E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po njollën e Gërdecit, kush do na i heq?



Nga Zamira Çavo

Në se vërtetë do të mundësohet shmangia e konflikteve në gjirin e klasës politike, me ndryshimet e fundit konstitucionale, sigurisht që nuk ka njeri të civilizuar që të mos e përshëndesë. Nëse Shqipëria do të mundësojë një qeverisje të ngjashme me qeverisjen e shoqërisë gjermane, natyrisht që do të na bënte entuziastë. Megjithatë le të shpresojmë! Fundja tani për tani këtë kemi në dorë! Por dyshimet në klasën politike, në agresivitetin e saj, në klanizimin e politikës në momente decizive për fatet e vendit, janë tashmë të njohura dhe personalisht dyshoj që me Berishën mund të arrihet kompromisi. Po le t’ia lemë kohës këtë dhe të shpresojmë se “ja kemi hequr njollën “ e Dushkut Shqipërisë!
Por vendi është në fillimet e një krize të gjithanshme. Këtë e dëshmon jo vetëm fakti i të qenit pjesë e krizës globale ekonomike, periferinë e të cilës kemi ndjerë deri tani( sigurisht nuk janë aspak optimiste parashikimet e specialistëve për të ardhmen), por dhe i politikës së mbrapshtë shqiptare e cila nuk po del dot nga korrupsioni.
E kam thënë më dhjetëra herë se Shqipëria do të vuaj në pafundësi, nëse nuk e kuptojmë të gjithë, se në vend duhet të sundojnë ligjet dhe jo njerëzit. Por realiteti tregon për të kundërtën . Procedohet një zyrtar i lartë, i hiqet pasaporta dhe ai vazhdon të jetë në postin e tij!! Ngrihet një kryetar bashkie, dhe pretendon se bashkia që drejton kërkon autonomi…..!!!! Dhe mbi të gjitha shpërthen një Gërdec dhe akoma nuk ka një fajtor!!! Shembuj të tillë ka çdo ditë dhe çdo qytetar mund të sjellë pafundësisht të tjerë. Por problemi është diku gjetkë. Kur do të mësohet politika ,të drejtojë me ligje? Dhe përgjigja të vjen natyrshëm; kur të kemi një brez individësh, që do të jenë edukuar me ligje dhe frymën e tyre. Po deri atëherë?
Le të shpresojmë se gazetaria investigative do të arrijë të realizojë, qoftë dhe në terma afatshkurtër, atë çka nuk e bën dot prokuroria e politizuar. Në se do të shikojmë me pak kujdes shtypin e ditës, falë asaj lirie që ka fituar, (që pavarësisht çdo tentative për ta burgosur, është e pamundur ta zhbësh), do të vëresh se falë investigimeve të këtij shtypi, prokuroria është detyruar të bëjë ndonjë hap.
Është e vërtetë, që bota e qytetëruar lëviz edhe në këtë drejtim, dhe shtypi luan një rol të jashtëzakonshëm në vënien para drejtësisë së krimeve, por organi i akuzës vepron menjëherë. Tek ne, të paktën, të mundësojmë të gjithë së bashku zhvillimin, mbrojtjen dhe zgjerimin e kësaj gazetarie.
Gazetaria investigative në Shqipëri duhet të jetë në fakt polifunksionale. Jo vetëm që investigon, jo vetëm që i shpall , jo vetëm që informon opinionin publik, por bëhet determinant që të detyrojë prokurorinë të ndërmarrë një hap. Po më tej? Më tej duhet të pres sulmin e politikës së politikanëve të cenuar apo të akuzuar. Këtu fillon një betejë tjetër, të cilën gazetaria nuk e fiton dot pa mbështetjen e ne të gjithëve.
Pra kur gëzohemi se politika po bën ndryshime kushtetuese kemi të drejtën legjitime të pyesim: Po ligjet a do të zbatohen? Pra a do të zbatohet drejtë dhe ky ndryshim kushtetues? A do të përgjigjen ndonjëherë para ligjit shkaktarët e Gërdecit? Sigurisht nuk mund të lahet shteti me “një kovë” ujë, për turpin dhe krimin që bëri. Organi i Prokurorisë vazhdon të heshtë në lidhje me politikën dhe shtetin. Të akuzuarit mbeten gjithnjë “peshqit e vegjël”. Dhe nga këta peshq e pësuan sigurisht ata që bashkë më të tjerët e pafajshëm, me punëtorët e shkretë, humbën jetën në këtë krim shtetëror.
Gërdeci vazhdon të jetë njollë turpi për Shqipërinë. Sa kohë që Berisha, Mediu dhe të tjerë ,nuk do të vihen në bankën e të akuzuarve si kriminelë shtetëror, asnjë ndryshim kushtetute, asnjë marrëveshje dhe asnjë pretendim për politikë te re, nuk ka për të funksionuar! Përvoja e këtyre viteve na ka treguar se kjo nuk është çështje bindjeje politike, por çështje parimore. Me shkelësit e ligjit nuk ka Besë! Prandaj uroj të gjejmë mënyra për të mbështetur gazetarinë, që të mundësojmë sadopak funksionimin e shtetit. Sigurisht gazetaria ka nevojë për mbështetje por ka nevojë dhe për një organizim të kësaj dege të saj. Uroj që gazetarët e kësaj fushe të gjejnë mundësinë për tu organizuar. Më së paku sidoqoftë do të na shtohen shpresat se diçka do të ndryshojë.

a

23 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›