E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, mjeku i plagosur bie në koma

Tri ditë pas plagosjes së neurologut Kosta Koçi, kolegët e tij në Spitalin Rajonal të Vlorës njoftuan se gjendja e tij shëndetësore është rënduar sërish.

Mësohet se mjeku 65-vjeçar ka rënë në gjendje kome, duke shfaqur kështu komplikacione që vijojnë t’i rrezikojnë jetën.

Ndërsa e kanë dërguar me urgjencë drejt Tiranës, kolegët vijojnë të jenë në merak për shëndetin e Kosta Koçit.

 Ata kanë protestuar dje për të sensibilizuar opinionin publik dhe institucionet për të ndalur dhunën ndaj bluzave të bardha.

 Nga ana tjetër, policia vijon hetimet, por ende nuk ka një pistë konkrete dhe nuk e ka identifikuar autorin e krimit.

I plagosuri

Drejtori i spitalit të Vlorës, Luter Nuraj, tha se gjendja e Kosta Koçit është rënduar gjatë ditës së djeshme.

“Ai vijon të ketë probleme, që padyshim i kanë ardhur si pasojë e hemorragjisë nga plaga në grykë, ku thika ka përshkuar dhe këputur një venë që shkaktoi hemorragjinë”, sqaron Nuraj.

 Ai tregon se janë shfaqur edhe komplikacione të tjera. “Po e dërgojmë në Tiranë pasi aty janë më të specializuar në këtë sferë dhe disponojnë aparatura më efikase, me shpresën se jeta e tij nuk do të rrezikohet, edhe pse jemi disi pesimistë për gjendjen e tij shëndetësore, pasi ai ka rënë sërish në gjendje kome”, tha drejtori i sapoemëruar i spitalit.

Ai sqaroi se agresori e ka qëlluar 15 herë me thikë 65-vjeçarin Koçi.  
 

Protesta

Pasi e kanë hipur kolegun e plagosur në një ambulancë, që e ka çuar drejt Tiranës, i gjithë personeli i Spitalit Rajonal të Vlorës ka dalë në protestë, me qëllim sensibilizimin e opinionit publik dhe institucioneve, që të bëjnë të mundur që bluzat e bardha të punojnë të qeta në profesionin e tyre.

Drejtori i spitalit të Vlorës, Luter Nuraj, tha se është totalisht në mbështetje të mjekëve, të cilët çdo ditë jetojnë me stresin në përballjen me familjarët e pacientëve të ndryshëm.

“Kjo protestë, nëse mund ta quajmë kështu, duhet të shërbejë si akt ndërgjegjësimi për të gjithë komunitetin. Këtu çdo ditë është prezente dhuna, e cila i bashkohet stresit të punës me pacientët.

ë spital vijnë të plagosur, persona me sëmundje kronike, me infarkte etj., dhe familjarët gjithmonë nervozohen me mjekët, apo me personelin mjekësor në spital, duke ushtruar dhunë verbale.

Ndërsa në rastet kur ndodh vdekje e pacientit, për shkaqe të ndryshme që kanë të bëjnë me sëmundjen, familjarët thyejnë xhama, dyer dhe mjekët janë të detyruar të fshihen, por kjo nuk është normale”, tregon Nuraj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›