E Diel, 1 Nëntor 2026

Zoti Kryeminister, kete here po ju shkruaj nga “parajsa”

Luiza Boçi vdiq një ditë pas dërgimit të letrës. Peripecitë e ish-punonjëses së Ministrisë së Brendshme

Një ditë pasi dërgoi letrën e saj të fundit Luiza Boçi ndërroi jetë. Ish-specialistja e Ministrisë së Brendshme, fiks një vit më parë dërgoi të fundit letër, në të cilën i kërkonte kryeministrit Sali Berisha “të harronte” të gjitha përpjekjet dhe korrespondencën e saj, duke qenë se gjithçka shëmbëllente e kotë dhe e pavlerë. Me një karrierë prej 25 vitesh në Policinë e Shtetit, në vitin 2004 Luiza Boçi e pa veten të flakur në rrugë së bashku me të shoqin e saj, ndërsa asokohe emërimet në Polici ishin kthyer në derivate të “humorit” të krerëve kryesorë të ministrisë. Por ardhja e Partisë Demokratike në pushtet zgjoi shpresat se diçka do të ndryshonte dhe të paktën do të ishte hapur një shteg për të rigjetur të drejtën. Në këtë moment Luiza Boçi fillon korrespondencën e saj me kreun e qeverisë, të cilit i kaloi të gjithë praktikën e saj të punës, në të cilën faktohej përjashtimi arbitrar dhe antiligjor i saj dhe i bashkëshortit të saj. Por, nga peripecitë që të shkakton papunësia dhe sëmundja, Luiza e pa veten në mes të një neglizhence të pashoqe nga ana e Ministrisë së Brendshme, edhe pse vetë kreu i qeverisë i kërkonte me ngulm këtij institucioni rikthimin e menjëhershëm në punë të zonjës së ndjerë. Kaq vulgare ka qenë tallja dhe indiferenca e kësaj Ministrie, saqë dhe shefi i sektorit të Kryeministrisë, në një praktikë zyrtare, gati i bën presion kësaj Ministrie vetëm e vetëm që kjo e fundit të paktën të shprehej lidhur me kërkesën e kryeministrit. E kështu ka zgjatur odiseja e ish-punonjëses së policisë për gati dy vite, ndërsa po kaq ka zgjatur dhe përçmimi që Ministria e Brendshme i ka bërë të drejtave të saj dhe kërkesave zyrtare të ardhura nga Kryeministria. Duket se zvarritjet dhe rihumbja e shpresës nga ana e Luiza Boçit bëri që kjo e fundit, një ditë para se të ndërronte jetë, t’i dërgonte dhe letrën e saj të fundit (e cila botohet e plotë) kryeministrit, ku i kërkonte vetëm një gjë: Të mos merrej më me problemet e saj, pasi koha e tregoi se as ai nuk mund t’i zgjidhte dot. Të nesërmen Luiza ndërroi jetë. Nëse kryeministri ynë e ka lexuar ndonjëherë këtë letër, me siguri që nuk e ka ditur se letra këtë herë kishte ardhur nga “parajsa” e i kërkonte atij vetëm të hiqte dorë nga përkujdesja për problemet e Luizës, ndoshta si e vetmja mënyrë që të paktën një herë të vetme ai të jepte një kontribut real në zgjidhjen e problemeve të njerëzve të thjeshtë.
H. Hasani

BOX
Letra e Luiza Boçit: “Më mirë mos u merrni me hallet e mia”

Drejtuar: KRYEMINISTRIT TË SHQIPËRISË
Prof. Dr. SALI BERISHA

MINISTRIT TË BRENDSHËM
Z. BUJAR NISHANI

DREJTORIT TË MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN
(pranë Këshillit të Ministrave)
Z. ELHAM SHARRA

Dërguar nga: LUIZA BOÇI
TIRANË

Objekti: Kur Ministria e Brendshme ka zgjedhur heshtjen zyrtare, pse duhet të shpresojmë të marrim ndonjë përgjigje prej saj? Për rikthimin në punë në polici të bashkëshortit tim, Sokrat BOÇI. Është e pamundur! Tërhiqemi për plotësimin e kësaj kërkese.

