Nje epoke e re per Kombetaren

Nga Bledar Kuka
Mrekullitë edhe ndodhin dhe jo vetëm në ëndërr. Futbolli shqiptar i meriton ato të paktën për traditën tashmë mbi 100-vjecare, që kur ndeshja e parë jo zyrtare u luajt në Shkodër më 1905, ndërsa kampionatet kombëtare kanë arritur në plot 70.
Një krahasim me Turqinë tashmë të madhe qëndron, ndonëse ato ditë kur e mposhtim lehtësisht 3-0 me golat e Panos e Pernaskës janë 37 vjet larg. Skuadra përfaqësuese turke nuk njohu asnjë turne të madh në Botëror që nga viti 1954 deri më 2002, por kur ia arriti të hynte në skenë zuri vendin e tretë, vetëm pas Brazilit dhe Gjermanisë. Edhe në Europianë, suksesi ka nisur vonë, më 1996 në grupin final, më 2000 në cerekfinale dhe më 2008 në gjysmëfinale. Tashmë është një traditë. Turqve iu deshën 12 vjet, që nga dita kur punësuan gjermanin Jup Derval si shef të ekipeve kombëtare në federatë.
Shqipëria gjithashtu nuk e ka këtë traditë, por duket se po e krijon, ndërsa po mbushen 7 vjet që kur trajneri i parë i huaj vuri këmbë në Tiranë. Po e krijon me thonj e me dhëmbë, me një futboll që është bërë biznes për ata që kanë para dhe pushtet dhe që e përdorin për të bërë patjetër djemtë futbollistë (gjithnjë të dobët e të paragjykuar), por sërish po ecën përpara.
Në Euro 2008 kishim vec një pikë pas 2 ndeshjeve të para, në Euro 2004 dhe Euro 2000 po kaq. Po kjo melodi edhe në kampionatet botërorë, me 1 pikë më Botërorin 1998, në eliminatoret për 2002-in patëm 3, ndërsa për 2006-ën po 3. Ndryshe nga këto, eleminatoret e Botërorit 2010 në Afrikën e Jugut kanë nisur më mirë me 4 pikë në 2 takimet nisëse. Sidoqoftë, mbetet relativiteti i ndeshjeve të luajtura brenda, ndërsa në të kaluarën kemi pasur të paktën njërën (në mos të dyja) jashtë.
"Me shumë fat mund të dalim të dytët", është shprehja më shumë se e guximshme e Ari Hanit. Xhuzepe Dosena erdhi dhe iku si era, për shkak të vullnetit të paktë për të qenë trajner. Hans-Peter Brigeli nisi punën në tokën e lënë djerrë në disiplinë që prej vitit 1990, kurse filozofia dhe përvoja moderne nuk ka kaluar ndonjëherë nëpër këto vise. Pasi Oto Baric nisi rinovimin, holandezi i mrekullueshëm si futbollist shpresohet ta formësojë edhe më tej krijesën e gjermanit dhe kroatit.
Pak rëndësi kanë yjet, shumë më tepër ka fryma e grupit dhe besimi. Turqia më 2002 pati një skuadër yjesh, ndërsa më 2008 habiti gjithë Europën me lojtarë aspak pranë ish-heronjve për nga kalibri. Thoshte mirë Oto Baric për Turqinë, para se kjo të ndeshej me Kroacinë e tij. "Lojtari më i mirë i Turqisë është ... Fatih Terim", - shprehej plakushi 76-vjecar. Edhe tek Shqipëria, lojtarët më të mirë që nga 2001-shi kanë qenë Brigeli, Barici dhe Hani.
Një rol të madh po luan statusi i lojtarëve shqiptarë në skuadrat ku ata luajnë nëpër Europë. Arian Beqaj, për momentin, është më i vlerësuari dhe më vendimtari lojtar i Anortosisit të Famagustës, kampione e Qipros, që për herë të parë në histori hyri në fazën finale të Ligës së Kampionëve. Debatik Curri sidomos, por edhe Armend Dallku janë lojtarët më të dalluar të Vorsklës së Poltavës në kampionatin ukrainas, ashtu si Klodian Duro që është cilësuar magjistari i Omonias qipriote, ekip që vazhdon aventurën në Kupën UEFA.
