E Diel, 1 Nëntor 2026

Po ua kthej mbrapa çmimin!Nga Doc. Dr. Veton Latifi- Në vend të reagimit ndaj akademikëve maqedonas që hartuan të ashtuquajturën “Enciklopedi maqedonase”- I shqetësuar thellë për goditjet dhe fyerjet ndaj së vërtetës shkencore dhe një populli të t

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Po ua kthej mbrapa çmimin!Nga Doc. Dr. Veton Latifi

- Në vend të reagimit ndaj akademikëve maqedonas që hartuan të ashtuquajturën “Enciklopedi maqedonase”-

I shqetësuar thellë për goditjet dhe fyerjet ndaj së vërtetës shkencore dhe një populli të tërë nga ana e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, i brengosur rëndë për synimet dhe insinuatat e akademikëve të caktuar dhe publikimit të së ashtuquajturës Enciklopedi për shtrembërimin dhe degjenerimin e të dhënave shkencore që synojnë nxitjen e krizave e assesi sistemimin shkencor, kam vendosur që t’ia kthejë mbrapa Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, çmimin ‘Shkencëtari më i mirë i ri’ për vitin 2007, përderisa nuk tërhiqet nga qarkullimi publikimi i Enciklopedisë qesharake.

Me një kënaqësi dhe mburrje të veçantë e kisha pranuar këtë çmim në shkurt të vitit të kaluar, sepse ishte një mirënjohje edhe për mua, por edhe për një brez të tërë të rinj studiuesish shqiptarë, meqë për herë të parë pas disa dekadave u arrit që të thyhet akulli që të merret një çmim i tillë për një shqiptar dhe u dha një sinjal inkurajues për hapjen e dyerve dhe për një pranim të realiteteve të reja. Mirëpo, sot ndjenja është krejt e kundërt dhe tejet keqardhëse.

Me një indinjatë të thellë ia kthej mbrapa këtë çmim Akademisë, sepse ky çmim ishte i ndarë për arritje shkencore dhe hulumtuese nga një institucion që është i autorizuar që të merret me çështje shkencore, e assesi nga një institucion i transformuar në shtrembërues faktesh; degjenerues të shkencës; dhe në gjenerator e synues të krizave. Prandaj, e ndjej obligim moral, profesional, kombëtar dhe civilizues që t’ia kthej mbrapa këtë çmim Akademisë, e cila fatkeqësisht akoma mbetet e pareformuar me shumë koka retrograde dhe në shërbim dhe/apo nën ndikim të politikës ditore e jo qëndrueshmërisë shkencore.

Derisa nuk tërhiqet nga qarkullimi e ashtuquajtura ‘Enciklopedi’, çmimi ‘Shkencëtari më i mirë i ri për vitin 2007’ për mua mbetet vetëm një copëz letre pa pikë vlere.

Nuk m’u desh shumë kohë për të vendosur për të marrë këtë vendim, sepse nuk m’u desh shumë kohë për të studiuar dhe lexuar të ashtuquajturën Enciklopedi. Që në shfletimet e para e kuptova se brenda materies së atij publikimi qesharak gjithçka mund të ketë, por vetëm shkencë jo. Lloj-lloj frazash boshe e formulimesh propagandistike mund aty të gjeni, por nuk mund të hasni në studim shkencor në asnjë moment. Dhe të gjithë e dimë se shkenca nuk bazohet në spekulime dhe ofendime e as pretendime për të nxitur zënka të mëtejshme mes komuniteteve.

Është shqetësuese, kur në një shoqëri multietnike e shoqëruar tradicionalisht me tensione e kriza, një Akademi Shkencash dhe Artesh bën nxitje të mëtejshme dhe, në vend që të merret me interpretime shkencore të fakteve dhe konstatime teorike, prodhon bastardime, njollosje, goditje të ulëta e nxitje të rënda.

