“Brian Filipi si Vuçiniçi i Romës”
Mesfushori Brian Filipi është emri më i lakuar shqiptar në merkaton dimërore italiane. Talenti 19-vjeçar, në bashkëpronësi të Palermos (Seria A) dhe Ravenës (Seria C1), ishte në epiqëndët të një prej faqeve më të rëndësishme sportive në Itali, “Mediagol.it”. Në fakt, për të foli posaçërisht, drejtori sportiv i Ravënës, Xhorxho Bufone. “Filipi nuk është thjesht një mesfushor. Mund të luajë edhe si sulmues i parë apo i dytë, ose si anësor ofensiv”, - citohet Bufone nga mediagol.it. “Ka cilësi të mëdha teknike dhe shkathtësi. Është një lojtar i Kombëtares U-21 të Shqipërisë dhe që ka shënuar (me Ravenën) 8 gola, 2 në kampionat dhe 6 në Kupën e Italisë. E vetmja gjë që duhet të përmirësojë është vazhdimësia në rendiment, pasi në nivelin e cilësive teknike e fizike, është tashmë në nivel të lartë”. Bufone jep edhe një shembull për sajtin e specializuar për merkaton në Itali, calciomercato.com. “Për t’u dhënë të gjithëve një ide më të qartë në lidhje me tipin e lojtarit, në modulin që shpesh përdor Roma, Briani mund të ishte një lloj (Mirko) Vuçiniç, ka të njëjtat karakteristika”. Bufone vazhdon: “Edhe nga ana e përfaqësueses U-21 të Shqipërisë ka një konsideratë të madhe për të, për moshën që ka duhet të luante me një përfaqësuese më të vogël. Është duke u rritur dhe sipas meje është një nga ata që ka për të bërë rrugë të madhe në futboll”. I intervistuar nga mikrofonat e “Mediagol.it”, drejtori sportiv i Ravenës tregoi edhe kushtet e marrëveshjes me Palermon në lidhje me transferimin e të riut Brian Filipi. “Palermo me këshillën e Valter Sabatinit, një mik dhe një person që e çmoj shumë dhe që e shoh shumë pranë të rinjve, ka të drejtën e opsionit që ta marrë lojtarin brenda 30 qershorit me një shifër, që tashmë është e vendosur, - deklaroi Bufone, - por mund të them se në do të japim vetëm 50 për qind të kartonit”.