Për Lorik Canën nuk mund të shtohet asnjë fjalë nga ato që dihen tashmë. Idhulli i tifozëve, kapiteni i klubit më të famshëm të Francës, Olimpikut të Marsejës, lojtari lider dhe ndoshta më i shtrenjti në kampionatin francez, i kërkuar radhazi nga Reali i Madridit, Arsenali, Bajerni, Roma. Loriku është një bamirës i njohur, pranë rangut të Ronaldos apo Zinedin Zidanit, me të cilët ka organizuar disa ndeshje për qëllime të tilla.
"Lorik Cana ngrihet herët dhe në orën 06.55 paraqitet në qendrën stërvitore marsejeze, vetëm një minutë pasi aty ka shkelur trajneri Erik Gerec". Ky është konstatimi që bën gazetari i televizionit zyrtar të klubit, konstatim që e tregon qartë përse Loriku e meriton të jetë lideri. "Në 08.43 Gerec e fton Lorikun për një kafe, - vazhdon OM TV, - në një moment kërkohen njerëz për të mbledhur topat e lënë në fushë që nga stërvitja e pasdites së një dite më parë. Loriku hedh sytë në të katër anët për të gjetur "vullnetarë". I takon, kot nuk është kapiten".
Altin Lala prej 10 vjetësh është një "hanoveran" dhe prej të paktën 5-6 vjetër një "fyer" në klubin tradicional gjerman. Edhe ai është një lider, ashtu si Cana një protagonist në bamirësi, duke i shtuar edhe një dimension të ri identitetit të tij të rëndësishëm në Gjermani. Diku Altini del në takim me fëmijët, diku duke garuar me kuaj, më tej bamirës dhe në fund si sipërmarrës bashkë me kompaninë e madhe gjermane të farmaceutikës "Rosman" për të hapur degë të saj në Shqipëri.
Rroga e Altinit është mbi 1 milion euro në vit, ai merret si shembull për gjermanët që nuk duan fëmijë duke pasur një dalë poliglot dhe një vajzë si prej Hollivudi. Ja si shkruan "Noje Prese": "Ne duam t'iu paraqesim gra dhe burra që duan të kundështojnë paragjykimet e sotëm. Sot kemi Altin Lalën, që në gjirin e familjes së tij gjen harmoninë". Lojtarët shqiptarë nuk janë thjesht futbollistë të mirë, por edhe shembuj për t'u ndjekur një traditë që fillesën e ka që tek Altin Rraklli në epokën e tij te Frajburgu.
Ervin Skela është personazhi kryesor i Energisë së Kotbusit ... bashkë me trajnerin Bojan Prashnikar .Një talent i pastër dhe një karakter po aq i tillë. Fjalën idhull po e lodhim si shumë, por edhe për Ervinin ia vlen të përdoret. Tifozët e duan, e ngrenë në qiell, po këtë raport ka pasur me ta edhe tek Ajntrahti i Frankfurtit apo Arminia e Bilefeldit. Aq përgjegjësi ndjen në vetvete mesfushori saqë e ka krejtësisht të natyrshme që të marrë topin dhe të gjuajë vetë penalltitë, një rol vërtet prej protagonisti.
Hamdi Salihi duket si një i përkëdhelur nga fati. Ai është i pajisur me talent për të shënuar si pak të tjerë, me një familje gjithnjë në gjendje aq të mirë ekonomike saqë ta ndihmonte në cdo hap të karrierës dhe me një karakter shumë shoqëror, cilësi themelore kjo në futbollin e sotëm. "Hamdushi", sic e quajnë me përkëdheli në Shkodër ishte i vecantë tek Vllaznia, i vecantë edhe tek Tirana, duke e fituar këtë vlerësim edhe tek Ridi në Austri. Për ekipin e tij në Bundesligën austriake ai është një mbret i golave.