Është alarmante, kur në shoqëritë e tilla një Akademi prodhon insinuata e ofendime dhe shtrembëron të vërtetat shkencore, në vend që të jetë promotore e paqes, e tolerancës dhe prodhimit të platformave shkencore për ndërtimin e shtetit multietnik, si dhe zgjidhjen e probleme vitale për progresin në atë shoqëri.

Nëse ndokush ka krizë identiteti dhe nuk ka as vizion, as potencial e as guxim për ta zgjidhur atë krizë identiteti, le ta ruajë dhe ta zgjidhë për vete atë krizë identiteti apo fundja mund të kërkojë ndihmë në mënyrë korrekte për t’u ndihmuar në zgjidhjen e asaj krize identiteti. Se ne shqiptarët, pavarësisht se si ndokush ka synim të na quajë, nuk kemi krizë identiteti. Së paku ne nuk kemi krizë identiteti.

Çdo respekt ndaj individëve të caktuar në Akademi, sidomos për akademikët që janë shkencëtarë të dëshmuar në lëmin e shkencave natyrore (me sa kam informacion), por me keqardhje më duhet të konstatoj se shumë akademikë gjatë sistemeve të ndryshme politike kanë luajtur dhe po vazhdojnë të luajnë rolin e zëdhënësve të defetizmit dhe instrumenteve të politikave ditore për të nxitur urrejtjen si një kompensim për të fshehur mungesën e kapaciteteve të tyre shkencore, individuale dhe mungesës së platformave dhe programeve kolektive.

Pavarësisht se cilat kanë qenë motivet e autorëve akademikë dhe patronëve të tyre politikë, nuk pinë ujë te shqiptarët dhe janë skenarë dhe motive të pafuqishme për të arritur efektin e tyre të synuar.

A është motivi ‘vardisje e Akademisë ndaj politikës ditore’ apo “shërbim ndaj politikës ditore’, ‘tentim për zhvendosje të vëmendjes së opinionit’, ‘synim për të nxitur shqiptarët dhe për të shkaktuar radikalizime’ ‘përpjekje për të defaktorizuar elementin e fuqishëm strategjik shqiptar në rajon me realitetet e reja’?! Pavarësisht nga motivet e vërteta të kësaj iniciative të qëllimshme të Akademisë, unë jam i sigurt se hartuesit dhe financuesit e botimit nuk do t’ia arrijnë që të efektuojnë asnjërin prej këtyre motiveve potenciale, e aq me pak do t’ia arrijnë që të nxisin apo eventualisht të radikalizojnë shqiptarët e Maqedonisë, meqë nuk bihet aq lehtë në grackat e tilla me qëllim destabilizues. Por, vetëm mund të arrihet e kundërta, që të bëni shqiptarët të ndërtojnë kapacitete dhe institucione edhe më moderne, edhe më të fuqishme. Fundja, shqiptarët si popull nuk kanë mungesë edhe të traditës në ngritjen edhe të institucioneve paralele, qoftë edhe atyre shkencore.

Po marr guximin dhe të drejtën që në emër të shumë kolegëve të mi t’i drejtohem drejtpërdrejt akademikut Blaže dhe autorëve të tjerë se tash e tutje ne më nuk do të merremi me ju, sepse nuk dëshirojnë t’u faktorizojmë e as që të jemi pjesë e dëshirave të flakta për ngritje të përqindjeve nëpër sondazhe politike. Me këtë çmim që po ua kthej mbrapa, po u bëj me dije në emër të shumë kolegëve të mi dhe qindra intelektualëve të tjerë shqiptarë (që besoj se pajtohem me mua që marr këtë të drejtë të flas në emrin e tyre), se tash e tutje më ne nuk do të merremi me ju. Ky akt i imi sot, besoj se juve ju flet shumë qartë. Fundja ne kemi shumë çështje të tjera më të rëndësishme, me të cilat duhet të merremi dhe nuk kemi më kohë të merremi me ju dhe t’ua plotësojmë orekset dhe skenarët, prandaj tërhiqeni mbrapa të ashtuquajturën “Enciklopedi”. Se besoni, ne do të bëjmë çmos, të pamundurën do të bëjmë, që Maqedoninë ta sjellim në NATO dhe BE, dhe të përforcojmë edhe më tepër aleancat dhe partneritetin tonë me strategjik me miqtë tanë perëndimorë. Më vjen keq që do t’ju dëshpëroj se ka përfunduar moti luhatja dhe dilema se Republika e Maqedonisë mund të kthehej sërish kah Moska e Beogradi, sepse ky shtet ka vetëm një alternativë, Perëndimin!

