E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po pa Skelën e Lalën?

Bledar KUKA-
Portën e kemi në rregull, sulmi nuk ka golshënues të mirëfilltë, konkurrencë ama sa të duash. Mjafton që në Hungari të luajë Kapllani dhe motivimi do të jetë i garantuar. Por si i bëhet me zemrën e skuadrës, mesin e fushës?
Trajneri i njohur, Luan Sengla, me të drejtë thotë se një pjesë e madhe e meritës që kombëtarja shqiptare luan futboll të mirë e ka qendra e mesfushës. Dikur kishim Hasin, tani kemi Skelën dhe Lalën. Bashkë me Duron dhe Hykën krijojnë një repart të nivelit shumë të mirë, ndërsa Lorik Cana prej kohe i përket një standardi shumë më të lartë se kombëtarja shqiptare.
Altin Lala është sot 32 vjec dhe ka lajmëruar prej kohësh në mediat gjermane se më tej se këto eliminatore nuk beson të vazhdojë kuqezi. Ervin Skela i kaloi problemet shëndetësore dhe është sërish në formë sublime, por mosha tregon më shumë kah fundi se fillimi. I pari ka 61 ndeshje me kombëtaren, i dyti 47 duke qenë pjesë e grupit të ngushtë me shifra të tilla (Bogdani 45, Duro 43).
Me largimin jo të largët të dy titullarëve boshllëku do të jetë i madh. Në rolin e Skelës mund të afrohet Dorian Bylykbashi, ndonëse karakteristikat e elbasanasit janë të ndryshme nga ato të vlonjatit. Më "dispecer" Ervini, më gjuajtës dhe driblues Doriani. Pa Skelën karakteristika e larmisë së lojës nuk do të ishte e njëjta.
Nëse për Skelën gjendet "dermani", për Lalën duket vështirë. Sërish po citoj Senglën që e quan "një kompjuter, jo me bagazh të madh teknik, por tepër të saktë dhe luftarak". Një Lalë të dytë është vështirë të gjejmë për momentin.
Duke shoshitur këtë problem dalim tek defekti i madh i sistemit të futbollit në Shqipëri. Lala u largua 19 vjec, në një kohë kur në Shqipëri nuk kishte para, thuajse si refugjat. Po 19 vjec iku edhe Skela.
Shumë nga ata që duan të jenë pasardhës, Agolli, Bulku, Teli janë larguar nga vendi në moshë më madhore, prej 23 deri 27 vjec, duke humbur një pjesë të asaj që do të merrnin si 19-vjecarë, ndërsa pak poshtë kësaj kategorie është edhe Kapllani. Të tjerë si Lila e Vrapi ende nuk kanë mundur të cajnë përtej kufirit. Futbolli shqiptar është gati të kontribuojë edhe me Gilman Likën apo Xhevahir Sukajn që janë ende shumë të rinj, kurse Duro përbën një përjashtim pasi provoi "emigracionin" 24 vjec, duke pasur shumë ikje-ardhje, derisa shkoi tani në Qipro.
Duke lënë mënjanë "taborin" e kosovarëve të rritur krejt ndryshe, shikojmë se nuk do të mund të ketë shumë furnizim në ekipin përfaqësues. Kjo do të bëjë që konkurrenca të jetë gjithnjë e vogël, pasi mundësia përzgjedhëse e trajnerëve thuajse nuk do të ekzistojë. Gjithashtu, kjo do të na bëjë më të epshëm ndaj cdo dëmtimi apo pezullimi për shkak kartonësh.
Vetëm një futboll i bazuar në klube të organizuar, ku personeli në të gjitha nivelet e strukturat të përzgjidhet mbi bazë meritash dhe jo pëlqesash pa lidhje me profesionin, do të ishte shpëtimi nga rreziku i vazhdueshëm. Pa një reformë të tillë rrënjët do t'i kemi gjithnjë të dobëta.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›