Skënderbeu-Flamurtari, ora e së vërtetës në liqen
Nuk ka më mëdyshje, sot do të luhet mes vlonjatëve dhe korçarëve, në qytetin e Pogradecit, në orën 14:00. Kampionët duan fitoren
Nuk do të ketë mëdyshje për supersfidën Skënderbeu-Flamurtari, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë, pasi ky çift sot do të përballet në stadiumin Gjorgj Kyçyku të Pogradecit, në orën 14:00. Shtyrje pas shtyrjeje dhe më së fundi ka mbërritur edhe ora që të dy ekipet të flasin në fushën e lojës.
Fjalët e shumta në media tashmë kanë marrë fund dhe atë se kush do të jetë më i zoti në fushë, do ta tregojë vetëm fusha asnjanëse e qytetit të liqenit. Sigurisht, që kjo ndeshje në Pogradec u erdhi për shtat vlonjatëve, ndërkohë që edhe korçarët nga ana e tyre nuk janë trembur aspak, pasi kanë premtuar që do ti mposhtin vlonjatët edhe jashtë shtëpisë së tyre, madje këtë vit janë gati ti mundin edhe në shtëpinë e Flamurtarit.
Batuta ka pasur nga të dy kampet, ndërkohë që nga ana e korçarëve më shumë kanë folur drejtuesit e klubit dhe tifozët, pasi lojtarët dhe stafit teknik kanë kohë që e kanë qepur gojën dhe nuk japin asnjë prononcim për mediat. Në fakt, temperaturat ditën e djeshme në qytetin e Korçës kanë qenë rreth -10 gradë celsius, ndërkohë që në Pogradec, nuk pritet që të ketë ndryshim në këto temperatura, pasi edhe qyteti i liqenit ka të njëjtën klimë.
Kush do të mbytet në liqen, kjo mbetet për tu parë sot pas përfundimit të ndeshjes, ndërkohë që për herë të parë qysh pas largimit, kemi për të parë një trajner si Shkëlqim Muça në krye të pankinës vlonjate. Do të arrijë të fitojë kryeqytetasi i vlonjatëve apo do të triumfojë çeku i Skënderbeut, Stanislav Levi, të gjitha këto mbeten për tu parë.
Levin nuk ka mundur ta mposhtë asnjë trajner deri tani, por në stadiumin e liqenit sot do të jetë hera e parë që ai do të zbresë, ashtu siç do të zbresë për herë të parë edhe Shkëlqim Muça. Si vlonjatët, por edhe korçarët, kanë ditë të tëra që thonë se do tia lënë fushës rezultatin përfundimtar dhe ora e së vërtetës erdhi.
Në fund të fundit, një superndeshje si kjo nuk mund ta humbasë askush dhe korçarët të gjithë sot do të marrin rrugën drejt Pogradecit, atje ku kanë kërkuar edhe mbështetjen e tifozëve pogradecarë fqinjëve të tyre. Së fundi, në media prej shumë ditësh Skënderbeu-Flamurtari ishte vërtet një superndeshje dhe le të shohin sot në fushë nëse do të jetë e tillë apo jo?
Kampionët duan fitoren Futbollistët korçarë dje pas seancë së fundit, janë shprehur: Vlonjatët e dëshironin prej ditësh që ndeshja të luhej në Pogradec dhe ua plotësuam edhe këtë dëshirë. Nëse kanë ndonjë kërkesë tjetër, le të na e thonë, se ne do tua plotësojmë, pasi në fushë do të marrin vetëm humbje dhe për këtë na vjen vërtet keq.
Në Pogradec ne ndihemi si në shtëpinë tonë, ndërkohë që vlonjatëve u themi që të mos harrojnë se deti, edhe po të mos dish not të mban sipër në ujë, ndërkohë që në liqen, po nuk dite not, përfundon në fund të tij. Shpresojmë që Flamurtari të mbahet sa më shumë, por nuk besojmë se do të ketë shans, pasi ne jemi të destinuar të fitojmë.