Dhe nëse me ju dhe patronët tuaj politikë nuk përballen partitë politike shqiptare, ato që janë të thirrura të përballen me ju në kuadër të skenës politike dhe nëpërmjet mjeshtërive politike dhe negocimeve, atëherë fundja ju do të përballeni me një komunitet të ri akademik dhe shkencor të shqiptarëve në Maqedoni. Do të përballeni me teoritë shkencore të shumë studiuesve dhe profesorëve shqiptarë. Do të përballeni me mediet shqiptare që po ju mbajnë leksione për profesionalizmin e tyre. Në fund do të përballeni me një shoqëri civile shqiptare në Maqedoni dhe me një opinion të fuqishëm shqiptar në Maqedoni.

Nëse ne gjendemi në një situatë politike në Maqedoni, ku ka krizë të lidershipit politik shqiptar dhe mungesë të ofertës të partive politike shqiptare dhe nëse jeni mësuar vetëm në përkulje e nënshtrime të papara të tyre për interesat e tyre personale e financiare, edhe përskaj kësaj krize të mungesës së lidershipit politik shqiptar, mos mendoni se shqiptarët në Maqedoni nuk kanë potencial dhe kapacitete për të marrë në duart e tyre proceset politike; dhe mos mendoni se nuk ekzistojnë shqiptarë me vizione; dhe mos mendoni se ka mungesë edhe të kapaciteteve të shqiptarëve që zëri i tyre të dëgjohet në qendra të ndryshme universitare të botës.

Ata që ju fatkeqësisht i quani “pllaninci”, nëse nuk e keni ditur, ata i kanë dhënë botës së civilizuar dy Nobelistë, Nënë Terezën dhe Ferid Muratin. Ju siguroj se po shqiptarët e Maqedonisë në të ardhmen do t’i japin botës edhe nobelistë të tjerë, do t’i japin botës një sërë inovatorësh, teoricienësh e personalitetesh botërore. E ndokush nga ana tjetër le të vazhdojë akoma të merret më zgjidhje krizash identitetesh e shtrembërim të vërtetash.

Nëse nuk e keni ditur shqiptarët janë sot faktor shumë i rëndësishëm politik dhe strategjik në Ballkan dhe një kohë shumë të gjatë do të mbeten të jenë si të tillë, të jeni të bindur. Më vjen keq që akoma paska koka në mesin tuaj që akoma nuk e kanë kuptuar se në Ballkanin tradicionalisht të fragmentizuar populli maqedonas mund dhe duhet të ketë vetëm një partner strategjik të sinqertë - vetëm shqiptarët në Ballkan - dhe rrjedhimisht do të ishte më produktive që t’i bashkëngjiteni shqiptarëve në bashkëpunimin dhe koordinimin e politikave e jo në sfidimin e faktorizimit të tyre në rajon.

