E Diel, 1 Nëntor 2026

Po pas grevës së urisë?...

Ja, u bë edhe greva e urisë e propaganduar me aq shumë bujë prej ideatorëve të saj, në krye me Edi Ramën dhe Spartak Ngjelën. Si çdo nismë politike e ndërmarrë prej opozitës sonë rastësore, edhe greva duket se nuk do të sjellë atë çka prisnin ata pak ndjekës idealistë të majtë që i kanë mbetur tashmë liderit socialist, ose ai grusht njerëzish të lidhur pas tij me interesa ekonomike. Nuk bëhet fjalë për ndjekësit shtesë të Skënder Gjinushit a të Paskal Milos, pasi Gjinushi e Milo janë liderë pa parti, as kanë pasur, as kanë ndjekës, përveç, ndoshta, ndonjë tabori mercenarësh. Nuk bëhet fjalë as për ndjekës të imagjinuar të Spartak Ngjelës a të Nard Ndokës, të cilët, gjithashtu pa parti dhe pa militantë, kërcejnë si pleshtat hop nga e djathta, hop nga e majta.
Sa më sipër, po e vërteton zhvillimi i grevës deri në ditën e sotme. Mbështetës, në kuptimin e vërtetë të fjalës, nuk po shohim. Pasi e dhanë votën e tyre afro një vit më parë, njerëzve u duhet të punojnë, jo të merren me problemet që ka Edi Rama me vetveten. është po ai numër mercenarësh të pajtuar me pagë ditore a pensionistësh të rrjedhur nga trutë e kokës, “kuadro” të ish-regjimit komunist me kapelë alla Xherxhinski, që bërtasin e duartrokasin oratorët tashmë të zvetënuar deri në tejskaj, të cilët zbresin e hipin sipas radhës në foltoren pranë çadrave të grevistëve. Prej asaj foltoreje, nuk po dëgjojmë asnjë alternativë politike për t’i dhënë fund grevës, sikundër po këmbëngulin institucione vendëse e ndërkombëtare, njerëz të sferës akademike e kulturore, artistë etj. Prej saj, përcillen vetëm thirrje patetike e sharje pa fre në adresë të Kryeministrit, ndjekur nga refreni bajat “Hap kutitë ose largohu!”. Njerëzit me pesë para mend në kokë, jashtë qerthullit të interesave meskine që do t’i mbante lidhur pas qerres edramiste, pyesin të dëshpëruar: Pse u dashka të largohet Kryeministri i dalë nga vota e popullit me zgjedhje demokratike të certifikuara brenda e jashtë vendit prej organizmave të specializuara? Sepse Edi Rama sheh ëndrra me pushtet dhe rreh të bëhet me çdo çmim kryeministër i vendit? Apo sepse gramozët, namikët, artat, valentinat, pandelinjtë e më të rinjtë, skënderët, paskalët, spartakët e nardët kanë mbetur pa karrige ministrore?
Absurdi nuk ka se si të ngjitet më lart në proceset e politikës korrente të një vendi demokratik me pretendime për qarkullimin e shtetasve të vet pa viza në hapësirën Shengen, me ëndrrën për t’u anëtarësuar sa më shpjet në Bashkimin Europian.
Mbështetja e grevës prej ndonjë politikani të improvizuar si Kurt Kola, as shton, as pakëson xheç në këtë mes. Tashmë, në vitin 2010, afro trembëdhjetë vjet pas vitit të mbrapshtë 1997, mbetjet politike të “revolucionit të vonuar” nuk mund të shërbejnë as për konsum të jashtëm, as për të brendshëm, si, fjala vjen, për t’u dhënë zemër e për t’u ngritur sadopak moralin grevistëve. Nuk mund të jetë i besueshëm për të tjerët ai që del jashtë të vetëve, jashtë vetvetes, ai që harron persekutorët e puthet me ta për interesa meskine të çastit. Nëse Kurt Kola ndihet borxhli ndaj Spartak Ngjelës, avokatit të vet të grevës së urisë të ’94-s, nëse i del përkrah bashkëvuajtësit të burgjeve komuniste, çfarë e lidh me Edi Ramën? Mos vallë fijet e kahershme të Sheshit të Flamurit, kur mbështeti komitetet famëkeqe të shpëtimit me tre gishta lart, simbolin e shëmtuar të serbizmit, të atij serbizmi që vetë Kurti, më tepër se çdokush tjetër, e ka vuajtur në kurriz të familjes së vet?
Si njëri prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Kurt Kolës gjatë viteve ’93-’94, si njëri prej ithtarëve të tij të atëhershëm, do të ma donte zemra ta shihja Kurtin sërish në krahun që i takon, t’ia shtrëngoja dorën ashtu si dikur, pasi të kishte reflektuar për ato çka, dashur a padashur, i bëri vetvetes dhe Shoqatës së dikurshme të ish-të Dënuarve dhe ish-të Përndjekurve Politikë.
