E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama, nga gjuha e rrugës tek bllokimi i rrugës

Rrugët nacionale nuk po bllokohen nga dëbora apo rënia e masive e dheut, as nga hordhia e dyndjeve barbare, por nga deputetë socialistë të kryqëzuar me militantë fanatikë, të cilët me sms-urdhër nga Tirana kanë paralizuar për disa minuta akset kryesore rrugore në mbarë vendin, duke shkaktuar tension e konfrontime me forcat e policisë. Protesta e opozitës socialiste për hapjen e kutive është zhvendosur nga Tirana në disa zona të vendit, nga jugu në veri, por grevat e urisë po zëvendësohen me një strategji të re, atë të bllokimit të arterieve kryesore kombëtare.
Gjithsesi është e papranueshme. Edi Rama po luan me zjarrin. Shteti nuk mbahet me tolerancë apo me marrëveshje frike. Shteti mbahet kur zbatohet ligji. Sigurisht bllokimi i rrugëve ka ardhur në shenjë të parë të “mosbindjes civile” dhe “ barrikadës njerëzore” si demonstrim force e mbështetjeje për grevën e urisë së deputetëve të PS dhe mbështetësve të tyre, që prej 11 ditësh në çadrat para kryeministrisë. Afërmendsh imazhi i Shqipërisë është i dhunuar katërcipërisht nga mistifikimi i kauzës dhe sensibilizimit të saj si me grevën e urisë, po ashtu edhe me pengimin e trafikut rrugor kombëtar, çka ka irrituar qytetarët qoftë të majtë, qoftë të djathtë.
Sidoqoftë të mundohesh të shkaktosh kaos dhe rrëmujë nëpër rrugët e vendit si dhe të luftosh për të penguar integrimin e vendit vetëm e vetëm për interesat e Edi Ramës, Gramoz Ruçit, S. Gjinushit, Arta Dade-Dabulla, dhe mullahut të tyre shpirtëror Ramiz Alia, i cili u pozicionua pro grevës së urisë.
Qëllimi i këtyre akteve guerrile është që të shfrytëzojnë me çdo mjet mundësinë që të pengojnë integrimin e Shqipërisë, dhe ta përdorin këtë si bonus për të ndersyer militantët socialistë kundër qeverisë “Berisha”, për të përfituar nga kaosi e vetiu për të përfituar pushtet. Greva e urisë (nëse mund ta quajmë kështu në ditën e 12-të) është uria e Edi Ramës për pushtet. Edi Rama ka psikozën physique du role të protagonistit ku suksesin e Shqipërisë e sheh si dështimin të tij, prandaj instinktivisht kërkon ta sekuestrojë shpresën e shqiptarëve përpara liberalizimit të vizave.
Radikalizimi i situatës me politikën e rrugës greviste, bojkotin full-time të institucionit bazë të demokracisë përfaqësuese, parlamentit, përmendjen e dhunës dhe forcës për të sugjestionuar kamikazë që mendojnë se politika e tyre ka nevojë për martirë.
Sidoqoftë kanë kaluar 8 muaj nga zgjedhjet parlamentare dhe mund të thuhet se Edi Rama, pavarësisht çmimit të lartë për vendin dhe demokracinë e brendshme, e fitoi betejën-farsë brenda partisë SOS-ialiste, duke arritur të narkotizojë çdo mendim ndryshe, që sot pi kafe gjithë ditën tek libri universitar.
Edi Rama kur nuk është në rrethinat e kryeministrisë e gjen duke fërkuar duart plot pluhur betonarmeje dhe me një buzëqeshje hiene, pret mortin dhe aleancën e krizave: të asaj ekonomike dhe kutiste, për të provuar se të gjithë fajin e kanë kutitë e mbyllura. Horoskopi edvinist parashikon paqshëm për të pritshmen politike të një aleancë të krizës së kutive dhe asaj ekonomike, por që s’ka gjasa të ndodhë, pasi janë gjëra krejt të kundërta.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›