Po rritet Skena

Rreth 58 filma do të jenë në garën internacionale, 7 në atë kombëtare, 25 në programin special dhe 9 shfaqje do të mund t’i shohim gjatë një jave, sa do të zgjasë festivali, nga data 5 deri më 12 dhjetor. “Ketë vit po rritet më shumë cilësia dhe programi i festivalit, duke u bërë gjithmonë e më shumë konkurrues”, tha Arben Zharku, gjatë konferencës që u mbajt të enjten në Teatrin Kombëtar.
Ai tha se risi e këtij viti janë rreth 10 mediume ndërkombëtare, të cilat do të mbulojnë medialisht festivalin dhe vijnë nga vendet të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ato janë nga Rusia, Sllovakia, Spanja, Bosnja, Serbia.
Festivali këtë herë i ka dhënë edhe një detyrë vetës, në njëfarë forme të bëhet urë lidhëse në mes të popujve me anë të kulturës.
Ai gjithashtu pohoi që me këta gazetarë dhe media do të mbahen konferenca prej të cilave pritet që të ndikohet mbi opinionin publik.
Rreth 50 shtete janë prezent me filmat e tyre, kryesisht vijnë nga Evropa, ndonëse ka edhe nga Azia, Egjipti, Amerika Jugore, por ka edhe shumë vende pjesëmarrëse të cilat nuk kanë qenë më herët. “Kemi akademi te reja të filmit nga Argjentina, Meksika, Kina.
Disa nga filmat pjesëmarrës janë fitues të çmimeve prestigjioze si ai Oskar, i Cannes etj.”, tregoi Zharku. Ai bëri të njohur programin RE-CONECT, i cili vjen nga Serbia dhe është një konferencë në të cilën Kosova e Serbia në të ardhmen mund të prodhojnë një film së bashku, është fjala për ndonjë koproduksion të mundshëm.
Drejtuesit e Skenës Up, përveç programit të pasur me filma të shumtë, nuk e kanë harruar as pjesën argëtuese, ata kanë menduar të sjellin DJ nga vendet evropiane, si nga Gjermania, Anglia dhe gjithashtu do të ketë bende lokale dhe tjera të rajonit. Nga Serbia vjen bendi Repetitor.