E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qarri: Ky Dajt, i denjë për superligën

Skuadra e Dajtit do të presë në kompleksin sportiv "Skënder Halili" debutuesit e Gramozit. Kjo ndeshje është vlerësuar në maksimum nga kamzalinjtë, të cilët do të kërkojnë tripikëshin e radhës. Pritet që tifozët kamzalinj, në shkallët e "Skënder Halilit", të jenë të shumtë, ashtu si në ndeshjet që Dajti luan në Kamëz, për të shijuar fitoren e parë në kampionat. Në sajë të kontributit të madh financiar, që ka dhënë presidenti i kësaj skuadre, Naim Qarri, Dajti ka bërë një progres në këto dy sezonet e fundit. Për këtë sezon, presidenti Qarri ka formuar një skuadër me lojtarë cilësorë, që do të pretendojnë superligën. Në takimin e radhës me Gramozin do të synohet nga skuadra e drejtuar nga Sinan Bardhi jo vetëm tripikëshi, por edhe një lojë e bukur për të kënaqur tifozërinë nga Kamza. Gjendja te kamzalinjtë paraqitet optimale dhe përgatitja e kësaj sfide është bërë me kujdes, pasi trajneri Bardhi ka pasur në dispozicion kohën e duhur.

Vetë presidenti Qarri, i cili po investon fuqishëm për ta ngritur Dajtin në nivelin më të lartë të futbollit tonë, superligën, për "Sportin shqiptar" shprehet: "Për këtë sezon kemi krijuar një skuadër të denjë, pretendente për superligën. Kësaj skuadre i janë krijuar të gjitha konditat e nevojshme për të arritur objektivin. Mund të them se nuk ka asgjë mangët nga ekipet e superligës, si nga ana financiare, ashtu dhe kushtet e stërvitjes. Tani presim rezultatet në fushën e lojës, ku në ndeshjen e parë me Gramozin do të kërkojmë tripikëshin. Kjo skuadër ka kontigjentin e duhur dhe në këtë sfidë do të kërkojmë fitoren me një lojë të bukur." Në sezonin e kaluar, skuadra e Dajtit u rendit në mesin e artë të klasifikimit, ndërsa këtë sezon mundësia është krijuar për të rivalizuar me ekipet e tjera pretendente, si Skënderbeu, Luftëtari apo ndonjë tjetër. Kamzalinjtë kanë ruajtur pjesën thelbësore të sezonit të kaluar dhe janë përforcuar me lojtarë si Abilio, Brashini, Toni, Aliu, Xhixha, Ceka, Lleshi, Blloku, Sinani etj. Këto përforcime kanë sjellë dhe konkurrencën në ekip. Presidenti Qarri, për këtë thekson: "Me afrimet e shumta që kemi bërë për këtë sezon, jo vetëm që është krijuar një skuadër e fortë, por është forcuar edhe stoli. Është rritur konkurrenca në ekip dhe cdo lojtar duhet të japë maksimumin në lojë dhe në stërvitje. Kjo është një anë pozitive, pasi asnjë lojtar nuk është i pazëvendësueshëm."
Burimi: Florian Behlula (Sporti Shqiptar)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›