E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uniformat blu masa për goditjen e narkotikëve në mjediset shkollore



TIRANË - Megjithëse jo në një numër të madh, përdorimi i narkotikëve nga nxënësit e shkollave të mesme dhe të larta në Tiranë mbetet një problem shqetësues. Nisur nga kjo, policia e kryeqytetit ka forcuar masat dhe intensifikuar punën për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e shitjes së narkotikëve, sidomos pranë mjediseve shkollore. Specialistë nga Seksioni i Luftës Kundër Drogës thanë dje për gazetën se nga ky seksion është organizuar puna për të evidentuar dhe mbajtur nën kontroll dhe larg ambienteve shkollore personat që merren me shpërndarjen e lëndëve narkotike. Sipas tyre, rëndësi i është kushtuar përftimit të informacioneve e në vazhdimësi mbi bazën e tyre, janë bërë edhe goditjet e atyre individëve që kanë tentuar të shesin substanca narkotike pranë këtyre ambienteve. Po ashtu, nga policia i është kushtuar rëndësi edhe bashkëpunimit me drejtuesit e shkollave të mesme duke organizuar takime të shumta me to, ku janë vlerësuar shqetësimet e tyre për rastet e përdorimit të substancave narkotike nga nxënësit. Në vëmendje të strukturave të policisë është edhe mbajtja nën kontroll të individëve që tentojnë të shpërndajnë lëndë narkotike në ambientet e “Qytetit Studenti”. Sipas të dhënave zyrtare, në tremujorin e parë të 2008, forcat e seksionit të Luftës kundër Drogës kanë evidentuar 32 vepra penale në fushën e narkotikëve, me 52 autorë të dyshuar, nga të cilët 45 të arrestuar, 4 nën hetim në gjendje të lirë dhe 3 të tjerë janë shpallur në kërkim. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm, gjatë këtij viti forca zbuluese dhe goditëse e policisë ka shënuar rritje në masën 10 për qind (në tremujorin e parë të vitit 2007 janë evidentuar gjithsej 29 vepra penale me 40 persona të arrestuar si autorë të dyshuar, si dhe 5 persona në hetim në gjendje të lirë). Ndër operacionet më të suksesshme të antidrogës së Tiranës janë ai i koduar “Kufiri i Fundit”, “Profesori 3”, “Inaugurimi”, “Taksia”, “Parkingu”, “Metadoni” dhe “Ura e Vogël”.

Forumet Rinore: Ngjarjet në Himarë, të turpshme

TIRANË - Dhjetëra anëtarë të forumeve rinore dhe Lëvizjes “Mjaft” të mbledhur të martën në një protestë paqësore përpara oborrit të Prokurorisë së Përgjithshme në Tiranë, i cilësuan si të turpshme ngjarjet e ndodhura më 10 Prill në Himarë, ku sipas tyre, një grup njerëzish me mbështetjen e Kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, sulmuan me gurë postën e policisë së qytetit. Përfaqësues të forumeve rinore të Partisë Lëvizja e Legalitetit, Partisë Demokristiane, Lëvizjes Mjaft dhe Tifozët Kuq e Zi, i kërkuan prokurorisë të shqyrtojë sa më shpejt veprimet antikushtetuese dhe dhunënxitëse të Bollanos. Sipas tyre, ngjarjet në Himarë janë një dëshmi tjetër e papërgjegjshmërisë dhe mospërfilljes së plotë të Bollanos ndaj institucioneve dhe shtetit shqiptar. “Në ditët e sotme, kur të gjitha vendet e rajonit po ecin me shpejtësi drejt një të ardhme pa kufij, dhe të përbashkët në Bashkimin Europian, veprimet e përsëritura të Bollanos janë një pengesë serioze për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë midis popullit shqiptar dhe atij grek”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e përbashkët për mediat të forumeve pjesëmarrëse në këtë protestë.

23 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›