Thyhen rekordet e transmetimeve
UEFA ka bërë të ditur se shikueshmëria televizive e tetë ndeshjeve të para të EURO 2008 ka qenë fantastike, duke thyer rekordet e mëparshme. Në Holandë dhe Portugali, ndeshjet e kombëtareve respektive janë ndjekur nga më shumë se 80% e popullsisë. Kristian Mytshler tregoi edhe raportin e UEFA-s për këto takime. "Në Portugali u sigurua mbi 80% e shikueshmërisë popullore me 2.6 milionë telespektatorë për sfidën me Turqinë. Në Holandë kishte një shikueshmëri prej 82.5% të tregut, falë ndeshjes kundër Italisë. Më shumë se 23.7 milionë ndoqën në Poloni ndeshjen kundër Gjermanisë, që do të thotë 69.6% e tregut televiziv. Ka pasur interesim edhe për ndeshjet "neutrale", ku ajo mes Holandës dhe Italisë ka pasur shikueshmërinë më të lartë. Vetëm në Gjermani ajo është ndjekur nga 14.9 milionë teleshikues", deklaroi Mytshler. I vetmi vend në Evropë ku shikueshmëria ka qenë e ulët ishte Britania e Madhe. Shkak është bërë mungesa e Anglisë, apo e skuadrave të tjera britanike në fazën finale të aktivitetit që zhvillohet në Austri dhe Zvicër.