Hyka, Mainci e sheh si titullar

Jahmir Hyka bëri dy paraqitje mbresëlënëse me përfaqësuesen shqiptare, ku në barazimin pa gola kundër Suedisë u vlerësua edhe si magjia e mbrëmjes. Edhe në fitoren 3-0 kundër Maltës, autori i golit më të shpejtë të Shqipërisë në një ndeshje ndërkombëtare luajti në nivel të lartë për gjatë 90 minutave. Por mesa duket, mesfushori shtatshkurtër ka pësuar një dëmtim të lehtë në shputën e këmbës. "Nuk ka asgjë për t'u shqetësuar. Me një fashë dhe pak pomadë, ai do të jetë sërish në formë", - tha menaxheri i Mainc 05, Aleks Shuster. Hyka mbërriti me vonesë në Mainc, por kjo cështje nuk u shndërrua në një problem. Sipas "Allgemeine Zeitung", që nga ana e saj citon burime nga shtëpia e Maincit, Jahmir Hyka mund të jetë një kandidat potencial për të luajtur nga minuta e parë në sektorin e mesfushës.