Prençi në Gjirokastër: Do të godasim ashpër kultivimin e narkotike
GJIROKASTËR - Organizimi i punës për parandalimin dhe asgjësimin e sipërfaqeve të mbjella me lëndë narkotike, ishte tema e diskutimit që zhvilloi dje prefektura e Qarkut të Gjirokastrës me drejtuesit më të lartë të pushtetit vendor, përfaqësuesve të shoqërisë civile, të medias, etj. Në këtë takim merrte pjesë edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, tha se “tashmë ka ardhur koha t’i japim fund kultivimit të bimëve narkotike dhe Policia e Shtetit do të godasë përfundimisht fenomenin e mbjelljes dhe kultivimit te bimëve narkotike në çdo zonë ku ajo identifikohet”. Në fazën e parë, theksoi ai, do të sensibilizojmë opinionin publik, ndërsa në fazën e dytë do të ushtrojmë kontrolle në të gjithë territorin e vendit, me qëllim parandalimin e mbjelljes së bimëve narkotike dhe do të godasim çdo individ që do të merret me kultivimin e tyre. Gjatë vitit të kaluar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër janë identifikuar katër komuna si kultivuese te bimëve narkotike të llojit “kanabis sattiva”.
“Kashari 2”, dy të tjerë në pranga për falsifikim dokumentesh pronësie
TIRANË - Dy persona u vunë në pranga pas hetimeve që Task Force ka zhvilluar në kuadër të operacionit “Kashari 2”, për veprat penale të “Korrupsionit pasiv të funksionareve të larte shtetërore ose të zgjedhurve vendore” dhe “Falsifikim te dokumenteve”. Policia e Tiranës njoftoi dje se janë arrestuar Bashkim Kusi, 45 vjeç nga Tirana dhe Ruhi Valiasi, 46 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës se Parë Tiranë, me vendim të datës 19 Prill 2008, ka vendosur për ta masën e sigurisë “Arrest në burg” me akuzat e mësipërme. Nga hetimet e kryera për disa muaj, u mundësua dokumentimi i veprimtarisë kriminale që këta persona kanë kryer në bashkëpunim me njëri-tjetrin në falsifikimin e akteve të pronësisë, nëpërmjet korruptimit të funksionarëve të lartë shtetërorë, si dhe të të zgjedhurve vendorë të komunës Kashar. Ndërkohë, gjatë një kontrolli të ushtruar në banesat e tyre u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dokumente të shumta shkresore si, certifikata pronësie të personave të ndryshëm, plan - vendosje, harta regjistruese, gent-plane për parcela toke të komunës Kashar. Ndërsa në banesën e shtetasit Ruhi Valiasi, u sekuestruan 2 copë armë gjahu, si dhe Automjeti tip “Fuoristradë”. Vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë së tyre kriminale, si edhe për të verifikuar implikimin e personave të tjerë në këtë aktivitet.
23 Prill 2008