Mustafa viziton Familjen Rugova

“Ne sot dolëm si Kryesi e Lidhjes Demokratike e Kosovës t’i bëjmë nderin Presidentit Rugova, Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për ditëlindjen e tij. Ne gjithmonë kultivojmë respekt shumë të lartë për atë që ai ka bërë për Kosovën, për atë që ai ka bërë për Lidhjen Demokratike, për zhvillimin e rendit demokratik në Kosovë dhe për atë që ai ka bërë si President i Republikës së Kosovës në vënien e bazave të para të shtetit të Kosovës, të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Këto mbesin motot tona të përhershme që ne të punojmë ta forcojmë këtë shtet dhe të respektohet nga vendet e tjera”, theksoi Mustafa, pas homazheve të bëra te varri i Presidentit historik të Kosovës.
Më tej, Mustafa tha se Presidenti Rugova ka dhënë një kontribut të veçantë, e ka afirmuar Kosovën në arenën ndërkombëtare.
“Mënyra e tij e komunikimit dhe prezantimi i Kosovës ka qenë i veçantë, ka qenë i respektuar nga gjithë faktorët ndërkombëtarë të shteteve më të forta, ka qenë një njeri i cili ka krijuar lidhje të veçanta, i cili ka treguar një kulturë të veçantë, gjë që ka lindur nga edukata e tij familjare, nga arsimimi i tij, edhe nga niveli kulturor dhe social që ai ka përfaqësuar”, pohoi Kryetari Mustafa.
Ndërsa, nënkryetari i LDK’së, Sabri Hamiti, mik dhe bashkëpunëtori shumëvjeçar i Presidentit Rugova, tha se ardhja te shenja e Rugovës, këtu nuk e ka vetëm një kuptim i ka disa kuptime.
“E para, është ajo që është njerëzore, sepse kemi kaluar një jetë me të, nëpër situata të qeta edhe tronditëse, që ka të bëjë me atë që quhet afërsi njerëzore. E dyta, është me atë që ka bërë ai në themelimin e partisë së parë demokratike shqiptare pas Luftës së Dytë, e cila ka marrë kuptimin e një lëvizjeje nacionaldemokratike për pavarësinë e Kosovës. E treta është sepse burrështetasi i parë i madh i Kosovës dhe ma i madhi deri më tash, që ka marrë përkufizimin Kryetar historik i Kosovës”.