E Shtunë, 31 Tetor 2026

Podolski, polakët: T‘ia heqim shtetësinë

Një politikan polak i të djathtës ekstremiste ka reaguar ashpër ndaj futbollistit Lukas Podolski. Sulmuesi me origjinë polake shënoi dy gola për Gjermaninë në ndeshjen e EURO 2008 përballë kombëtares së vendlindjes. Politikani Miroslav Orzeçovski, deklaroi se do t‘i kërkonte presidentit të Polonisë, Lek Kaczinski, t‘i hiqte nënshtetësinë polake lojtarit. "Nëse ndokush përfaqëson ngjyrat e një shteti tjetër, atëherë ekziston dëshira për të hequr dorë nga nënshtetësia. Nuk mund ta thuash më qartë. Presidenti duhet ta ketë të qartë një gjë të tillë", deklaroi ai. Por ambasadori polak në Berlin, Marek Pravda, deklaroi se lojtari ishte shembulli i shkëlqyer i marrëdhënieve të mira mes Gjermanisë dhe Polonisë. "Lukas ka shumë tifozë në Poloni. Mendoj se mosfestimi pas golave të shënuar ndaj Polonisë ishte një veprim shumë i sinqertë", deklaroi ambasadori Marek Pravda. Më pas ai vlerësoi edhe tifozët polakë, të cilët pas përfundimit të ndeshjes e kishin duartrokitur Podolskin, kur atij iu dorëzua në fushë trofeu i ‘lojtarit më të mirë‘ për këtë ndeshje".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›