Topi shmang debatet, firmos ligjin e Prokurorisë
BLEDAR HOTI
Presidenti Bamir Topi shprehet pro kalimit të ligjit të Prokurorisë, si dhe të disa ligjeve të miratuar me konsensusin PS-PD. Edhe pse projektligji u kontestua ashpër nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme dhe drejtuesja e saj, kreu i shtetit ka pranuar të dekretojë ligjin që u miratua me 116 vota pro në Kuvend në seancën e 29 dhjetorit 2008. Të katër dekretet e kreut të shtetit përfshijnë ligje të rëndësishme, për të cilat PS dhe PD pranuan t'i kalojnë në këmbim të ndryshimeve të kërkuara për Kodin e ri Zgjedhor. "Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar; "Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar dhe "Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar janë tre ligjet e tjera që Presidenti ka pranuar t'i dekretojë. Këto tre ligje të tjera u miratuan në seancën parlamentare të 29 dhjetor me 118 vota pro. Ndryshe nga qëndrimi për ligjin e "Dosjeve", Presidenti ka dhënë pëlqimin e tij për ligjin "Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë". Ky ligj u kontestua nga ana e Kryeprokurores Ina Rama, ku përplasja më e madhe me qeverinë ka qenë e drejta e paraqitjes në Kuvend nga ana e Ministrisë së Drejtësisë të raport-inspektimit të organit të akuzës. Ky qëndrim shkaktoi përplasje ndërmjet Kryeprokurores Rama dhe ministrit të Drejtësisë, Alibeaj. Ndërsa nga ky debat nuk u përfshinë deputetët e opozitës. Socialistët pranuan një variant të tillë, duke theksuar se pro saj janë shprehur edhe organizmat ndërkombëtare si Euralius dhe OPDAT, të cilat asistojnë në procesin e reformës në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Por Kryeprokurorja Rama ka insistuar se një nen i tillë sjell cenim të pavarësisë së institucioneve, si dhe ndërhyrje të drejtpërdrejt të Ekzekutivit. E vetmja kërkesë që Kuvendi pranoi nga grupet e interesit për këtë ligj, ishte që nëse Gjykata jep vendimin në favor të prokurorit të shkarkuar, ai mund të kthehet në punë. Në variantin e parë lejohej që prokurori mund të merrte si dëmshpërblim deri në dy vite page, por jo të kishte të drejtën për t'u rikthyer në pozicionin e mëparshëm të punës. Në bazë të ligjit të ri, Kryeprokurorja Ina Rama përpara se të marrë vendim apo pranim pune në prokurorëve të rinj, duhet të konsultohet me këshillin e "Të Urtëve", që funksionon pranë institucionit të saj. Me ligjin e ri, në raportimin vjetor të institucioneve, Prokurorisë së Përgjithshme i duhet të ballafaqohet tashmë me raportin e Ministrisë së Drejtësisë mbi punën e kryer.
Dekretet
"Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë"
"Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë"
"Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë"
"Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë"
Kryeprokurorja, gati firma për dorëheqjen e kreut të "Gërdecit"
TIRANE - Kryeprokurorja Ina Rama nuk ka marrë dje një vendim lidhur me dorëheqjen e prokurorit Zamir Shtylla nga detyra e përgjegjësit të grupit hetimor të tragjedisë së Gërdecit dhe Drejtorit të Kontrollit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale. Edhe pse letra e dorëheqjes ndodhet prej dy ditësh në zyrën e Prokurores së Përgjithshme, kjo e fundit ka vendosur ta shqyrtojë atë me ftohtësi dhe më pas të marrë një vendim për këtë çështje. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme, konfirmuan dje në mbrëmje se kryeprokurorja Ina Rama nuk kishte marrë ende një vendim lidhur me dorëheqjen e prokurorit Zamir Shtylla, por ishte duke e shqyrtuar atë. Mësohet se zyra e kryeprokurores është duke shqyrtuar bazueshmërinë në ligj të dorëheqjes dhe motivacionit të saj, ndërsa sipas burimeve zyrtare mësohet se Ina Rama mund ta miratojë dorëheqjen, pavarësisht kohës kur mund të ndodhë kjo. Tri ditë më parë, vetëm pak minuta pasi ligji për hapjen e dosjeve hyri në fuqi, Zamir Shtylla paraqiti dorëheqjen nga detyra e përgjegjësit të hetimeve për tragjedinë e Gërdecit dhe kreut të Drejtorisë së Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme. Zyrtari i Prokurorisë së Përgjithshme, i cili publikisht gjatë muajve të fundit është akuzuar si "xhelat" nga kryeministri Berisha, e argumentoi dorëheqjen e tij si pasojë të presioneve politike me të cilat ai është përballur kohët e fundit gjatë ushtrimit të detyrës. Zamir Shtylla, sipas artikulimit të dorëheqjes mbetet prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme edhe në rast se gjesti i tij miratohet nga Ina Rama. tr.so