E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po spagove dritat, të marrin plaçkat

Debitorëve familjarë të energjisë elektrike do t’u merren plaçkat e shtëpisë për faturat e papaguara.

Gjithsej 165 debitorë rrezikojnë të humbasin një pjesë të orendive shtëpiake, pasi Zyra e Përmbarimit pranë Gjykatës së Fierit po merr në shqyrtim dosjet e dërguara nga Filiali i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes për këta debitorë.

Lajmi bëhet i ditur nga drejtori i OSSH-së së Fierit, Arqile Kume, si dhe nga kreu i Përmbarimit të Fierit, i cili thotë se për disa debitorë familjarë është duke u ekzekutuar urdhri për sekuestrim.

Kreu i OSSH-së së Fierit, Arqile Kume, tha se 165 debitorë, pjesa dërrmuese e të cilëve janë familjarë, rezultojnë borxhlinj ndaj OSSH-së për faturat e energjisë elektrike.

“Ne kemi përdorur të gjitha format e njoftimit për të imponuar abonentët debitorë. Jemi përballur me një hezitim të tyre dhe jemi detyruar që t’i dërgojmë dosjet përkatëse në Përmbarim, në mënyrë që nëpërmjet tyre të marrim të gjithë shumën e borxhit. Shuma që i kanë borxh OSSH-së 165 debitorët shkon në rreth 70 milionë lekë”, thotë Arqile Kume.

Ai shpjegon më tej se faturat e pashlyera të energjisë ishin shkak i dërgimit të këtyre abonentëve në Përmbarim, por ka edhe raste ku abonentët kanë cenuar matësit të energjisë, apo raste të tjera kur janë bërë lidhje të paligjshme me sistemin e shpërndarjes së energjisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›