Trashëgimia flet vetë. Ende nuk kemi konkurrencë të madhe, pa një sistem të mirë futbolli brenda në vend kjo nuk mund të ndodhë, por të rinjtë duket se do t'i lenë prapa rekordet e të vjetërve. Natyrisht, bëhet fjalë për një tendencë, jo më kot në "Ëikipedia", ndër 17 ndeshjet më të kujtuara të kuqezinjve, 13 janë luajtur nga viti 1998 e këtej. Dhe nuk janë përfshirë humbjet dinjitoze me Gjermaninë.
Ndër 7 mbrojtësit e grumbulluar nga Hani për ndeshjet ndaj Suedisë e Maltë, asnjëri nuk arrinte moshën 30-vjecare dhe më i madhi ishte Admir Teli (28), një lojtar jo titullar. Kristi Vangjeli, Debatik Curri dhe Armend Dallku, tre shtyllat e sotme janë, përkatësisht 23, 24 dhe 25 vjec.
Portierët i kemi gjithashtu të rinj, Lika e Hidi janë nga 28 e 27 vjec, ndërsa 32 vitet e Arian Beqajt janë pak nëse bëjet fjalë për një ruajtës së portës. Për më tepër, kurrë më parë Shqipëria nuk ka pasur 3 portierë që luajnë jashtë vendit dhe që nuk lenë javë pa dalë në faqet e shtypit sportiv të shteteve ku janë. Arian Beqaj mbi të gjithë me viktimën e fundit kampionen greke Olimpiakos që e eliminoi me Anortosisin e tij nga Liga e Kampionëve.
Edhe sulmi, me përjashtim të Erion Bogdanit, është krejtësisht i ri. Kapllani ka 26 vjec, Salihi 24 dhe Berisha 23. Nëse do të kërkojmë dikë që luan jashtë, Xhevahir Sukaj tashmë "turk" do të ishte një zgjedhje e mirë. Ai nuk është më shumë se 22 vjec.
Probleme, sidoqoftë, kemi dhe këto janë në mesin e fushës. Dikur ka qenë një treshe e shkëlqyer e përbërë nga Skela-Duro-Lala, sot ata janë thuajse "të moshuar". Vlonjati është 31 vjec, Klodi ende 30, ndërsa Altini arriti tek të 32-at.
Kush do të jenë pasardhësit? Jahmir Hyka, një 20-vjecar jashtëklasi, është gati. Shpëtim Duro dhe Luan Sengla, trajnerët që e njohin mirë kanë vënë bast prej kohësh për të. "I kam parë veprime që i ka bërë vetëm Ronaldinjo", - thoshte Sengla për të. Kur ishte tek Tirana, zëvendëstrajneri Ardian Mema, pinjolli i familjes së shquar me po atë mbiemër, u mor vecanërisht me të. "Ka pasur disa defekte, por i ka kaluar, - thotë Ardi, - parametrat fizikë i ka shumë të mirë, di edhe të mbrojë shumë mirë, mjafton të orientohet më mirë në vendosje gjatë aksioneve sulmuese".
Elis Bakaj, një djalosh i talentuar ndonëse me temperament shumë të hedhur, kërkon edhe ai vlerësim. Ylli i ri i Partizanit është 23 vjec dhe po kërkon një skuadër jashtë vendit. Gjatë verës u fol edhe për Borusian e Dortmundit, por është një skenë tepër e madhe për një shqiptar ende të panjohur. Dita kur Elisi do të jetë në një kampionat të huaj, s'ka dyshim, është shumë e afërt.
