Përfundojnë hetimet, “Eagle” përfundon në gjykatë
Tiranë - Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi dje hetimet dhe dërgoi për shqyrtim gjyqësor dosjen penale në ngarkim të nëntë personave, të cilët akuzohen për “trafik të lëndëve narkotike në bashkëpunim", bënë të ditur burime pranë kësaj prokurorie. Të pandehurit e kësaj çështjeje, e cila i kaloi Gjykatës së Krimeve të Rënda, janë shtetasit: Vasil Zguri, Bledar Lushnjaku, Altin Janko, Leonidha Shkodrani, Gjergji (Arben) Collaku, Juxhin Kulla, Roni Dhimitri, Aleko Jorgaqi dhe Erjon Bytyci. Shtetasit e mësipërm u arrestuan në nëntor të vitit 2007 në kuadër të operacionit të koduar “Eagle”, pasi dyshohen se janë përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike nga Shqipëria në Greqi. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, këta persona akuzohen se janë përgjegjës për një sasi droge të bllokuar nga forcat e policisë gjatë vitit që shkoi në qytete të ndryshme të vendit.
Caktohen gjyqtarët për dosjen “Remzi Hoxha”
Tiranë - Gjykata e Krimeve të Rënda hodhi dje shortin për dosjen e Remzi Hoxhës. Shorti përcaktoi që kjo dosje do të gjykohej nga gjyqtari kryesor Xhelal Elezi. Dosja përmban katër të pandehur që do të gjykohen në gjendje të lirë. Kjo dosje mbërriti te Krimet e Rënda katër ditë më parë. Prokuroria e Krimeve të Rënda pati nisur hetimet prej disa kohësh për zhdukjen e tregtarit shqiptaro-maqedonas. Burime zyrtare pranë kësaj Gjykate bënë të ditur se dosja me katër të pandehur iu nënshtrua shortit paraditen e djeshme, pas të cilit u përcaktua pesëshja gjykuese. Gjykimi për të pandehurit, të cilët do të gjykohen në gjendje të lirë, pritet të nisë brenda pak ditëve, pasi gjyqtarët të njihen me materialet e paraqitura nga akuza. Të pandehurit e kësaj dosjeje janë Arben Sefgjini ish-drejtues i SHIK-ut në Tiranë, Ilir Kumbaro, ish-drejtues në SHIK, Avni Koldashi e Budjon Meçe, ish-inspektorë të këtij shërbimi. Mbi katër të pandehurit rëndon akuzat “për rrëmbim personi” dhe “torturës me pasoja të rënda”. Biznesmeni Remzi Hoxha rezulton i zhdukur prej vitit 1995. Familjaret e tij kane akuzuar kryeministrin aktual Sali Berisha se ka dijeni për zhdukjen e të dashurit te tyre.
23 Prill 2008