Tiranë, nuk kanë të instaluar sistemin e ngrohjes, duke bërë mësim në kushte të vështira dhe pa ngrohje në këto ditë të ftohta", u shpreh Xhixho. Sipas saj, "LSI do miratojë një buxhet që përcakton qartë destinacionin e çdo qindarke".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›