Poçi: Do ta mbyll me Dinamon

Artion Poçi nuk ka ndërmend të largohet nga Dinamo. Ai është një nga të paktët lojtarë që ka vendosur t’i qendrojë besnik bluve, me të cilët luan prej 7 sezonesh. Tashmë mesfushori fierak mendon për përgatitjen e skuadrës dhe gjysmën e mbetur të sezonit. Sipas tij me merkaton e janarit, Dinamo do të jetë një nga pretendentet kryesore për fitimin e titullit. “Nuk do të largohem nga Dinamo. Kam pasur oferta si gjithmonë, por nuk kam ndërmend t’i lë blutë. Jam i lidhur prej shumë sezonesh me këtë skuadër dhe mendoj ta mbyll këtu karierën time. Ndihem i vlerësuar nga drejtuesit dhe nga të gjithë trajnerët që kanë drejtuar skuadrën tonë. Një vend të veçantë te unë zë edhe tifozeria e skuadrës”, shprehet 31-vjeçari Poçi.
Ka ditë që emri juaj po përflitet për një largim te Tirana. Sa e vërtetë është kjo?
Nuk kam asnjë dijeni për këtë. E di që Tirana më ka kërkuar më parë, por nuk kam ndërmend të lëviz nga Dinamo. Ndihem mirë këtu prej shumë sezonesh dhe kjo më bën t’i qendroj besnik skuadrës time deri në fund të karrierës.
Ndodheni në vendin e tretë, tetë pikë më pak se Vllaznia kryesuese. Sa janë shanset që skuadra të mbrojë titullin kampion në këtë sezon?
Shanset janë të mëdha, pasi një diferencë e tillë nuk është aq e madhe sa të heqim dorë nga titulli. Jam i bindur se që në 31 janar do të shihni një tjetër Dinamo. Për këtë ka nisur një merkato shumë cilësore e cila ka qëllim vetëm arritjen e objektivit tonë.
Të ndalemi pak te merkato. Pas Bakajt të tjerë lojtarë janë në listën e drejtuesve tuaj. Mendoni se edhe ata do të afrohen te ju?
Atë e dinë drejtuesit, por mund të them se ata çfarë kanë premtuar e kanë realizuar. Edhe këtë herë do të jenë të sukseshëm.
Ku mendoni ju se ka më shumë nevojë skuadra?
Në të gjitha repartet. Sa më shumë lojtarë të jenë aq më mirë është për skuadrën. Kështu rritet konkurenca dhe seicili nmga ne jep gjithnjë më të mirën e tij.
Të hënën do të niseni drejt Antalias ku mund të luani edhe disa miqësore me skuadra të njohura turke. Sa do t’iu ndihmojë kjo?
Natyrisht është një gjë shumë pozitive për skuadrën të përballet me kundërshtarë të fortë. Do të jetë një test shumë i vlefshëm për ne. Gjithashtu aty do të testohen edhe lojtarët që do të mbërrijnë së fundmi te ne. Ndoshta mund të përballemi edhe me ndonjë skuadër shqiptare, pasi kam dëgjuar se do të ketë shumë në Antalia.
Si janë mardhëniet e tua me trajnerin Daliç?
Si gjithnjë shumë të mira. Nuk kam pasur kurrë probleme me teknikët e skuadrës. Gjithnjë kam bërë punën dhe jam shpërblyer me atë që më ka takuar.
Jeni i bindur se me një trajner të tillë skuadra juaj mund të arrijë trofe?
Po jam shumë i bindur. Kroati është shumë i aftë profesionalisht dhe i afërt me ne lojtarët. Kemi disa muaj që punojmë me të dhe jemi të kënaqur.
Vllaznia, Tirana, por edhe besa apo ndonjjë skuadër tjetër duken pretendente për titull. Kujt i’a keni më shumë frikën?
Ne jemi kampionët në fuqi të vendit dhe nuk ja kemi frikën asnjë kundërshtari. Sa për rivalitetin mendoj se do të jetë një garë e fortë deri në fund ku natyrisht shpresojmë të jemi ne përsëri kampionë. Mendimi im është se Vllaznia e Tirana do të jenë skuadrat që do të rivalizojnë më shumë, bashkë me ne.
GAZETA SPORTI
E Shtune, 10 Janar 2009