Pa as më të voglin dyshim kishim besuar dhe besojmë se Kryeministri i Shqipërisë, Prof. Dr. SALI BERISHA, me seriozitet, korrektësi e ndërgjegje qytetare, lexon e vlerëson drejt letrat që vijnë nga qytetarët e tij.
Por zhgënjimi më i madh që njerëzit pësojnë vjen prej opinioneve të tyre. Këtë fat pëson dhe bashkëshorti im, Sokrat BOÇI.
Nuk mund të mohohet se në vlerësimin e dinjitetit të bashkëshortit tim të përfshihet në të “parëndësishëm”, jo për shkak të vlerave intelektuale dhe të dinjitetit, por për shkaqe të paragjykimeve (të pabazuara) dhe opinioneve në ajër ndaj tij.
Por gjëja më e parë sa kuptojmë për një punonjës të administratës, të pozicionit të tij në detyrën e ngarkuar në Ministrinë e Brendshme, është të mos mendojë fare, për të marrë mundimin, qoftë formal, të kryejë detyrën shtetërore, të sqarojë, t’u japë përgjigje në afatet e caktuara ligjore, porosive të Kryeministrit zoti, SALI BERISHA.
Ndoshta jemi të gabuar, por na është krijuar bindja se, “barrierat”, njerëz pa personalitet kanë bllokuar, nuk kanë përcjellë korrespondencën, porositë e Kryeministrit në adresë të Ministrit të Brendshëm.
Këto sjellje ndaj nesh, familjes tonë, bëhen nga njerëz dashakeqës e me tendencë, që nuk pyesin fare për zbatimin e ligjeve të shtetit, të porosive të “cituara” nga Kryeministri, zoti SALI BERISHA. Dhe kjo vetëm sepse dinë t’ia bëjnë mendjen çorap atyre që i ngrenë në përgjegjësi. Të zotë të dezinformojnë, por që spekulojnë me detyrën, mashtrojnë.
Sigurisht që shkolla është diçka, edhe eksperienca është diçka tjetër, por komunikimi dhe prezantimi janë thelbi i gjithçkaje. Këtë “vlerë” shohim të manifestojnë zoti ELHAM SHARRA, drejtor i Marrëdhënieve me Publikun në Këshillin e Ministrave, stafi i tij. Kemi ndjerë ndjekjen hap pas hapi të kërkesave tona. Jemi njoftuar zyrtarisht (me postë) për shënimet, të porosive të lëna nga Kryeministri në adresën tonë. Për aftësitë intelektuale që demonstrojnë në shërbim të qytetarëve, ju jemi mirënjohës!
Por kur heshtja zyrtare e Ministrisë së Brendshme nuk denjon fare të njoftojë Kryeministrin, sikur nuk ka vend që të shpresojmë të marrim ndonjë përgjigje nga kjo Ministri. Është e pamundur! Prandaj tërhiqemi nga kërkesat tona.
Jam krejt e pafuqishme nga sëmundja e rëndë që më ka mbërthyer dhe që po më merr jetën kaq shpejt. Një jetë e padrejtë, shpejt e shpejt brenda 7 muajve (15 dhjetor 2003 – 15 korrik 2004, të dy, burrë e grua, më parë mua, na largojnë nga puna). Na flakën në rrugë të madhe të “kudobindurit” të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ish-drejtori dhe zv.drejtori, zotërinjtë Bajram Ibraj dhe Dashnor Kaja. Të tërhequr prej hunde nga ish-ministri i Rendit Publik “rrugaçi”, “hajduti i lindur” Igli Toska.
Falënderojmë dhe ndjesi të thellë ndaj Kryeministrit të Shqipërisë, Prof. Dr. SALI BERISHA. Në një mori problemesh e hallesh që ka vendi, ndjejmë në një farë mënyre se “kemi shkaktuar bezdisje”.
Faleminderit, punë të mbarë dhe suksese!

Tiranë, më 23.04.2007
Qytetarja
LUIZA BOÇI
Adresa:
Rruga “Grigor Heba”
Pallati 14, Ap. 10

23 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›