Dhe pa kaluar tek Dorian Bylykbashi, "një nga pesë lojtarët më të mirë të kampionatit të Ukrainës" sipas trajnerit të tij Taran tek Krivbasi, le të përmendim Gjergji Muzakën. Ky talent i pastër, lojtar krahu, është ende i ri, 24 vjec. Sapo mbylli një kapitull të gjatë, emocionues, por edhe me probleme tek Partizani i presidentit Albert Xhani, për të shkuar tek "trampolina" e ekipit kombëtar këtu në Shqipëri, tek Tirana.
"Dua ekipin kombëtar", janë disa nga fjalët e para të Gjergjit elegant me fanellën e re bardheblu. Ndërsa një klauzolë në kontratën e nënshkruar me presidentin Refik Halili, i jep mundësi që të shkojë jashtë vendit kur të dojë, mjafton që për të të paguhet një shumë e caktuar, ndoshta 50 000 euro. Pasi u provua tek Ajaksi, Nanta dhe Iraklisi në Greqi, duket se është gati edhe për ndeshjen e parë me kombëtaren, por edhe me transferimin përfundimtar në Europë.
Le të kthehemi tek Bylykbashi. Sot ai është 28 vjec, por që kombëtarja shqiptare ta ketë në radhët e saj nuk është kurrë vonë. Trajneri malazias Dervish Haxhiosmanovic që e pa tek Vllaznia më 2001 mbeti i habitur. "Je shumë i talentuar, - i tha ai atëherë djaloshit 21-vjecar, - vec duhet të ngasësh më shumë vrap". I përkëdhelur tek Vllaznia, po ashtu tek Partizani, elbasanasi i dha drejtim karrierës duke shkuar në Ukrainë. Atje u bë një mbret tek Krivbasi i Krivoj Rogut, një ekip jo i madh, por i kategorisë së parë. Sot ai shpreson një transferim më të rëndësishëm.
Asnjë nga lojtarët e sotëm shqiptarë, me përjashtim të kapitenit Lala (63 ndeshje), nuk i ka numrat për të konkurruar me kapitenët legjendarë të së shkuarës si Rudi Vata, Foto Strakosha, Igli Tare, Altin Rraklli apo Alban Bushi. Madje shumica dërrmuese nuk i kanë numrat që kishin Bledar Kola, Arian Xhumba apo Sulejman Demollari.
Por për Lorik Canën nuk ka rëndësi që ka vetëm 26 ndeshje me fanellën, për Dallkun që ka vetëm 22 apo për Currin me vetëm 12 (!!). Po kështu, Hyka e kalon fare i patronditur faktin që është rreshtuar në fushë 7 herë, ndërsa shpresa të tilla si Salihi e Berisha kënë përkatësisht 6 dhe 8 ndeshje.
Futbollistët e sotëm të përfaqësueses shqiptare pak kanë provuar të humbasin, aq më pak të poshtërohen. Që kur kanë nisur punë trajnerët e huaj, skuadra ka fituar dhe barazuar rreth 60 për qind të ndeshjeve eleminatore, plot 18 në 34 gjithsej. Në numrin total të takimeve (bashkë me miqësoret) jemi bërë tepër konkurrues. Gjykoni vetë: Në 62 ndeshje nga 2001-shi, 23 janë fituar, 11 barazuar dhe 28 humbur, kurse golat janë 78 të shënuar dhe 81 të pësuar. Ndërsa nga 1946-ta deri më 2001-in u fituan vetëm 22.7 për qind e pikëve të mundshme, në vitet në vazhdim janë fituar plot 43 për qind. Përvoja e brezave të kaluar bën punën e vet. Shtuar këtu edhe magjitë e Brigelit, Baricit dhe Hanit. A mjafton kjo për të shkuar në Botëror? Vështirë të gjykohet, por nëse Shqipëria ia del të luftojë dhëmb për dhëmb me Suedinë, Danimarkën, ndoshta edhe Portugalinë, tash për tash kjo mjafton.
Tek e fundit, të paktën për një muaj do të biem të flemë e të zgjohemi në mëngjes si kryesues të grupit. Ndoshta 11 e 15 tetori mund të na lejojnë të vazhdojmë ta shikojmë ëndrrën.