Tashti, në ditën e dymbëdhjetë të grevës së urisë, kur jeta e grevistëve ka filluar të vihet në pikëpyetje, gjithkush që ndjek me vëmendje ecurinë e saj, i djathtë ose i majtë, ish-i përkëdhelur i regjimit komunist ose ish-i përndjekur prej tij, do të dëshironte përfundimin e një absurdi të tejzgjatur. Jeta e çdo shqiptari është dhjetëra, qindra, mijëra, një pafundësi herësh më e vyer se karriera politike e Edi Ramës ose e Gramoz Ruçit, e Spartak Ngjelës ose e Nard Ndokës, e Skënder Gjinushit ose e Paskal Milos, ose e gjithë emrave të tjerë që hipin e zbresin nga foltorja në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Mbroçkullat e Sabit Brokës, ish-ministrit komunist të shëndetësisë, për “betimin e Hipokratit” dhe për përkushtimin e tij ndaj jetës së grevistëve, janë flluska sapuni që nuk përmirësojnë asgjë, përveçse shtojnë dyshimet mbi ecurinë e grevës së mbyllur hermetikisht brenda çadrave.
Nëse thirrjet e Kryeministrit Berisha për të bërë transparencën e zgjedhjeve me mënyra të ligjshme, me lëshime të dyanshme dhe me kompromise politike nuk i shkojnë përshtat një grushti njerëzish të sëmurë për pushtet, atëherë s’na mbetet tjetër veç të urojmë që shteti demokratik t’i japë fund kësaj gjendjeje makthi që po përhapet dita-ditës prej fushimit të ngritur përpara Kryeministrisë, anekënd vendit. Strategjia diabolike e përshkallëzimit të tensionit po bëhet fakt i kryer përmes të ashtuquajturave protesta që synojnë bllokimin e akseve rrugore, që irritojnë nervat e qytetarëve të cilët nuk i lidh asgjë me grevën e me grevistët. Mirëpo durimi i njerëzve të pafajshëm ka një kufi. Mos vallë ëndërrimtarët për një çikë pushtet, për të zezën e tyre, presin të shpërthejë çibani i mahisur?
Edi Rama e kompani do të ishin, ndoshta, disi të justifikuar sikur të kishin guximin ta zhvendosnin fushimin prej qendrës së Kryeqytetit, në mjediset e selisë së Partisë Socialiste, që të çlironin Tiranën nga pengmarrja e tipit terrorist. Ata do të gjenin, ndoshta, mbështetje më të madhe sesa ajo e një grushti njerëzish që konfrontohen me forcat e policisë në pika nevralgjike të akseve rrugore a që ndërrohen me turne përpara çadrave të grevistëve; nëse do të nxirrnin së andejshmi të sëmurët me probleme të pariparueshme për shëndetin e tyre në të ardhshmen, do të nxirrnin nënat e do t’i dërgonin ato pranë fëmijëve pafajshëm dhe, në vend të tyre, të futeshin vetë në grevë urie.
Greva e urisë, duke qenë një e drejtë e çdo individi, është njëherësh simbol presioni politik që nuk ka të bëjë me numrin e të ngujuarve, por me mesazhin politik që i përcillet opinionit përtej vendngujimit. Le të kujtojmë të ndjerin Pjetër Arbnori dhe le të krahasojmë efektin e grevës së tij të urisë me këtë të sotmen, më të pakuptimtën e grevave të urisë në historinë e tyre. Mirëpo ideatorët e fushimit që ka bllokuar trafikun e Tiranës nuk kanë çfarë mesazhi tjetër të përcjellin përveç “Hap kutitë ose largohu!”.
Ajo çka menduan ideatorët e grevës, është përtej kufijve të arsyes. Neve nuk na mbetet veç të presim çmenduri të reja me qëllim përkeqësimin e gjendjes në vend, prishjen e imazhit të Shqipërisë në botë. Që t’i jepet fund marrëzisë, në kushtet e mungesës së një vizioni politik nga ana e atyre që kërkojnë zhbërjen e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, lipset që shteti të ndërmarrë të gjitha masat për të shpëtuar shtetasit e vet nga situata absurde që është krijuar, të vërë në përdorim të gjitha organizmat e mundshme ligjore që të shmangë më të keqen, humbjen e jetëve të njerëzve. Sepse, pas dështimit të grevës, çka tashmë është evidente, pas tensioneve artificiale mes të ashtuquajturve protestues dhe forcave të rendit që po nxiten gjithnjë e më shumë në mbarë vendin, nuk dihet çfarë dreqi do të na mbetet në derë. Kur dikush kryen një akt flagrant në kundërshtim me rendin qytetar, qoftë ky edhe ndonjë deputet i çfarëdolloj formati, ligji duhet të godasë me të gjithë fuqinë e tij. Ky është rregull universal i demokracisë qysh në lindje të këtij nocioni. Përndryshe, do të na duhet të pranojmë se nuk jemi të zotë të frenojmë çmendurinë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›