E kam të qartë se në politikën maqedonase shpeshherë u bëhen favore politikave serbe, por nuk keni nevojë që edhe të kopjoni platformat dhe qasjen e Çubrilloviçit dhe Akademisë së Shkencave të Serbisë, sepse dihet epilogu aq fatkeq për popullin serb se ku e solli në fund atë platformë që bëri NATO-n për herë të parë në historikun e vet të shkrepë gjithë ato tonelata bombash mbi atë platformë të Akademisë serbe. Prandaj, nuk është e preferueshme që të ndiqen e kopjohen modele të tilla të Akademive, por keni përvoja shumë më të mira të institucioneve akademike në Evropën Perëndimore e Amerikën Veriore që kultivojnë shkencën dhe i sjellin botës teori të reja për mirëqenien e njerëzimit.

Në vend që të merreni me prodhimin e një platforme se si të zgjidhjet kontesti i emrit me Greqinë apo të zbardhni ndonjë fakt të mirëfilltë shkencor, apo në vend që të ndihmoni me ndonjë këshill dhe kontribut shkencor që të debllokohet procesi i euro-integrimeve, më vjen keq që ju merreni me thellësim të problemeve duke synuar që të njollosni shqiptarët e të nxitni ata dhe pa nevojë të rrezikoni bashkëjetesën. Pa nevojë ju ka thënë mendja juaj kot së koti, apo ju ka sugjeruar ndokush që në të ashtuquajturën “Enciklopedi” të pretendoni që të ofendoni miqtë tanë të çmuar amerikanë dhe britanikë, të cilët aq shumë na ndihmuan e po na ndihmojnë si në demokratizimin e sistemit tonë politik, pastaj në rrugën e proceseve të integrimeve në NATO dhe BE, e po ashtu edhe në ngritjen e kapaciteteve shkencore dhe arsimore të Republikës së Maqedonisë. Çdo akademik që akoma ka një vetëdije të shëndoshë e di se në shkencë porositë e tilla për njollosje nëpërmjet sajesave shkencore janë vetëm insinuata, mjete propagandistike dhe në start janë të pasuksesshme.

Më vjen keq që ka kohë që nuk paskeni lexuar ndonjë punim shkencor apo qoftë edhe ndonjë libër publicistik se periudha në të cilën ne tani jetojmë është koha e integrimeve, komunikimeve, bashkëpunimit e krijimit të miqësive, e jo e kundërta siç pretendoni ju me lançimin e publikimit të fundit që pa asnjë bazë empirike e keni pagëzuar si “Enciklopedi”.

Jam thellë i bindur se Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë nuk pat nevojë që t’i shprehë këto insinuata dhe sajesa me të ashtuquajturën “Enciklopedi”, sepse mjaft gabime të shtrenjta ka bërë radhazi gjatë gjithë këtyre viteve. Nuk është kjo gafa e parë e Akademisë, por megjithatë ky është gabimi më trashanik dhe kulmi i serisë së gafave dhe insinuatave. Por, nga ana tjetër, ju me këtë dëshpërim aq të madh hapët sytë e të gjithë shqiptarëve dhe botës së civilizuar se ka ardhur koha që ky institucion të reformohet njëherë e përgjithmonë me një gjeneratë të re studiuesish e shkencëtarësh pa ngarkesa nacionaliste dhe me elan shkencor pa dallim të përkatësisë së tyre etnike apo kulturore. Akademia edhe njëherë dëshmoi se është në krizë të thellë dhe në mungesë të një elani dhe potenciali shkencor të disa prej akademikëve (përjashtimet gjithnjë ekzistojnë). Ajo prodhon kriza dhe lejon politikën të depërtojë thelle në shkencë për të mbuluar edhe paaftësitë e zgjidhjeve dhe kreativitetit politik, e njëkohësisht edhe për të mbuluar elanin.

Historia e njerëzimit, por edhe shumë proceseve shoqërore e politike tregon se edhe portat më të hekurta kanë rënë dhe kanë mundur të qëndrojnë përjetësisht. Edhe dyert e Akademisë do të hapen gjerësisht një ditë; nëse ju me ngulm do t’i mbroni dhe verbërisht nuk do të lejoni të hapen, ato sërish do të hapen, ato shumë shpejtë koha do t’i hapë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›