E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, tabela me çmimet e reja për kompensimet

 

Miratohen çmimet e reja të trojeve për të gjithë vendimin. Vendimi i qeverisë, që ka hyrë në fuqi para dy ditsh me botimin në fletoren zyrtare, përmban tabelat me vlerësimin e sipërfaqeve të tokës për të gjitha prefekturat. Gazeta boton sot të plotë të gjithë vlerat, të cilat janë dukshëm më të ulëta se një vit më parë. Çmimi më i ulët i vlerësimit të tokës është në fshatrat e Tepelenës. Në Bënçë, ku gjendet edhe burgu, sipas qeverisë një metër katrorë kushton 150 lekë. Ndërsa vlera më e madhe është ajo e kryeqytetit, ku në zonën e ish-bllokut një metër katrorë është vlerësuar me 180 mijë lekë. Vendimi i djeshëm i qeverisë do të përdoret për kompensimin në para të ish-pronarëve. Nga ana tjetër, ky vendim do të shërbejë edhe për llogaritjen e regjistrimit të shitblerjes së tokës nga hipoteka. Kështu asnjë pronar nuk mund të shesë më pak se çmimi i përcaktuar nga qeveria pronën e tij. Ky çmim do të përdoret edhe për kompensimin e pronës në rast të ndërtimit të veprave publike. Vendimi përmban çmimet e ndara sipas zonave për prefekturën e Tiranës, Vlorës, Durrësit, Shkodrës, Fierit, Elbasanit, Lezhës, Kukësit, Korçës, Dibrës, Gjirokastrës dhe Beratit. Çmimet e reja janë propozuar dhe sjellë në qeveri nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike. Sipas të dhënave të fundit, në Agjencinë e Kompensimit të Pronave janë aktualisht rreth 700 kërkesa. Por me uljen e çmimeve sigurisht që numri i përfituesve do të jetë më i madh nga fondi 5 milionë euro. Kjo, sepse ish-pronarët do të përfitojnë më pak para.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›